Këshilla për të rritur fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm

Life style

Këshilla për të rritur fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 16:48

Nëse kërkoni në Google “si të jem një prind më i mirë” do t’ju shfaqen përpara 519,000 rezultate. Nëse kërkoni tituj librash për prindërit dhe rritjen e fëmijëve në Amazon do t’ju shfaqen 1979 tituj të rinj. Libra të cilët janë publikuar në 30 ditët e fundit!

Është e qartë se kur vjen puna për të qenë një prind efikas, ka shumë informacion që qarkullon.

Nuk është çudi përse shumë prindër ndihen konfuzë rreth mënyrës se si të vendosin rregullat, si të aplikojnë pasojat, si të disiplinojnë fëmijët e tyre siç duhet, pa qenë as të ashpër dhe as tolerantë më tepër sesa duhet.

Rritja e fëmijëve është një punë e madhe, me përgjegjësi dhe e rëndësishme, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë një proces i ndërlikuar.

Sipas psikologes dhe këshilltares së familjeve me 28 vjet përvojë, Suzanne Gelb, rritja e fëmijëve është fare e lehtë nëse ndiqen disa ‘të vërteta të thjeshta’. Këto përbëhen nga një grup i vogël udhëzimesh që duhen mbajtur mend dhe të cilat duhen ndjekur.

Për të qenë në rregull me ndërgjegjen tuaj prindërore dhe për të rritur mirë fëmijët, më poshtë janë disa këshilla që duhet të mbani parasysh.

8 këshillat për rritjen e fëmijëve

Ju jeni modeli sipas të cilit fëmija do të rritet. Fëmijët janë të lidhur për nga natyra me ju, ata ju vëzhgojnë me vëmendje, ju imitojnë dhe ndjekin gjurmët tuaja. Tregohuni të kujdesshëm për imazhin tuaj në sytë e tyre, nëse doni që fëmijët tuaj të mos përsërisin të njëjtat gabime si ju. Tregoni me shembull nga vetja virtytet që duhet të marrë fëmija juaj.

Mos prisni nga fëmija atë që nuk e keni as ju. Nëse jeni një prind me shumë kërkesa për fëmijën tuaj, duhet të dini se nuk mund të prisni shumë nëse nuk jepni shumë. Për t’u siguruar se fëmija juaj do të ndryshojë zakonet sipas dëshirës suaj, si për shembull të qëndrojë më pak në kompjuter, të jetë më i durueshëm, të jetë më i përgjegjshëm dhe më i organizuar, atëherë bëjini ju së pari ato sjellje.

Bisedimi me fëmijën nuk do t’ju sjellë shumë rezultat. Bisedat janë një pikë e mirë nga ku mund t’ia nisni, por në fakt vetëm fjalët nuk do të ndikojnë në vendimet që merr fëmija juaj. Vëzhgimi, rregullat dhe pasojat janë ato që do të bëjnë një diferencë te sjellja e djalit apo vajzës suaj.

Vendosni rregulla stabël dhe aplikoni pasoja kur fëmija juaj zgjedh që të mos u bindet rregullave. Kjo nuk ju bën shumë të rreptë dhe të padrejtë. Kjo ju bën një mësues, ju do të ndihmoni në këtë mënyrë fëmijën tuaj të marrë mësime të rëndësishme rreth mënyrës se si funksionon bota.

Përdorni grafikë. Duke përdorur shfaqje vizuale të rregullave, punëve të shtëpisë, pritshmërive që keni dhe pasojave për shkeljen e tyre, do të tregoni seriozitet në fjalët që keni shprehur.

Kërkojuni fëmijëve që të mbajnë shënim realizimet e ditës. Vëzhgojini çdo ditë ato që ai thotë se ka bërë dhe ato që duhet të bëjë. Nëse diçka nuk është realizuar, pyeteni fëmijën se çfarë pasoje sjell kjo. Rutina e përditshme e inkurajon fëmijën që të zhvillojë më tepër mbështetje te vetja dhe të marrë përgjegjësi personale.

Nëse dëshironi të keni një martesë pa telashe dhe një shtëpi të qetë aplikoni rregullat e shkruara.

Mbani parasysh se fëmijët nuk kanë lindur të pasjellshëm, ziliqarë, mospërfillës, egoistë dhe të tjera. Këto janë sjellje të mësuara. Kjo do të thotë se mund t’ia hiqni nga lista e sjelljeve që aplikojnë me ju dhe me të tjerët.
Nuk është kurrë vonë për të bërë ndryshime pozitive. Nuk është kurrë vonë për t’i dhënë fëmijës tuaj më tepër mjete, aftësi dhe më shumë mësime për jetën.
Nëse bëni përpjekje të vazhdueshme do të befasoheni nga mënyra se sa shpejt përmirësohet sjellja e fëmijës.

Fillojini ndryshimet pozitive duke dhënë shembullin për sjelljen dhe vlerat që dëshironi të shihni te fëmija. Kjo është një lloj përsëritje e rregullit të parë, por në fakt është shumë e rëndësishme saqë ia vlen të përsëritet.
Jini personi të cilët fëmija juaj mund t’i besojë. Merrni respektin dhe admirimin e tij. Jini një model i mirë për të, një mësues dhe një hero. Fëmija juaj mbështetet te ju. Ai ju sheh dhe thith çdo gjë që ju bëni. Mos e zhgënjeni!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat