Përse të rinjtë kudo në botë po hezitojnë të maturohen?

Life style

Përse të rinjtë kudo në botë po hezitojnë të maturohen?

Më: 22 nëntor 2015 Në ora: 22:06

“Kur martohesh në Egjipt ose në vende të tjera të rajonit, shtëpia jote është perfekte, ashtu siç do të jetë gjithnjë”, thotë Diane Singerman. “Ke erëza në kuzhinë, gota, mobilie, një makinë nëse je i pasur – dhe gjithçka është në rregull për ty.”
Në vitet 1990, Singerman, një politologe amerikane në Kajro, po studionte politikat familjare, kur zbuloi se shumë persona që ishin nën studim nga ajo, kishin një problem të përbashkët: si të paguanin për martesë.

Kostot shkojnë përtej pagesës për një dasmë të madhe. Në mënyrë që të kualifikoheshin si burra që ia vlenin, thotë Singerman, dhëndurët egjiptianë dhe familjet e tyre duhet të kursenin para për pajë ose bizhu për nusen.
Ata duhet të gjenin gjithashtu një vend ku të jetonin dhe ta mbushin atë me shumë gjëra të nevojshme për martesë. Fakti se shpenzimet e dasmës i tejkalonin dyfish shpenzimet vjetore të një familjeje mesatare në Egjipt dhe papunësia e lartë, e bënin dhe e bëjnë martesën një qëllim thuajse të pamundur.
Sipas studiueses, punonjësit e shtresës së varfër dhe baballarët e tyre duhet të punonin dhe të kursenin për më shumë se shtatë vjet që ta bënin këtë të mundur.
Jo vetëm një problem financiar, por edhe psikologjik, pasi seksi paramartesor në këtë vend mbetet një tabu dhe vetmia e një dekade pllakos shumë dhëndurë dhe nuse të ardhshme. Megjithatë, përtej shkaqeve ekonomike dhe romantike, të rinjtë egjiptianë jetojnë me familjen derisa të martohen dhe gjatë kësaj periudhe, ata nuk konsiderohen vërtet si të rritur, veçanërisht femrat.

Që nga bërja publike për herë të parë e këtij problemi në një raport në vitin 2007, duket se e njëjta gjë ndodh edhe nëpër botë. Në Itali, për shembull, të njohur me emrin “bamboccioni”, djemtë e moshës 20 – 30-vjeçare që jetojnë ende me prindërit, janë më se të zakonshëm.
Edhe Britania e Madhe nuk mbetet më mbrapa, pasi me mbarimin e universitetit, të rinjtë kthehen përsëri në shtëpi. Në Afrikën Perëndimore, një pjesë e madhe e të rinjve që nuk janë rregulluar në shtëpi më vete, nuk konsiderohen si të rritur nga të tjerët. E njëjta gjë mund të thuhet për të njëjtët persona në Japoni dhe SHBA.

Është e vërtetë se zyrtarisht me mbushjen e moshës 18 ose 21 vjeç, një person konsiderohet si i rritur dhe si një person tanimë i pjekur logjikisht, por në shumë vende është një fazë e jetës që nëse nuk finalizohet me një veprim prej të rrituri, atëherë personi nuk konsiderohet si i tillë.
Për Lindjen e Mesme, ky veprim është martesa. Në Europën Jugore është bërja prind. Në Europën Perëndimore është largimi nga shtëpia e prindërve.

Siguria financiare qëndron mbi të gjitha. Papunësia e lartë te të rinjtë bën që shumë persona të moshës së re të kenë probleme me zhvillimin e jetës së tyre që prej krizës financiare të vitit 2008.
Sipas Singerman, migrimi është një mënyrë kryesore sesi të rinjtë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore besojnë se do të mbledhin para për martesë. Sipas saj, Shteti Islamik po shfaq “sukses” te të rinjtë, sepse u ka premtuar atyre që luftojnë për grupin terrorist në Irak dhe Siri, gra. Përdhunimi sistematik i grave dhe vajzave në konflikte, është tashmë i ditur.
Një dilemë tjetër që mundon studiuesit e kësaj çështjeje, është fakti nëse të rinjtë po pengohen nga papunësia për të shkuar drejt jetës së të rriturit apo ata thjesht nuk duan të jetojnë jetët e mërzitshme të prindërve të tyre.

“Ekonomia është e rëndësishme, por kultura luan një rol thelbësor gjithashtu”, thotë Steven Mintz, një historian në Universitetin e Teksasit. “Në të shkuarën, njerëzit aspironin të bëheshin më të moshuar. Kultura dominante ishte kultura e një të rrituri që lidhej me sofistikimin dhe eksperiencën.
Sot, kjo është përmbysur. Kultura e të rinjve është idealja për momentin, njerëzit aspirojnë të jenë më të rinj, sepse të qenët i rritur nuk sjell asnjë emocion.”
“Askush nuk thotë më se jeta fillon te të 40-at tanimë, të paktën jo pa ironi.”
Sipas studiuesve, ndoshta ne po dëshmojmë shfaqjen e një faze të re zhvillimi, ku të rinjtë po vëzhgojnë mundësitë e tyre në tregun e punës në vend që të fillojnë një karrierë, ata kursejnë për udhëtime në vend të blerjes së një shtëpie dhe kanë disa parterë seksualë në vend që të martohen me një.

Ata nuk po kërkojnë të zbulojnë se ku e kanë vendin, por po zbulojnë veten dhe po presin që ky proces të ezaurohet përpara se të veprojnë.
Të rinjtë europianë sot po largohen herët nga shtëpia, sepse ata mund të kthehen sërish apo po bashkëjetojnë, por në fakt ata nuk po martohen.
Ka mënyra të ndryshme për ta interpretuar këtë gjë. Mund të duket se të rinjtë po mbjellin një kulturë paksa revolucionare, por të tjerë mund ta shohin këtë si përgjegjësi dhe kujdes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat