"Unë shkodranja në botën e “Bollywood”-it"

Life style

"Unë shkodranja në botën e “Bollywood”-it"

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 13:44

Historia e Elsës dhe Vishalit është ndryshe nga historitë e dashurisë që jemi mësuar të dëgjojmë. Njohja e tyre ishte krejt rastësore në rrjetin social “Facebook” dhe më pas u kurorëzua me martesë. Elsa është nga Shkodra, ndërsa Vishali nga India. Janë bashkuar dy njerëz, por edhe dy kultura të ndryshme. Disa detaje nga njohja e tyre dhe jetesa në shtetin Indian rrëfejnë për “Shekullin” çifti shqiptaro-indian.

Si jeni njohur me njëri-tjetrin?

Elsa: Nëpërmjet facebook-ut. Ne nuk na kujtohet se kush çoi ftesën i pari, e kemi anashkaluar si diçka jo të rëndësishme ndoshta. Më pas filluam të flasim me njëri-tjetrin dhe pas 2-muajsh ne u bëmë shokë shumë të mirë. Më pas ramë edhe në dashuri... Dhe vitin tjetër ne u martuam. (Buzëqesh)

Vishal, cila ishte përshtypja jote e parë kur erdhe në Shqipëri?

I emocionuar, i gëzuar, i nervozuar... Për mua ishte një moment shumë i veçantë, sepse ishte hera e parë që po shkoja të takoja fizikisht dashurinë time. Njëkohësisht edhe i frikësuar, sepse kisha vendosur të kërkoja dorën e saj për martesë tek prindërit. Them i frikësuar ngaqë kisha merakun se mos nuk më pranonin.

Si u ndjeve kur mbërrite në Shqipëri?

Vishal: Kur mbërrita në Shqipëri ishte koha e Krishtlindjeve që unë e konsideroj si muajin e mrekullive. Kur u takuam për herë të parë, unë u ndjeva sikur e kisha njohur Elsën gjithë jetën.

Po familjarët si të pritën?

Vishal: Vëllai i saj, Eli më takoi si të isha një pjestar i familjes. Ishte dhjetor, ishte shumë ftohtë, por unë ndjeva ngrohtësi, sepse kisha rreth meje njerëz të dashur dhe të afrueshëm. Isha në një vend të huaj, nuk e prisja që e gjithë familja të ishte duke pritur tek dera e shtëpisë për mua. Sa dola nga makina, Valerio (nipi) u hodh tek unë dhe më shtrëngoi fort, babi më dha një përqafim si të isha djali i tij. U ndjeva jo sikur isha në një vend të huaj, por si në shtëpinë time me njerëzit e familjes sime.

Elsa, Vishali erdhi në Shqipëri për të takuar dhe gjithashtu për të të marrë në shtëpinë e tij në Indi. Sa i vështirë ishte për ty largimi nga shtëpia?

Si çdo vajzë që martohet, që lë familjen dhe nis një jetë të re diku tjetër është shumë e vështirë. Por për mua malli ishte i dyfishtë, sepse u martova dhe po shkoja jashtë shtetit në të njëjtën kohë. Ishte hera e parë që po largohesha nga familja, me të cilën kam një lidhje shumë të ngushtë dhe të fortë, por ai ishte fati.

Si u ndjeve kur mbërrite në Indi për herë të parë?

Elsa: U mirëprita me shumë dashuri dhe respekt. Familja dhe kushërinjtë e Vishalit ishin mbedhur dhe përgatitjet e dasmës kishin filluar. Në kulturën indiane, dasma është një festë e madhe që përgatitet për muaj me radhë. Për familjen ishte një moment shumë i gëzuar, sepse Vishal është djali i vetëm i tyre dhe për ta ishte një çast i shumëpritur.

Sa ditë zgjati dasma?

Elsa: Festa e dasmës zgjati 10 ditë, ku kishte shumë ushqime të ndryshme, këngë dhe valle, veshje tradicionale dhe bizhu të kulturës indiane. Ishte një ndjenjë dhe bote e re për mua që po e shijoja dhe jam kënaqur pa masë. India për mua u bë si Shqipëria, shtëpia ime e dytë.

Ka qenë dakort familja në zgjedhjen tuaj, sepse siç e dimë traditat dhe mënyra e jetesës nuk janë të njëjta?

Elsa: Si çdo prind që kujdeset, shqetësohet dhe dëshiron më të mirën për fëmijën e tij, ashtu edhe familjet tona kishin merak, por pavarësisht këtyre, ato e respektuan vendimin tonë. Ishte një vendim shumë i vështirë për të dyja familjet, sepse fëmijët e tyre po martoheshin me të huaj dhe në fe të ndryshme. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Indi akoma ekziston ajo kultura e fesë së njëjtë, por familjet tona e respektuan vendimin tonë dhe besuan tek ne, e ne kurrë nuk i zhgënjyem ata.

Sa i vështirë është për familjen tuaj e sidomos nënën fakti që ju ka larg?

Elsa: Është shumë e vështirë për familjen, veçanërisht për mamin sepse jam fëmija më i vogël dhe jetoj në një vend që ajo nuk e kishte menduar kurrë se unë do të shkoja, jo më të jetoja. Sado që të rritesh, për nënën je gjithmonë fëmijë. Familja është shumë e lumtur dhe krenare për zgjedhjen që unë bëra. Ata janë të lumtur që unë jam e lumtur.

Janë pajtuar me idenë që nuk të shohin çdo ditë?

Elsa: Por falë teknologjisë së re e cila na bashkon çdo ditë me njëri-tjetrin, nuk e ndjejmë largësinë dhe po ashtu i vizitoj shumë shpesh.

E mendoje ndonjëherë që bashkëshorti juaj do të ishte indian dhe anasjelltas?

Kurrë nuk e mendoja që bashkëshorti im do të ishte indian, por kurrë nuk e mendova që do të ishte vetëm shqiptar, gjithashtu. Kam menduar që personi përkrah meje të ishte me zemër të madhe, të ishte ambicioz në jetë, krijues, artist i cili dëshrion të arrijë majat etj. Dhe Vishali është ai që unë kisha menduar për partnerin e jetës. Me krenari e them që jemi të dy të njëjtë. Dasma jonë sipas riteve të krishtera dhe ato hindu

Elsa, ju jetoni në Indi. Pse vendosët të jetoni atje dhe jo këtu?

Vishalit i pëlqen të jetojë në Shqipëri, por ne të dy jemi artistë. Vishali është aktor dhe unë stiliste. Vendi i punës për ne është shtëpia jonë. Ne të dy jemi duke punuar në Industrinë e Filmave Indianë, “Mumbai”. Artistët janë të lirë dhe e gjithë bota për ta është si një shtëpi. Ne mund të shpërngulemi kurdoherë dhe kudo që të jetë puna jonë.

Elsa, ju merreni me modë. Si do e përshkruaje Shqipërinë në këtë aspekt?

Evropa ka shijen më të mirë të modës në botë. Franca, Italia dhe Britania e Madhe janë vende të mëdha në botën e modës. Duke qënë vendi i tyre fqinj, Shqipëria nuk mund të jetë shumë prapa. Shqipëtarët kanë një stil të ngjashëm me të gjitha këto vende. Tradita shqiptare, zakonet dhe kultura janë shumë të pasura dhe frymëzuese për artistët. Pastaj stili mbetet përgjithmonë, ndërsa moda zbehet pak. Unë do të thoja që moda është një luks i detyrueshëm.

Në dasmën tuaj, jeni veshur me kostumet tradicionale shqiptare dhe indiane?

Në fakt ne celebruam dasmën tonë në Shqipëri dhe në Indi po ashtu. Jemi martuar në kishë me të gjitha ritualet e fesë së krishterë ku unë vesha fustanin e bardhë dhe Vishali kostumin e zi. Gjithashtu kemi celebruar dasmën edhe në Indi me të gjitha ritualet e fesë Hindu ku unë u vesha me “sari” dhe Vishal me “kurta pajama”, veshje tipike tradicionale të kulturës indiane.

Nga kultura dhe mentaliteti indian çfarë përfshitë në familjen e re që krijuat?

Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në jetën tonë. Ne jemi si dy shokë që jetojnë së bashku dhe që e mbështesin njëri-tjetrin në çdo hap. Ne festojmë festat që festohen në Shqipëri, po ashtu dhe festat indiane.

Aktualisht me ç'farë merreni?

Vishal është duke punuar si aktor në film, teatër dhe seriale (telenovela). Ndërsa unë po studioj për stilim dhe në të njëjtën kohë duke punuar si stiliste në filmat indianë.

A ka dicka për të cilën ndjehesh krenare?

Ndjehem krenare për arritjet e mia dhe sigurisht për krijimet e mia. Një koleksion për të cilin unë jam krenare është "E bukura", të cilin e kam realizuar për të mbrojtur diplomën.

Vishal, cili është opinioni juaj për femrat shqiptare në përgjithësi?

Femrat shqiptare janë shumë miqësore, të respektuara, familjare dhe me shumë dinjitet. Femrat shqiptare janë bijat, bashkëshortet dhe motrat më të mira. Tani kam shumë shoqëri në Shqipëri dhe jam shumë me fat që kam si partnere një person që e konsideroj si shoqen time më të mirë.

Keni menduar ta zgjeroni familjen me një pjesëtar tjetër?

Elsa: Për ne familja dhe ëndrra për karriere janë dy gjëra shumë të rëndësishme pa të cilat nuk jetojmë dot. Tani jemi duke punuar shumë për të arritur aty ku duam në karrierë. Në të ardhmen dhe në kohën e duhur, patjetër që ne do e zgjerojmë familjen me pjestarë të rinj. Atëherë, jeta për ne do jetë me shumë ngjyra dhe fëmijët tanë do të jenë bardh e zi. (Buzëqesh)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat