Mite të gabuara mbi lidhjen

Life style

Mite të gabuara mbi lidhjen

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 20:39

Të mbash një martesë apo lidhje të gjallë është mision i vështirë, pa i shtuar disa “rregulla” apo të “vërteta” nga revistat, apo njerëz që iu rrethojnë. Duke patur këtë parasysh, “Huffington Post” kërkoi mendimin e ekspertëve, që të ndanin disa mite mbi lidhjet që janë absurde dhe që rrezikojnë të dëmtojnë seriozisht marrëdhënien mes çiftit.

Mos shkoni për të fjetur me nerva /Problemi kryesor me këtë këshillë ka të bëjë me faktin se, nëse problemet nuk fliten, nuk ka diskutim, nuk ka zgjidhje të problemit. Ajo që do të përfitoni është një marrëdhënie e ndrydhur. Sipas Amanda Deverick, terapiste për martesa, kur gjërat thuhen hapur dhe flitet për problemet mes çiftit, kjo bën që marrëdhënia të forcohet. Nëse jeni me nerva, por skeni fuqi të diskutoni më, shtrihuni, pasi kur të zgjoheni mund të jeni edhe më të freskët për të diskutuar më shtruar.

Sipas ekspertes, nëse i qëndroni besnik mitit për të mos fjetur kur jeni me nerva, mund të çojë në një zënkë edhe më të egër dhe të ulë aftësinë e çiftit për të zgjidhur problemet, sidomos në ato marrëdhënie ku njëri është ai që nuk heq dorë dhe tjetri dorëzohet shpejt. Me pak fjalë, personi që ka tendencën për të hequr dorë do të mbushet shumë emocionalisht dhe është më mirë që të shkojë për të fjetur. Një partner i tillë ka nevojë për kohë dhe distancë që të qetësohet për të rinisur diskutimin.

Martesa i ndryshon njerëzit /Nëse nuk iu pëlqen mënyra sesi ai përballon të ëmën apo sa shpejt nevrikoset ajo, këto gjëra nuk do të ndryshojnë pas martese. Shihni faktet: Martesa nuk do të bëjë mrekulli dhe të ndryshojë parterin tuaj. Sipas ekspertes Jennifer Gauvian, e vërteta e hidhur është se, pjesa më e madhe e njerëzve nuk do të ndryshojnë sepse ju doni. Nëse jeni në një lidhje me dikë që ka temperament të rrëmbyer, thotë ekspertja, kjo nuk do të ndryshojë vetëm sepse i vendosët një unazë në gisht. Ajo që shihni është ajo që do të merrni.

Dashuria shëron gjithçka /Padyshim që bashkëshorti/ja luan një rol të madh në shërimin e plagëve të vjetra, por dashuria e tyre nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet tuaja, shprehet Psikoterapisti Abby Rodman. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në faktin se, zakonisht zgjedhim partner që ka të njëjtën tendencë. Gjëja më e mirë që mund të bëni është që t’i pranoni problemet tuaja dhe t’i kërkoni atij që keni në krah të bëjë të njëjtën gjë. Një moment që jeni të ndërgjegjshëm se çfarë plagësh keni dhe çfarë i bën të zgjohen, mund t’i përballoni në mënyrë shumë më të shëndetshme.

Rolet në familje ndahen në bazë të gjinisë /Vetëm sepse ai është mashkull nuk do të thotë se është më i prirur të punojë në kopsht apo të merret me financat dhe të mos kujdeset për fëmijën. Miti i rolit sipas gjinisë është i rrezikshëm sepse kushtëzon individët dhe çiftin. Disa meshkuj janë prindër të lindur, thotë ekspertja Amanda Deverich, apo më të mirë në gatim se gruaja. Disa femra janë më të zonja për të fituar dhe menaxhuar paratë, apo të rregullojnë gjëra nëpër shtëpi. Ti caktosh rolet në bazë të gjinisë mund ta çojë një çift drejt frustrimit apo dështimit.

Kur keni qëndruar bashkë për një kohë të gjatë, martesa është hapi tjetër i logjikshëm /Të martohesh me dikë vetëm sepse keni investuar kaq shumë kohë është receta për katastrofë, thotë Jennifer Gauvain. Sipas saj shumë prej çifteve, për hir të këtij miti vijojnë të qëndrojnë në lidhje, ndërkohë që gjërat duhet të kishin marrë fund shumë kohë përpara se të shkonin drejt altarit.

Asnjë martesë nuk i mbijeton dot tradhëtisë /Janë të shumta ata që besojnë se një lidhje e gjatë apo një martesë nuk i mbijeton dot një tradhëtie, pasi ‘nëse e bën një herë do ta bëjë gjithmonë’. Por terapistja e martesave Deverich e kundërshton këtë. Miti “nuk do ta falja kurrë një tradhëti”, thuhet nga ata që nuk e kanë kaluar kurrë një eksperiencë të tillë dhe nga ata që kanë turp të flasin pasi i kanë mbijetuar, thotë Deverich. Sipas saj, të kapesh pas një miti është helmuese. Falja dhe rimëkëmbja e një marrëdhënieje është një proces i gjatë dhe i vështirë, por mund ta bëjë edhe më të fortë martesë. E vërteta është se shumë çifte i mbijetojnë tradhëtisë dhe ndonjëherë përmirësojnë martesën e tyre.

Partneri duhet ta dijë se çfarë doni dhe sesi ndiheni /“Bashkëshorti/ja juaj nuk lexon mendjen”, thotë Rodman. “Kur punoj me çiftet e shoh shpesh këtë tendencë. Partneri 1 prentendon se e di shumë mirë se çfarë po mendon tjetri dhe sesi ndihet për një situatë apo person të caktuar, për pasojë mërzitet dhe nevrikohet kur Partneri 2 i përgjigjet ndryshe situatës, në një mënyrë që bie në kundërshtim me atë që partneri tjetër prentendon se e di”, shprehet psikoterapistja. Sipas saj, gjithçka mund të zgjidhet fare lehtë nëse komunikoni në mënyrë efikase. Mos pretendoni se partneri juaj do ta dijë si ndiheni telepatikisht.

Lidhja juaj nuk mund të dështojë sepse jeni të martuar /Mos bini pre e ndjenjës false të sigurisë vetëm sepse keni vënë një unazë në gisht, thotë Rodman. Të gjitha lidhjet janë të brishta dhe kanë nevojë për përkujdesje. Sipas Rodman, martesa ka nevojë për vëmendje, kohë, përkushtim dhe fokus: “Trajtoje atë mirë, ose dikush do t’a bëjë në vendin tënd”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat