Çiftet, drejt udhëtimeve surprizë për muaj mjalti misteriozë

Life style

Çiftet, drejt udhëtimeve surprizë për muaj mjalti misteriozë

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 16:13

Pasi dërgoi rreth 300 ftesa te të ftuarit e dasmës, e fundit gjë që Ouen Gadis donte të bënte, ishte të organizonte një muaj mjalti. Gadis punon në një agjenci udhëtimesh, ndaj planifikimi do t’i kushtonte vetëm një ditë pune.

Fatmirësisht, pas disa gotash verë në mbrëmje, Anslej Tomas, një mikeshë e gjimnazit dhe gjithashtu punonjëse në një agjenci udhëtimi, u ofrua të planifikojë muajin e mjaltit për çiftin. Ajo kërkoi vetëm një kusht: çifti nuk do ta zbulonte deri në ditën e dasmës se ku do të shkonte.

Gadis, gjithashtu disi i dehur, ra dakord. Ai i dha mikeshës disa udhëzime, si për shembull sa i gjatë donin të ishte udhëtimi dhe buxhetin që kishin në mendje, së bashku me një kërkesë: ata donin të shkonin në një plazh.

Pas tetë muajsh sekret, Anslej lajmëroi se ku do të shkonin Gadis dhe gruaja e tij, Çelsi. “Ishte plotësisht një surprizë”, thotë ai. “Dhe ishte bukur që miqtë dhe familja jonë e përjetoi këtë entuziazëm gjithashtu.”

Kështu, të sapomartuarit e gjetën veten dy ditë më vonë në një fluturim për në Stamboll, pasuar nga një udhëtim në Tanzani, përpara se të shkonin në Kenia dhe më pas në Dubai, e së fundmi në një resort detar në Oman.

Ky muaj mjalti i planifikuar pa dijeninë e çiftit ose siç quhet ndryshe “muaji misterioz”, është një trend i ri në udhëtime. Planifikimi i dasmës dhe muajit të mjaltit njëkohësisht, mund të jenë një detyrë shumë e vështirë dhe disa çifte e shohin muajin e mjaltit surprizë, si pjesë e aventurës për të cilën nuk lodhen aspak.

Serena Rener dhe Kevin Shnepel u martuan në mars në Sidnej të Australisë, ku dhe jetojnë. Megjithëse ceremonia ishte e vogël dhe thuajse e lehtë për t’u organizuar, ata iu drejtuan Trish Uajt, një mikeshe dhe agjente udhëtimi për të planifikuar muajin e tyre të mjaltit. Ajo kontrolloi buxhetin e tyre dhe kohën që donin të kalonin për pushime, dhe gjeti një destinacion.

Rener dhe Shnepel shkuan në aeroport dhe hapën zarfin për të gjetur në të bileta për në Singapor.

Mikesha kishte planifikuar vetëm udhëtimin dhe akomodimin për ditën e parë, ndaj çifti ndoqi më pas planin e vet për të vazhduar udhëtimin. Pas Singaporit, ata përfunduan në Malaka dhe në Xhorxh Taun në Malajzi, Bentam, Indonezi dhe pastaj në një ishull privat.

Rener, një gazetare që merret shpesh me artikuj udhëtimi, ndjeu lirinë që e ndien rrallë nëpër udhëtime.

“Ishte tamam si udhëtim”, thotë Rener. “Ne nuk kishim asnjë pritshmëri dhe nuk donim që unë të merrja kompjuterin e të shkruaja.”

Por nuk ishte gjithçka perfekte. Rener thotë se ajo e kuptoi se i pëlqente të kishte një lloj plani. Uajt gjithashtu i kishte rezervuar një dhomë pa dritare dhe me krevat marinari.

“Ishte një natë e parë martese shumë qesharake”, thotë Rener.

Gadis, nga ana tjetër, ka ndihmuar shumë njerëz të planifikojnë muaj mjalti thuajse surprizë, ku të paktën njëri nga partnerët e kishte surprizë.

Bashkëshorti i Tess Morris, Xhek Morris, planifikoi muajin e tyre të mjaltit dhe e befasoi atë. Ai kishte bërë të njëjtën gjë në pushimet e mëparshme, ndaj ajo i besoi atij muajin e tyre të mjaltit.

Dasmën e organizuan në ishullin Satelit në Tazmani, për shkak se Morris e kishte çuar partneren e tij në një udhëtim surprizë atje dhe ajo e kishte pëlqyer aq shumë vendin, saqë kishte vendosur të martoheshin atje. Muaji i tyre i mjaltit ishte një udhëtim 10-ditor në Sri Lanka dhe Maldive.

“Në vend që të planifikonim me kujdes çdo ditë dhe çdo hap, të shihnim nëpër internet dhomat dhe peizazhet, ne ndërmorëm një aventurë”, thotë bashkëshortja. “Mendoj se është kënaqësi për atë që e planifikon, por edhe për ne që marrim biletat në duar”, vazhdon ajo.

Gadis dhe Tomas, të dy mendojnë se ky mund të jetë një model i suksesshëm se si njerëzit mund të përjetojnë kënaqësinë e martesës së sapolidhur, por gjithashtu edhe njohjen e një vendi të ri. Mjafton një bashkëpunim i afërt me një agjent udhëtimi ose me një mik që e njeh çiftin, për ta bërë këtë detyrë.

Tomas, për shembull, mbajti shënim se ku kishin qenë ata më parë dhe foli me prindërit e çiftit.

“Njerëzit duan që të jetë perfekte dhe ushtrojnë aq shumë kontroll, saqë gjërat bëhen të vështira. Ata duhet të praktikojnë muajin misterioz të mjaltit, për të përjetuar kënaqësi të paimagjinueshme”, thotë dhëndri që provoi udhëtimin misterioz.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat