Veshjet e adoleshentëve – një zgjidhje për të fshehur moshën

Life style

Veshjet e adoleshentëve – një zgjidhje për të fshehur moshën

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 10:02

Nëse ka një kohë kur veshja ka rëndësi dhe luan një rol të veçantë, kjo ndodh pikërisht në adoleshencë. Ata që ndeshen më shpesh me adoleshentët janë familjarët, që investojnë për veshjet dhe për pamjen e tyre fizike. Për shumë prej tyre, pamja e jashtme ka një rëndësi njehsimi: rrobat i përcaktojnë në vetë sytë e tyre dhe në sytë e të tjerëve.

Mbivendosja e petkave të errëta, çehrja e zbehtë, stringlat dhe vathët bëjnë pjesë në një kod veshjesh diktuar dhe ndarë në gjirin e një grupi. Madje, ndodh që për secilin grup miqsh adoleshentë, veshja përbën shenjën e tyre dalluese. Midis tyre, shpesh ata përdorin emra të panjohur nga të rriturit (nofka): disa janë mbiquajtur “ndjekës të modës”, dhe veshin rroba të një cilësie shumë të mirë dhe që janë blerë shtrenjtë. Takojmë edhe “rrëshqitës” me pantallona si thes, që u varen deri në mes të vitheve etj. ...pra, kemi të bëjmë me shfaqje të ndryshme të pamjes së jashtme.

Çdo veçanti përcakton identitetin e grupit, gjithnjë duke u mbështetur në identitetit individual të secilit prej tyre.

Madje, është koha kur krijohet një raport i ngushtë me pasqyrën, është koha kur adoleshentët ndihen të sigurt në “marrjen e pushtetit dhe të vetëvendosjes”. Është koha kur ndihen në “kulmin e krijimit të vetvetes”.

Mënyra e veshjes është si pjesa e dukshme e ajsbergut dhe një tregues i jashtëm i rrëmujës së brendshme. Përmes veshjes, adoleshenti gjen pjesërisht kontrollin e identitetit të tij.

Nga njëra anë, trupi fillon të ndryshojë pa dëshirën e tyre. Nga ana tjetër, ndodh një ndryshim i shenjave të identifikimit: braktisen modelet e vjetra dhe zëvendësohen me të reja.

Fillimi i pubertetit me shfaqjen e shenjave të para seksuale dytësore, mund të përjetohet si një tradhti, në kuptimin që nuk mund të bëhet asgjë për këto shndërrime. Kjo gjendje është më e fortë te vajzat, tek të cilat ndryshimet e adoleshencës janë “më të ashpra”.

Shumë prej vajzave vuajnë faktin e të gjendurit në një trup gruaje, ndërkohë që ato jetojnë ende si fëmijë. Trupi formohet seksualisht, pavarësisht nga shkalla e pjekurisë së emocioneve. Adoleshenti ka gjithmonë përshtypjen se trupi i tij e zbulon para të tjerëve, se ekspozon dëshirat e tij, dhe shqetësimet seksuale: është periudha e përskuqjeve të pakontrolluara - dëshmitare të tradhtisë së trupit - të përqendrimeve të tepërta mbi një pjesë të trupit, shpeshherë duke krijuar edhe një dismorfofobi të vërtetë (shqetësim për pjesët e trupit që konsiderohen të shëmtuara ose të deformuara).

Si rrjedhojë, adoleshenti kërkon veshjet e duhura, që ta fshehë këtë trup që lë shumë për të dëshiruar. Veshja i krijon adoleshentit një zgjidhje kompromisi përballë ndryshimeve të adoleshencës. Meqenëse ai nuk mund të bëjë asgjë kundër tyre - t’i shpejtojë ose t’i eliminojë këto ndryshime - ai mund t’i fshehë pak a shumë me anë të veshjeve.

Adoleshenca është një periudhë riorganizimi: adoleshenti braktis identifikimet që e kanë shoqëruar në fëmijëri dhe përzgjedh të tjera, gjithnjë në marrëveshje me atë çfarë ai ndjen. Për këtë ai merr shembull nga ata që e rrethojnë, personazhe të vërteta ose të imagjinuar. Është periudha e idhujve, e magjepsjes për sportistët, yjet e rrokut, artistët ose thjesht shokët, kopje të vetvetes që të ndihmojnë për t’u formuar. Është koha e kopjes së një modeli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat