Pendesat që u ndodhin pothuajse të gjithë njerëzve

Life style

Pendesat që u ndodhin pothuajse të gjithë njerëzve

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 17:18

Kur kthejmë shikimin pas në jetën tonë, ka çaste kur urojmë që të kishim bërë diçka ndryshe. Këto janë disa nga temat për të cilat njerëzit pendohen më shpesh gjatë gjithë jetës.

Dashuria

“Pendohem që nuk rashë në dashuri me dikë që ishte i dashuruar pas meje, kur do të kishte qenë një gjë e lehtë për t’u bërë”. Dashuria është një nga rastet kryesore që i bën njerëzit të pendohen, për shkak se gjatë përjetimit të asaj ndjenje, njeriu vepron pa u menduar gjatë.

Fëmijët

“Për aq sa më kujtohet, kam dashur të kem fëmijë. Por në vitet e hershme mendova gabimisht se duhet të përqendrohesha plotësisht te karriera, sepse martesa dhe fëmijët ndodhin më vonë, por kjo nuk më ndodhi, kur shkova te të 30-tat pata një problem shëndetësor që më hoqi mundësinë të kisha fëmijë”. Vendimi për të lindur fëmijë, në fakt ndërmerret në një moshë të re, kur jo të gjithë njerëzit e dinë se ç’drejtim do t’u marrë jeta.

Prindërit

“Më vjen keq që nuk kalova më shumë kohë me prindërit e mi kur isha te të njëzetat. Më vonë, ime më u nda nga jeta dhe unë ndjeva humbjen e një mikeje që nuk e kisha pasur kurrë”.

Arsimimi

“Dëshiroj që t’i kisha ndjekur ëndrrat e mia kur isha në fund të adoleshencës dhe të mos kisha ndjekur arsimin që do të më siguronte një punë të mirëpaguar, por një punë që do të kombinonte pasionet, talentet dhe ëndrrat e mia”. Nuk është kurrë vonë të jesh i sinqertë me veten dhe të ndjekësh ëndrrat.

Karriera

“Pendohem që nuk kam pasur guximin të ndjek thirrjen time të brendshme. Duhet të kisha besuar më shumë tek aftësitë e mia dhe te mundësitë që kam pasur. Isha shumë i trembur për të ndërmarrë rreziqe, ndaj bëra veprime të sigurta që nuk më çuan gjëkundi përpara në karrierë.

Financa

“Nëse do të mund t’i flisja vetes sime në moshën 25-vjeçare, do të kisha dashur t’i thosha ‘mos u shqetëso kaq shumë për paratë, ndërmerr ca rreziqe, eksploro botën’”.

Të qenët prind

“Kam vetëm një pendim në jetë: koha e paktë që kam shpenzuar me fëmijët e mi kur ishin të vegjël. Koha ka kaluar shpejt dhe ndërsa atë nuk mund ta kthej pas, u them fëmijëve të mi që më vjen keq për zgjedhjen e gabuar që kam bërë dhe se nuk do ta përsëris më gabimin tim.

Shëndeti

“Rinia e çastit më ka bërë të harroj se si do të jetë jeta kur shëndeti të fillojë të marrë të tatëpjetën dhe kur çdo zgjedhje e gabuar e së shkuarës si duhani ose alkooli i tepërt, të më rëndojë mbi shpinë. Sot ndihem fajtor që nuk jam kujdesur edhe aq shumë për veten dhe të kisha shmangur gjërat e parëndësishme”.

Miqësia

“Sa do të doja të kisha ruajtur kontaktet me miqtë e mi!”. Kur jemi në një çast rrëmbimi, shpesh mund të mendojmë se koha ecën përpara dhe se është e nevojshme të lëmë pas disa miq. “Egoizmi i çastit më kushtoi shumë miq të mirë dhe në çaste të gabuara, mund të vendosim të anashkalojmë të tjerët”.

Bamirësia

“Ka pasur çaste kur kam zgjedhur të mos ndaloj për të ndihmuar një të panjohur që ka pasur nevojë, duke e justifikuar vendimin me faktin se isha vonë. Tani që e kthej kokën pas, shoh se gjërat mund të kishin shkuar ndryshe”.

Vetmia

“Kur isha i ri, isha shumë i kapardisur dhe mendoja se dija çdo gjë. Kisha shumë gjëra që më vinin në mendje dhe kështu i izolova nga të tjerët në vend që të kërkoja ndihmë nga njerëzit më me eksperiencë. Është më mirë të gjeni dikë që t’ju udhëheqë mendërisht, në vend që të mbylleni në vetvete”.

Udhëtimi

“I vetmi pendim që kam është fakti se nuk kam udhëtuar përpara se të mbushja 24 vjeç. Që atëherë, kam parë shumë vende të ndryshme të jetës, por kur isha 24 vjeç, pata formimin më të madh në jetë dhe do të doja që të kisha pak më shumë eksperiencë, besim dhe dituri në ato çaste”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat