Gjashtë ankesat e meshkujve në terapinë në çift

Life style

Gjashtë ankesat e meshkujve në terapinë në çift

Më: 11 tetor 2015 Në ora: 16:36

Ndonëse seancat e këshillimit martesor nxiten shumë herë nga bashkëshortet, janë edhe burrat ata që kanë ankesat e tyre përballë partnereve. Tre psikoterapistë që punojnë me çiftet, zbulojnë më poshtë problemet më të mëdha që burrat thonë se kanë hasur në martesat e tyre.

Gruaja ime pret që t’i lexoj mendjen
Burrat flasin shumë rreth faktit se sa e padrejtë është që prej tyre pritet të dinë saktësisht se çfarë kanë në kokë gratë, si ndihen ato apo çfarë mendojnë, thotë Marcia Naomi Berger, një psikoterapiste dhe autore e librave për këtë tematikë. Pastaj, kur bashkëshorti e keqkupton situatën, gratë mendojnë se ai është disi jo i përshtatshëm.

“Është shumë e padrejtë që gratë mendojnë se partneri duhet ta dijë si ndihen dhe çfarë duan dhe se ato nuk duhet t’ia tregojnë vetë atij se çfarë po kalojnë në atë moment”, thotë Berger. “Gratë duhet të jenë të drejtpërdrejta ndaj burrave dhe të inkurajojnë bashkëshortin, duke e lënë të futet në mendjen e tyre. Më pas është në dorën e tij se si do të reagojë.”

Zënkat natën vonë po dalin nga kontrolli
Ai është gati të flejë gjumë … dhe pastaj bashkëshortja e tij kthehet nga ai dhe i zbraz të gjitha problemet e shtëpisë apo marrëdhënies, të cilat, sipas saj, duhen zgjidhur menjëherë. Gjumi largohet. Mund të duket si një problem i vogël, por shumë burra në dhomat e konsultimit e kanë këtë një ankesë të përhershme.

Shpesh, nga pikëpamja femërore, një problem mund të duket shumë i rëndësishëm për t’u zgjidhur, aq sa atë mund të mos e zërë gjumi derisa gjërat të jenë diskutuar. Por për shumë burra, kjo është gjëja e fundit për të cilën duan të flasin. Ata ndihen të rraskapitur dhe duan të flenë. Për të shmangur net si këto, këshilluesit e martesave ju sugjerojnë që të përqendroheni te problemet familjare pas pune apo pas ngrënies së darkës, kështu do të merrni vëmendje të plotë.

Ajo nuk më vlerëson
Kur flasin me një burrë që ka tradhtuar, specialistët e martesave thonë se ankesa më e madhe është jo mungesa e kënaqësisë në jetën seksuale, por ndjesia e të qenët i nënvlerësuar nga gratë. Problemi është se shumë gra mendojnë se nëse e mbivlerësojnë burrin, ai do të ketë më pak dëshirë për të qenë me të. Por, në fakt, është e kundërta. Burrat janë më energjikë, kur gratë e tyre i vlerësojnë.

Ajo nuk më mbështet kur qortoj fëmijët

Për të qenë një skuadër e dobishme në jetën familjare dhe kudo, duhet t’i dilni krah njëri-tjetrit. Disiplinimi i fëmijëve është një çështje shumë e rëndësishme. Një numër i madh burrash ankohen se kur ata u flasin ashpër fëmijëve, partnerja e tyre nuk i mbështet. Kjo gjë, jo vetëm që i bën ata të ndihen në anën e gabuar, por edhe keq përpara fëmijëve. E mira është që çifti të shmangë deklaratat e kundërta përpara fëmijës, duke i diskutuar më parë sanksionet. Mos e lini bashkëshortin të dalë i vetëm në anën qortuese.

Ajo nuk është e interesuar për seks
Seksi mund të mos jetë aq pasionant sa dikur, por shumica e çifteve kanë nevojë ende ta kenë prioritet. Burrat shpesh ankohen se po fillojnë të ndihen si shokë dhome, në vend të bashkëshortëve. Gratë e tyre nuk duken më të interesuara për seks. Ankesa më e madhe është aspekti i intimitetit, fakti që burrat ndiejnë se gratë e tyre nuk ndihen mjaftueshëm të afërta me ta.

Zgjidhja e këtij problemi nuk mund të jetë vetëm mbi shpatullat e grave, por edhe në krijimin e një atmosfere tërheqëse që burrat duhet të krijojnë karshi bashkëshorteve të tyre edhe jashtë dhomës së gjumit.

Kërkimet tregojnë se burrat që i ndajnë punët e shtëpisë dhe detyrimet ndaj fëmijëve, kryejnë më tepër marrëdhënie seksuale me gratë e tyre.

Martesa jonë nuk është më përparësi për të
Në seancat e terapisë, burrat tregojnë se në një pikë të jetës së tyre bashkëshortore, ndiejnë se martesa e tyre është vetëm një ndër shumë angazhimet e bashkëshortes. Ajo ka fëmijët, një karrierë, dalje me shoqet e aktivitete të tilla. Për të rindërtuar ndjesinë e partneritetit, specialistët këshillojnë që të dilni si çift të paktën një herë në javë.

Çiftet duhet të marrin kohën e duhur për t’u qetësuar dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin nën një atmosferë më të përshtatshme. Përpara përgjegjësive martesore, ata ishin dy njerëz që ranë në dashuri me njëri-tjetrin dhe që kërkuan të ndërtojnë një jetë të përbashkët.

Takimet romantike të bashkëshortëve janë një mënyrë shumë e mirë për të shtuar intimitetin dhe për të rilidhur dy njerëz tepër të ngarkuar nga me përgjegjësi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat