T’i shpërfillni emocionet? S’ka për të funksionuar

Life style

T’i shpërfillni emocionet? S’ka për të funksionuar

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 15:57


Nëse i shpërfillni emocionet, s’do të ndiheni aspak më mirë. “Ju mund të përpiqeni t’i shpërfillni, por ato janë gjithnjë të pranishme”, shpjegon Daniel Shapiro te “Përtej arsyes”.

Ja disa nga arsyet pse duhet të ndiheni të vetëdijshëm për rëndësinë dhe ndikimin e emocioneve mbi trupin, mendjen dhe sjelljen tuaj.

Emocionet ndikojnë në trupin tuaj. Emocionet mund të kenë ndikim të menjëhershëm te ju duke ju bërë të djersitni, skuqeni, qeshni ose të ndieni një boshllëk në stomak. Pasi ndieni një emocion, ju mund të përpiqeni ta kontrolloni shprehjen e tij. Mund të përmbani një buzëqeshje gëzimi ose një thirrje dëshpërimi; gjithsesi trupi juaj përjeton ndryshime.

Edhe ndrydhja e një emocioni ka një çmim. Një emocion i ndrydhur vazhdon të ndikojë në trupin tuaj. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një emocion pozitiv ose negativ, stresi i brendshëm mund t’ju shpërqendrojë.

Përpjekjet për ta ndrydhur atë emocion mund t’ju pengojnë të përqendroheni në çështje të ndërsjella.

Emocionet ndikojnë në mendimet tuaja. Kur ndiheni të zhgënjyer ose të zemëruar, koka ju mbushet me mendime negative. Mund të kritikoni veten ose fajësoni të tjerët. Mendimet negative zënë në trurin tuaj vendin që mund të përdorej për mësimet, mendimet ose kujtesën.

Në fakt, disa individë mbërthehen kaq shumë nga emocionet dhe mendimet negative, saqë s’arrijnë ta dëgjojnë palën tjetër kur bën një koncesion të rëndësishëm.

Në të kundërt, kur përfshiheni nga emocione pozitive, mendimet kryesisht përqendrohen në atë që është më e mira për ju, të tjerët dhe idetë tuaja. Sa më pak ankth të mbartni, aq më i hapur, krijues dhe praktik është procesi juaj i të menduarit.

Në këtë mënyrë, keni më pak mundësi të drejtoheni nga shpirti i kundërshtimit; madje ju ndihmon të sillni ide origjinale për trajtimin e çështjes.

Emocionet ndikojnë në sjelljen tuaj. Pothuaj çdo emocion që provoni, ju nxit të veproni. Nëse jeni i gëzuar, mund të ndieni një impuls fizik për të përqafuar idetë e palës tjetër. Në të kundërt, nëse jeni i zemëruar, mund të doni t’i hidhni poshtë ato.

Zakonisht, mund të përmbaheni para se të bëni një veprim për të cilin mund të pendoheni më vonë. Gjithsesi, kur ndieni një emocion të fortë, mendimi i matur ngec pas. Pra, mund të ndiheni të pafuqishëm përballë emocionit tuaj.

Në çaste të tilla, aftësia juaj për të kontrolluar mendimet ose për të reflektuar mbi veprime të mundshme kufizohet shumë. Mund ta gjeni veten duke bërë ose thënë gjëra për të cilat mund të pendoheni më vonë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat