Ivana Vojtekova, sllovakja që bëhet nuse Mati (Foto)

Life style

Ivana Vojtekova, sllovakja që bëhet nuse Mati (Foto)

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 07:33

Ivana, një vajzë e bukur dhe punëtore, sapo ka mbushur të tetëmbëdhjetat, ka lënë qytetin e Bardejovit në Sllovaki dhe ka emigruar në Londër.

Pasi u konsultova me prindërit dhe motrën, vendosa të emigroj jashtë vendit. Udhëtova drejt Londrës. Anglishten e flisja mirë. Trokisja kudo për punë. Një ditë trokita dhe në lokalin që menaxhonte Indriti. Më bëri përshtypje sjellja e tij, kujdesi i treguar për mua”, rrëfen takimin e parë Ivana Vojtekova me djalin nga Klosi i Matit, që më pas do të bëhej bashkëshorti i saj. Vitet rrjedhin e ata dashurohen.

Lidhjen mes tyre Ivana dhe Indriti ua bëjnë të njohur familjarëve, në Bardejov e në Klos. Një vit më parë, Ivana Vojtekova ishte për vizitë në qytetin e Klosit. U mahnit me bukuritë e natyrës së kësaj treve. Interesohej për gjithçka, muzikën, kulturën, traditat, ushqimin. Shumë shpejt mësoi vallet shqiptare. “Do të mësoj vallet e vendit tuaj, pasi vitin tjetër unë dhe Indriti do të martohemi”, dha lajmin e para Ivana.

E interesuar për dasmat shqiptare ajo premtoi se një “delegacion” nga Shqipëria do të udhëtojë drejt Bardejovit, për të gëzuar në dasmën e saj. Dhe ashtu ndodhi. Tetë të afërm të Indritit udhëtojnë drejt Sllovakisë, me ftesë të Ivanës. Sapo mbërritëm në qytetin e freskët të Bardejovit, na presin bujarisht prindërit dhe të afërmit e Ivana Vojtekovës. Emocionet më të mëdha për krushqit nga Shqipëria do të ishin ato të ceremonisë martesore që do të mbahej në kishën Egidia të Bardejovit. Të ftuar nga Anglia, Irlanda, Pakistani, Afganistani, Shqipëria, Sllovakia ishin të pranishëm në betimin e Ivana Vojtekovës dhe Indrit Balës.

Ne shqiptarët u bëmë më krenarë kur prifti përmendi gjatë ceremonisë Shqipërinë. Kjo ishte një gjë e bukur dhe mbresëlënëse. Kuptohet më të lumturit nga të gjithë ishin Ivana dhe Indriti. Të qeshur dhe plot bukuri gjatë përbetimit të tyre për besnikëri. Menjëherë pas ceremonisë, shtrëngim duarsh, buzëqeshje dhe urime për mbarësi, fat e lumturi për çiftin Ivana e Indrit Bala. Një foto për dasmorët në sheshin para bazilikës sv. Egidia. Pastaj vargut të dasmorëve i paraprin orkestra tradicionale.

Në dasmë gjetëm traditat e vendit tonë. Ndër më të vlerësuarit do të ishim ne, krushqit nga Shqipëria. Ishim në qendër të kujdesit të familjes Vojtekova dhe të afërmve të tyre. Në çelje të dasmës kumbara e Ivanës do të falënderonte të gjithë të pranishmit, sidomos ata që kishin ardhur nga vende të tjera të botës. Sapo nis muzika, të gjithë në hare. Pjesë e valleve tradicionale të Sllovakisë bëhen dhe shqiptarët.

Gëzimi shtohet akoma më shumë. Gëzonin sllovakët që shqiptarët dhe të ftuarit bëheshin pjesë e valleve të krahinës, gëzonin dhe të ftuarit që po mësonin një gjë të re. Temperatura rritet kur orkestra njofton se do të kërcehen valle shqiptare. Sapo ajo nis, vargu i sllovakëve dhe i mysafirëve të tjerë rritet. Ivana në krye të valleve që kishte mësuar në Klos dhe pastaj të tjerët. Katër-pesë valle do të mjaftonin që dasmorët të kënaqeshin dhe të ambientoheshin me muzikën e bukur shqiptare.

Përjetimi më i bukur ishte atëherë kur Ivana nëpërmjet një riti tradicional sllovak do t’i jepte fund beqarisë dhe do të konsiderohej grua. Ansambli i zonës, i veshur mjaft bukur me kostumet tradicionale, do të sillte Ivanën në mesin e dasmorëve me vellon e saj që shkëlqente.

Njëri nga pjesëtarët e ansamblit i heq nuses fjongon që mbante në kokë dhe më pas ajo vishet me kostumin tradicional të Bardejovit. 12 orë zgjati dasma e çiftit Bala. Dy të rinj, nga vende të ndryshme të Europës, bashkohen për të forcuar edhe lidhjet mes popujve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat