Përse disa njerëz lëndohen më shumë nga ndarjet?

Life style

Përse disa njerëz lëndohen më shumë nga ndarjet?

Më: 2 shkurt 2016 Në ora: 17:15

Pak gjëra në jetë janë aq traumatike sa fundi i një marrëdhënieje dashurie afatgjatë. Shumë njerëz janë në gjendje ta marrin veten me kalimin e kohës dhe të ecin përpara emocionalisht. Të tjerë, nuk janë aq me fat. Edhe pasi kanë kaluar vite, këta njerëz mbeten në eksperiencën e dhimbjes. Çdo gjë që mund t’u kujtojë atyre ish-partnerin/en e tyre ngjall ndjenja të thella trishtimi, zemërimi dhe fyerjeje.

Përse ndodh që disa njerëz vazhdojnë të ndiqen nga kujtimet e partnerëve të shkuar dhe vazhdojnë të ndiejnë dhimbjen e refuzimit?

Një kërkim i ri ka zbuluar se refuzimi në fakt i bën njerëzit të rimarrin në konsideratë veten dhe perspektivat romantike të së ardhmes.

Në një studim, kërkuesit i udhëzuan njerëzit të shkruanin se çfarë kishin mësuar nga një refuzim dashuror i së shkuarës. Duke analizuar përgjigjet e tyre, ata kuptuan se disa pjesëmarrës mendonin se refuzimi u kishte zbuluar atyre një të vërtetë negative rreth vetes, një të vërtetë që do t’i sabotonte marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. Disa thanë se ata kishin kuptuar se diçka nuk shkonte me ta, si për shembull ishin shumë të ngjitur, shumë të ndjeshëm ose nuk arrinin të komunikonin siç duhej.

Studime të tjera që kanë eksploruar pasojat e idesë se refuzimi zbulon të meta të thella te personaliteti i dikujt e lidhin atë me disa perspektiva mbi identitetin e njerëzve. Disa persona e shohin si më të vështirë ta lënë pas eksperiencën. Disa thonë se “ngrenë mure” dhe bëhen më të matur në një marrëdhënie të re. Të tjerë janë të frikësuar të zbulojnë frikën nga refuzimi te një partner i ri nga ideja se tjetri mund të ndryshojë mendim për ta.

Studiuesit pyesin veten se çfarë e shtyn një person të krijojë një lidhje mes refuzimit në dashuri me aspektet që e përbëjnë atë si person. Pjesëmarrësit në studimin e mësipërm e përshkruan refuzimin si një pjesë të jetës, që ishte e rëndësishme për të arritur pjekurinë dhe që i kishte bërë ata njerëz më të mirë.

Mënyra se si dikush e gjykon personalitetin luan një rol të madh në mënyrën e përgjigjes ndaj refuzimit në dashuri.

Kërkime të mëparshme tregojnë se njerëzit që kanë pikëpamje të ndryshme rreth mënyrës se si i perceptojnë tiparet e tyre personale, qofshin këto karakteristika si inteligjenca apo të qenët i/e ndrojtur. Disa njerëz kishin një mentalitet fiks, duke besuar se këto cilësi nuk ndryshojnë. Përkundrazi, ata që kishin një mentalitet zhvillimi besonin se personaliteti i tyre është diçka që mund të evoluojë dhe të zhvillohet përgjatë jetës.

Këto besime formësojnë përgjigjen tonë ndaj dështimit. Për shembull, kur njerëzit besojnë se inteligjenca është fikse, ata ndihen keq për veten dhe kanë më pak gjasa të këmbëngulin kur hasen me një ndarje.

Mënyra se si një person e percepton personalitetin e tij, ndikon gjithashtu te mënyra se si ky person e sheh refuzimin që merr nga të tjerët.

Në një studim tjetër, kërkuesit i ndanë njerëzit në dy grupe: ata që mendonin se personaliteti nuk ndryshon dhe ata që mendonin se personaliteti mund të krijohet. Pjesëmarrësit lexuan një nga dy historitë e mundshme. Në njërën, kërkuesit i udhëzuan pjesëmarrësit në studim të imagjinonin sikur ndaheshin papritur nga një partner afatgjatë. Në tjetrin, ata u kërkuan pjesëmarrësve të imagjinonin sikur ishin takuar me dikë në një festë, kishin ndier një shkëndijë për të dhe më vonë kishin dëgjuar që personi tjetër t’i thoshte një miku se ai/ajo nuk do të lidhej kurrë me të.

Ne mund të presim që vetëm një refuzim i rëndë nga një marrëdhënie e rëndësishme të ndikojë në lidhjen tonë dhe të ketë forcën të na bëjë të dyshojmë te vetja. Në fakt, diçka tjetër u shfaq. Te njerëzit që kishin pikëpamjen se personaliteti është fiks, u zbulua se refuzimi nga një i huaj mund t’i bënte ata të pyesnin veten çfarë gabimi kishin ata që tjetri nuk i pëlqente. Këta njerëz mund të shqetësoheshin nëse kishte diçka brenda tyre që i largonte të tjerët dhe që i bënte të padëshirueshëm aq sa një njeri do të t’i refuzonte pa i njohur mirë.

Pra, çfarë mund të bëjmë që të parandalojmë njerëzit të mos e lidhin refuzimin me veten në këtë mënyrë negative? Një provë tregon se ndryshimi i besëtytnive të një personi rreth personalitetit mund të ndryshojë gjithashtu reagimin e tij/saj ndaj refuzimeve.

Në një studim përfundimtar, kërkuesit krijuan artikuj që e përshkruanin personalitetin si diçka që evoluonte me kalimin e kohës, sesa si diçka që ishte e paracaktuar. Kur hulumtuesit u kërkuan njerëzve me një pikëpamje fikse për personalitetin të lexonin këto artikuj, ata kishin më pak gjasa t’i interpretonin refuzimet si një indikacion i mangësive të tyre.

Duke inkurajuar besimin se personaliteti mund të ndryshojë dhe të zhvillohet me kalimin e kohës, ne mund të jemi në gjendje t’i ndihmojmë njerëzit të kapërcejnë historitë e dështuara të së shkuarës dhe të kërkojnë kënaqësi në marrëdhëniet e së ardhmes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat