Si të filloni sërish një marrëdhënie romantike pas divorcit

Life style

Si të filloni sërish një marrëdhënie romantike pas divorcit

Më: 3 shkurt 2016 Në ora: 12:16

Sapo keni hedhur pas krahëve një martesë të dështuar, por kjo nuk do të thotë se s’do të gjeni një person të ri, me të cilin të ndani dashurinë. Ja çfarë duhet të keni parasysh.

Vetëm ju e dini më së miri se kur jeni gati

Pavarësisht se mund të keni një shumëllojshmëri njerëzish që po ju bëjnë thirrje të rifilloni të njihni njerëz të rinj, vetëm ju e dini se kur është koha e përshtatshme. Instinkti juaj do t’ju thotë më së miri nëse jeni apo jo gati. Ja një provë që mund të bëni. Mbyllni sytë dhe imagjinoni se po dilni me një person tjetër. Nëse ndiheni kureshtarë ose entuziastë, me shumë gjasa jeni gati. Nëse ndiheni të tmerruar nga kjo ide ose të mërzitur, atëherë duhet t’i jepni vetes më shumë kohë. Ka kaluar një kohë e gjatë që nga divorci? Merrni në konsideratë terapinë që do t’ju ndihmojë të kuptoni veten dhe të fitoni besimin e nevojshëm.

Njohjet online janë normale tashmë

Jo, nuk është thjesht diçka që po e bëjnë vetëm të rinjtë. Njohja online është gjithashtu e përhapur te të divorcuarit. Dikur këto lloj njohjesh ishin diçka e çuditshme, por tani janë standarde. Këtë e bëjnë pothuajse të gjithë ata që janë divorcuar. Mjafton të kuptoni se cili shërbim i njohjeve online ju pëlqen më shumë dhe të përcaktoni kërkesat tuaja për partnerin/en e së ardhmes.

Profilet mund të mos jenë të ndershme

Pavarësisht dëshirës së mirë për të njohur një person të ri, duhet të merrni parasysh se njerëzit edhe mund të gënjejnë në uebsajtet e njohjeve. Ata, për shembull, mund të mos jenë të sinqertë për vendin aktual të punës ose për marrëdhëniet e tanishme. Do t’ju ndihmojë shumë verifikimi me mënyra të tjera i informacioneve që keni për një person. LinkedIn është një formë mjaft e mirë.

Dilni për kafe, jo për darkë

Konsumi i një darke me një person është një zotim kohor shumë i madh, duke marrë parasysh faktin që mund të mos pëlqeheni. Përse kafeja apo koktejet janë një ide më e mirë? Meshkujt e preferojnë këtë mënyrë, sepse priren të paguajnë ata dhe kështu një takim i parë ndër shumë të tjerë nuk do t’i kushtojë shtrenjtë. Gjithashtu femrat nuk do të ndihen në faj, edhe nëse e lënë atë të paguajë dhe nuk duan të takohen sërish.
Që në fillim të takimit lajmëroni për planin tuaj të largimit, në mënyrë që tjetri të mos mendojë se ju vendosët të largoheshit papritur. Është gjithashtu gjë e mirë të takoheni në një vend publik dhe t’i tregoni të paktën një mik/e se ku jeni.

Mos flisni për ishët

Sado tunduese të jetë, veçanërisht nëse sapo jeni divorcuar, përmbahuni dhe mos e kaloni bisedën tek ishët tuaj. Ju mund ta shmangni bisedën për veten, duke diskutuar çështje të tjera që mund të zbulojnë mjaft të përbashkëta interesante mes jush. Pyetje të tilla mund t’i kërkoni në internet, por nëse jeni kreativë mund të nxiteni edhe nga jeta juaj. Sado pozitivë të qëndroni, nuk do të mund të flisni fjalë të mira për ishin tuaj, ndaj më mirë shmangeni atë temë dhe qëndroni të fokusuar te personi përballë.

Fëmijët nuk duhet ta takojnë personin tjetër shumë shpejt

Në qoftë se nuk keni qenë të lidhur prej gjashtë muajsh në mënyrë serioze, nuk është diçka e mirë t’ia prezantoni personin tjetër fëmijëve tuaj. Së pari, ata mund të përfshihen nga ankthi ose së dyti do të lidhen ngushtësisht pas tij/saj, edhe pse marrëdhënia juaj mund të përfundojë me ndarje. Nëse ndani kujdestarinë, planifikojini takimet me personin e ri që po njihni kur fëmijët janë tek ish-partneri/ja ose lërini me një kujdestar.

Nuk ka problem nëse nuk tërhiqeni menjëherë

Kimia nuk e zbulon veten që në fillim. Ndoshta do t’ju duhet pak kohë derisa të kuptoni nëse ia vlen të vazhdoni përpara me një person ose nëse duhet të ndaloni takimet. Kini besim dhe lërjani kohës t’ju tregojë se nëse po njiheni me personin e duhur ose jo. Duhet një farë kohe derisa personi tjetër të shpalosë veten te juve, sepse disa njerëz janë më të turpshëm dhe kanë nevojë për më shumë kohë. Kjo është plotësisht e kuptueshme, ndaj veproni me durim. Ju nuk do të donit që më pas të pendoheshit se latë t’ju ikte nga duart një rast i mirë.

Tregoni pjekuri

Praktika e mosdërgimit të mesazheve apo telefonatave me një person për të cilin s’jeni të interesuar nuk është e pazakontë dhe në fakt është shumë e përhapur. Megjithatë, nëse nuk kërkoni një takim të dytë me dikë, tregohuni të pjekur, komunikojani personit në vend që të zhdukeni pa nam e nishan. Po ashtu, jini të kujdesshëm në përdorimin e dy mjeteve të mësipërme të komunikimit në lidhjen e re. Ju mund të jeni mësuar me një partner të qëndrueshëm, por do t’ju duhet pak kohë derisa të fitoni zemrën dhe dashurinë e tjetrit, ndaj tregoni pjekuri në ato që shkruani apo dërgoni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat