Dashuroni gjithnjë personin e gabuar? Faji, i evolucionit

Life style

Dashuroni gjithnjë personin e gabuar? Faji, i evolucionit

Më: 21 nëntor 2015 Në ora: 17:02

Orë të kaluara duke parë një telefon që nuk bie kurrë, grindje pa kuptim dhe ndryshime të papritura humori…të gjithëve, herët a vonë, u ndodh që të dashurohen me personin e gabuar, duke mbetur të “lidhur” pas një historie dashurie frustruese.

Dhe sa e sa herë e keni pyetur veten, ndoshta mes lotëve, se: “Si jam katandisur në këtë situatë?!”. Që nga sot, nuk duhet t’ia hidhni më fajin vetes: ajo që mund t’i japë një ndihmë ndërgjegjes suaj është një studim spanjoll, i publikuar në Evolution & Human Behavior, që e drejton gishtin nga evolucioni.

Sipas studimit, i firmosur nga një ekip ekspertësh të spitalit të Barcelonës, individët me tipare personaliteti “patologjike”, rezultojnë të jenë më tërheqës. Ata që fitojnë më shumë nga të gjithë janë meshkujt e shthurur dhe femrat me çrregullime emocionale.

“Zbulim i bukur – do të thoshit ju – tashmë e dimë!” Por, në fakt, ajo që kanë bërë shkencëtarët, shkon përtej kësaj, duke gjetur dhe duke zhbiruar në rrënjët biologjike dhe evolutive të këtyre historive të dëshpëruara të dashurisë.

Për ta bërë këtë, ata kanë vënë nën “lupë” një mijë meshkuj dhe femra heteroseksualë, çdokush me një personalitet kompleks, me tipare patologjike. Studiuesit kanë krahasuar gjendjen e shëndetit mendor të çdo individi, shoqëruar nga numri i partnerëve dhe fëmijëve që kanë pasur, me situatën social-ekonomike dhe pasurinë. Personat me më shumë partnerë rezultojnë të jenë ata të cilët konsiderohen nevrotikë dhe impulsivë.

Këto tipare nuk eliminohen nga seleksionimi natyral, por përkundrazi, kanë më shumë mundësi të riprodhohen, apo të transmetohen në gjenet e gjeneratës së ardhshme.

Nëse këta janë fitimtarë moralë në historitë afatshkurtra, për marrëdhëniet afatgjata, më shumë sukses kanë meshkujt obsesivë-kompulsivë (çrregullimi obsesiv–kompulsiv karakterizohet nga prezenca e mendimeve të qëndrueshme).

Por, e njëjta gjë nuk vlen për femrat: tipologjia femërore më e përshtatshme për këto marrëdhënie janë gratë nevrastenike pra ato nën ankth, të pasigurta dhe të paqëndrueshme.

Por, përse dëshironi ta kaloni jetën me një person psikologjikisht deviant (me prirje deviante, pra ndryshe nga norma)?

Sipas studiuesve, suksesi i nevrastenikëve qëndron në faktin se ai përkon më mirë me stereotipin që meshkujt kanë për femrat: këto partnere shihen si më femëroret. Për sa u përket “djemve të këqij”, femrat shohin tek ata guximin dhe pavarësinë.

Kjo i çon të mendojnë se kanë cilësi të nevojshme për të mbijetuar dhe për të mos vuajtur. Ndërsa personat obsesivë shihen si partnerët potencialë për një kohë të gjatë për besueshmërinë dhe sigurinë që inspirojnë.

Frika nga vetmia nuk është arsye për martesë

Disa njerëz, vështirë se e ndërpresin lidhjen, ndonëse janë të bindur se kanë harxhuar mjaft emocione, mundim dhe kohë, megjithatë shpresojnë se dashuria e tyre do të mbijetojë. Ndonëse brenda vetes e dinë se lidhja është e keqe, shumica nuk kanë guxim të mjaftueshëm të ballafaqohen me vetminë, e cila pason me divorc, kështu që pajtimi u duket si zgjidhje më e mirë. Lidhja me këdo, nuk është më e mirë se ajo e të qenët vetëm.

Mund të ndiheni i/e rezervuar edhe nëse jeni vetëm, por njësoj do të ndiheni, mbase edhe më keq, kur mund të jeni të lidhur me një person të gabuar. Nëse partnerët kanë fëmijë, marrëdhënia ndërlikohet më shumë. Fëmijët zakonisht bëhen argument për të qëndruar në martesë, ndërsa partnerët besojnë se dashuria ndaj fëmijëve do t’i afrojë. Ky qëndrim është plotësisht i gabuar! Rrezikut më të madh i nënshtrohen “optimistët e përhershëm”, të cilët mendojnë se me kalimin e kohës, do të kenë sukses që të ndryshojnë partnerin dhe t’i përshtaten. Natyrisht që edhe kjo është e gabuar!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat