Shkrim e këndim pas parashkollorit, në Finlandë funksionon perfekt

Life style

Shkrim e këndim pas parashkollorit, në Finlandë funksionon perfekt

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 20:32

Në SHBA fëmijëve u duhet të mësojnë qysh në kopsht të lexojnë, të kalojnë kohën gjithnjë e më shumë me aktivitete akademike sesa me lojëra. Kështu ndodh në shumë vende të botës dhe po kështu edhe në Shqipëri. Aktivitetet nisin me parashkollorët.

Të gjithë mendojmë se ky është një hap revolucionar, një shfrytëzim racional i kohës dhe injektim i mentalitetit që të lidh gjithnjë me dijen, me garën, me pasoja të vërtetuara për një proces që ndoshta nuk ka kurrë fund, pasi, siç thotë një fjalë e urtë, “Njeriu nxë deri në vdekje”.

Por çuditërisht ndryshe ndodh në Finlandë. Në vendin skandinav, që lakohet si vendi me standardet më të larta të mësimdhënies e shkollimit në botë, fëmijët në fillim të karrierës së tyre arsimore përqendrohen fort te lojërat e vetëm më pas, te shkrimi e leximi, duke arritur megjithatë rezultate të shkëlqyera në këtë drejtim.

Mësuesi dhe autori i teksteve shkollore, Tim Walker, nga kryeqyteti finlandez, Helsinki, tregon në një tekst në “The Atlantic”, se sistemi finlandez pikësëpari përqendrohet te mësimi në formën e lojërave, si arti dhe puna e dorës, të cilat aplikohen në vend të mësimit, që zakonisht në çdo vend tjetër, i detyron shpesh fëmijët të ulen në një skrivani, për të shkruar e lexuar.

Të shesësh akullore e të mësosh të llogarisësh

Një shembull nga Walker: Fëmijët luajnë shitësin e akulloreve dhe mësojnë të bëjnë llogari, duke u përpjekur të japin çmimin për kupat që mbushin me akullore dhe të kthejnë mbrapsht kusurin.

“Të luash është një metodë eficiente për fëmijët”, thotë Arja-Sisko Holappa nga administrata shtetërore për arsimin për Walker. “Dhe ne mund ta shfrytëzojmë këtë, që fëmijët të mësojnë me gëzim.” Në këtë përfundim vijnë gjithnjë e më shumë kërkues e studiues shkencorë të fushës së arsimit. Ata madje mendojnë se mësimi që vë në shfrytëzim pak metoda praktike, i vendos fëmijët e vegjël nën stres e presion dhe pengon zhvillimin me sukses të procesit mësimor në tërësi.

Të mësosh të lexosh më vonë, s’do të thotë të lexosh keq

Që fëmijët në fillim të sezonit të tyre shkollor luajnë edhe më shumë, duket se nuk ndikon në aftësinë e tyre të mëvonshme për të lexuar. Sipas një analize të Universitetit të Stanfordit, Finlanda është njëra ndër shoqëritë me nivelin më të lartë të arsimit në botë. 94 për qind e nxënësve që nisin gjimnazin, e mbyllin atë me sukses.

Në testin e famshëm ndërkombëtar të njohur si “Studimi i Pizës”, sikurse dhe në renditjet e tjera ndërkombëtare të notave përfundimtare, sistemi arsimor i Finlandës zë vendin e pestë ndër më të mirët në rang botëror.

Vëmendje e veçantë për çdo fëmijë

Kjo nuk do të thotë se leximi është hequr nga sistemi parashkollor në Finlandë. Mësuesit dhe punonjësit e edukimit të brezit të ri, mund të mësojnë të lexojnë fëmijët që kanë nën përkujdesje, nëse ata vlerësojnë se duhet bërë, dhe kanë folur më parë me prindërit e secilit fëmijë me vete, por edhe pas përpunimit të një plani paraprak.

Walker dëshmon se në Finlandë ka disa specifika që lidhen me atë vend dhe mund ta bënin të vështirë që ky sukses në arsim të përsëritej gjetkë – duke futur këtu pikësëpari pikërisht përqindjet shumë të ulëta në nivel global të varfërisë ndër fëmijët.

Kjo mund të jetë një pengesë për arritjen e suksesit finlandez në vende e rajone të tjera, por jo një nga ato që nuk mund të tejkalohen.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat