Të jetuarit më mirë, pesë hapat drejt ndryshimit

Life style

Të jetuarit më mirë, pesë hapat drejt ndryshimit

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 18:41

Jeni në një pikë të jetës suaj ku po kërkoni përgjigjen e pyetjes se si të jetoni më mirë dhe të arrini aty ku dëshironi? Këshillat e mëposhtme, të sjella nga “Huffington Post”, vlejnë për ju!

Përdorni fjalë të reja

Filloni të shpreheni me terma të ndryshëm. Nuk do të bëheni një person ndryshe nga se jeni, thjesht po kërkoni anë të tjera tuajat: po zhvilloheni, kështu që mendoni për këtë evolucion jo me furinë e të ndryshuarit, por me butësinë e transformimit. Në jetë, gjithçka evoluon drejt gjendjeve të reja: hapi i parë është të dëgjoheni. Cilat fjalë zgjidhni për veten? Hiqni nga fjalori fjalën dorëheqje, lodhje, e zënë, papunësi, rraskapitur. Nëse ju duket banale, duhet të dini se ky është hapi i parë për t’u ndier menjëherë të çlirët. “Lumi” i mendimeve negative do të ndalet papritur.

Fuqia e të përqendruarit

Është momenti të ndaloni dhe të pyesni veten se çfarë doni në të vërtetë. Ju mjaftojnë vetëm 15 minuta. Tendosuni në poltron dhe imagjinoni një kartolinë: fotografinë tuaj të lumtur pas tre vjetësh. Më pas i thoni vetes se çfarë doni, kush është me ju, çfarë po bëni. Pothuajse gjithmonë është një gënjeshtër solemne të besuarit se “nuk di se çfarë dua”!

Ju mjafton një moment për të ditur se çfarë ju bën të lumtur, por problemi është se shpesh parapëlqeni ta injoroni për të mos ndryshuar të tashmen. Imagjinoni se kjo kartolinë ju është dhuruar nga vetja në një moshë pak më të madhe e më të rritur! Gjatë ditës rikthejuni këtij imazhi mendor: do t’ju ndihmojë të fokusoheni vërtet me qartësi dhe ndershmëri në atë që synoni. Sipas kërkimeve mjekësore, imagjinimi i një transformimi, ndikon në realizimin e tij: nga një eksperiment i kryer te disa persona obezë, është vërejtur se ata të cilët e imagjinonin veten më të dobët, kishin tendencë të humbnin peshë më shpejt.

Mos besoni të pamundurën

Çfarë mendoni vërtet në thellësi të vetes, aty ku askush nuk mund të arrijë, përveçse zërit të ndërgjegjes suaj? Duhet të dini se, nëse mendoni se diçka është e pamundur, atëherë ashtu do të jetë dhe e kundërta. Vetësabotimi ekziston, por nuk është siç të gjithë e mendojmë: ekzistojnë me mijëra vetë, të cilët thonë se dëshirojnë të kenë një bashkëshort/bashkëshorte të dashur, një bar në Karaibe, duan të dobësohen apo të shëndoshen, të diplomohen etj. A keni reflektuar ndonjëherë mbi sjelljet e çdo dite? Nëse jo, mundohuni ta bëni e më pas do të kuptoni se mendimet (cilat do qofshin ato) kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Duhet të besoni më shumë te vetja dhe vazhdimisht. Mos e gënjeni asnjëherë veten.

Rëndësia e disiplinës

Pasi të bëheni të ndërgjegjshëm se cilat janë nevojat tuaja reale, do të gjeni edhe rrugën për t’i realizuar ato, për të thyer barrierat, për të shmangur mendimet negative e për të gjetur forcën e brendshme. Tashmë është momenti të impenjoheni vërtet. Marrja e rezultateve kërkon edhe sakrifica: mos u besoni atyre që thonë të kundërtën. Mos kini frikë asnjëherë nga vetmia. Te vetja do t’i gjeni me siguri instrumentet e nevojshme për të kaluar një periudhë të caktuar. Pasi ta bëni, do të ndiheni edhe më të fortë dhe krenar për veten.

Jeni të sjellshëm

Mos u bëni mendjemëdhenj, mos kërkoni t’ju realizohen dëshirat të cilat nuk ju përkasin në të vërtetë, mos u sforconi të bëni atë që nuk ju përfaqëson dhe mbi të gjitha, që nuk ju bën të lumtur. Tregohuni të sjellshëm ndaj të tjerëve, qeshni me tentativat dhe me gabimet tuaja, mësoni të gëzoheni me rezultatet. Jepini hapësirë vetes: fytyra që shihni çdo mëngjes në pasqyrë, është një njeri që ka dëshirë të qeshë, të ndihet i rëndësishëm dhe të shijojë gjërat e bukura.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat