9 hapa si të vendosni për karrierën tuaj

Life style

9 hapa si të vendosni për karrierën tuaj

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 08:47

Të zgjedhësh një degë studimi me të cilën përshtaten prirjet tuaja.

Merrni kohën e duhur për të kuptuar çfarë doni dhe përllogarisni aftësitë tuaja në lidhje me atë që do të bëni, kjo do të kërkojë pak punë, por është më mirë për ju

Të vendosësh për karrierën mund t’ju duket e frikshme, por ajo bëhet më e lehtë kur i jepni vetes shumë opsione dhe kohën e duhur. Dilema kryesore është midis prirjeve dhe aftësive tuaja, gjithsesi sfida ngelet në ndryshimin e prirjeve tuaja në përputhje me aftësitë. Prandaj prindërit duhet të identifikojnë prirjet e fëmijëve të tyre dhe të inkurajojnë zhvillimin e aftësive të caktuara. Opsioni më i mirë është që kjo të ndodhë sa më herët dhe të mos pritet deri në fund të shkollimit. Edhe pse ideja e “një pune për jetën” i përket së shkuarës, fusha ku do të punoni është shumë e rëndësishme, pasi do të shpenzoni një pjesë të kohës duke përdorur aftësitë tuaja. Pra, zgjidhni një punë ku të përdorni lirisht talentin tuaj, të zhvilloni aftësitë dhe vlerat.

Hapi 1

Udhëhiquni nga ideja se çfarë ju pëlqen të bëni. Shumë njerëz shohin të tjerët për të vendosur mbi karrierën e tyre; si mësuesit, prindërit, fqinjët, të afërmit. Mendoni për punë që bëjnë njerëzit që ju respektoni. Merrni kohën e duhur për të kuptuar çfarë doni dhe përllogarisni aftësitë tuaja në lidhje me atë që do të bëni, kjo do të kërkojë pak punë, por është më mirë për ju.

Hapi 2

Identifikoni sa aftësi keni kur bëni gjërat që ju pëlqejnë. Ky do të jetë një indikacion i vlefshëm për të ardhmen e karrierës suaj. Për shembull, nëse ju pëlqen të merreni/kujdeseni për kafshët mund të jetë tregues që në të ardhmen mund të jeni një veteriner, mbrojtës i të drejtave të kafshëve, stilist për veshjet e kafshëve, transportues kafshësh etj. Pra, pasi të keni identifikuar një fushë potenciale, jeni gati të matni aftësitë tuaja.

Hapi 3

Mendoni gjerësisht për punën që do të bëni, një profesion i caktuar nuk është një punë e vetme. Duhet të konsideroni faktin që mund të mbani detyra të caktuara brenda fushës suaj. Për shembull, nëse studioni inxhinieri, ju mund të jeni inxhinier sajti, menaxher zyre, konsulent, trajnues etj. E njëjta gjë nëse studioni drejtësi, ju mund të punoni si një menaxher zyre, përfaqësues ligjor i një kompanie, mund të punoni në një organizatë jofitimprurëse etj. Fusha ku do të zhvilloni karrierën do të varet nga shkollimi, aftësitë personale, gatishmëria juaj, dëshira për të provuar gjëra të reja dhe për t’u informuar/trajnuar në vazhdimësi.

Hapi 4

Konsideroni nënndarjet e fushës ku do të fokusoheni duke rakorduar studimin tuaj me atë që do t’ju pëlqente të bënit. Për shembull, shumë mësues kanë aftësi gjuhësore dhe janë botues ose redaktorë të shkëlqyer.

Hapi 5

Zgjeroni sa më shumë njohuritë rreth kualifikimeve që kërkon fusha ku interesoheni, nëpërmjet internetit, librarive, internetit, kontakteve personale, në shkolla, shërbimet universitare, asistencën e këshillimit të karrierës etj. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni në ç’fushë doni të studioni dhe të mos përballeni më surpriza të këqija, ku interesat dhe aftësitë tuaja të mos përputhen.

Hapi 6

Takoni njerëz që punojnë në fushën për të cilën interesoheni dhe flisni me ata, me qëllim që të dëgjoni sugjerimet e tyre si dhe të pyesni çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në lidhje me këtë punë. Ndonjëherë, kjo gjë mund t’ju krijojë juve një mundësi për t’u përfshirë në një eksperiencë pune gjatë kontaktit me këta persona.

Hapi 7

Vlerësoni zgjedhjen tuaj sipas perceptimeve dhe informacionit që keni mbledhur. Vlerësoni gjithashtu komentet që keni marrë dhe krahasojini me kërkimet tuaja dhe atë që doni të bëni në të ardhmen, pra karrierën tuaj. Tashmë është koha të vendosni për karrierën tuaj. Mos harroni të konsideroni mënyrën tuaj të jetesës për të kombinuar karrierën, mënyrën e jetesës dhe kompromiset e vogla dhe të mëdha që do t’ju duhet të bëni gjatë jetës suaj.

Hapi 8

Zgjidhja më e mirë është të regjistroheni në një trajnim për këshillim karriere. Gjatë studimit ju mund të përfitoni të punoni si vullnetar në fushën që aspironi. Do të njiheni me njerëz që punojnë në këtë fushë dhe kjo do t’ju ndihmojë për të filtruar interesat tuaja dhe do të zgjerojë horizontet.

Hapi 9

Qëndroni pozitiv. Kur të jeni në fund të trajnimit mbi këshillimin e karrierës, gjëja më e rëndësishme është ta shikoni jetën me pozitivitet dhe të jeni të gatshëm për ndryshime. Pra, të fitoni oportunitetin për të përballuar sfidat. Sidoqoftë, “mbani fort” atë që është unike te ju, pasi punëdhënësit kërkojnë gjithmonë atë që është më i aftë dhe më i arsimuar për punën që do të bëjë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat