8 mënyra për një ecuri sa më të mirë në punë

Life style

8 mënyra për një ecuri sa më të mirë në punë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 18:48

“Shumë njerëz mendojnë se puna e tyre përmirësohet kur ata kanë mundësi të mësojnë ose të zhvillojnë shprehi të caktuara. Pasi të keni përcaktuar një shprehi, zbatoni një prej mënyrave të mëposhtme të të mësuarit në detyrë, që ndihmon për ecurinë në punë”, i këshillon menaxherët Sharon Jordan-Evans, presidente e Grupit “Jordan Evans”, një firme këshillimin.

- Krijimi i grupeve të punës. Grupet e vetëdrejtuara të punës mund të marrin shumë vendime vetë. Ato mund ta rishpërndajnë punën në mënyrë që anëtarët e grupit të mësojnë më tepër, të kenë më shumë larmi dhe të ndjekin më shumë projekte deri në përfundim të tyre.

- Bashkëveprimi.
Për shembull, dikush që analizon dhe zgjidh problemet e sistemeve kompjuterike, mund të jetë më i efektshëm duke ditur nevojat e njerëzve dhe njësive konkrete të prodhimit, sesa thjesht duke reaguar ndaj probleme që hasen. Caktoni një analist dhe dikë që zgjidh problemet në një repart dhe bëjeni përgjegjës për sistemin kompjuterik. Jepini një klient. Klientët mund të jenë brenda ose jashtë organizatës. Është e habitshme, pasi shumë punonjës asnjëherë nuk i shohin ata.

- Ndërthurja e detyrave. Kohë më parë, industria e automobilave zbuloi se një punonjës që kryen një detyrë të vetme, të parëndësishme dhe të përsëritur (për shembull, lyerjen e ndarjeve të timonit), nuk është aq i stimuluar dhe i motivuar sa një punonjës që është i përfshirë në një numër detyrash të lidhura me njëra-tjetrën, sikurse është lyerja dhe vizimi i gjithë makinës.

- Këmbimi i detyrave. Përgjegjësitë e reja mund ta ndihmojnë një punonjës të ndihet i stimuluar dhe i vlerësuar. Punonjësit mund të përftojnë shprehi të reja të rëndësishme, që shtojnë intensitetin e punës. Mos detyrat që këmbehen janë pështjelluese? Sugjerojeni idenë dhe lërini punonjësit tuaj të propozojnë pjesën se kush do ta kryejë dhe si do ta kryejë; ju do të çuditeni nga aftësitë e tyre për t’i bërë ato që të shkojnë si sahat.

- Dhënia e vlerësimeve si pjesë përbërëse e procesit të punës. Mos u mjaftoni vetëm me analizat vjetore. Gjeni mënyra për të krijuar mundësi që të bëhet një analizë nga kolegët dhe një analizë nga klientët. Punonjësit duan të dinë se si e kryejnë detyrën e tyre dhe vlerësimet e vazhdueshme bëjnë të mundur që ata të jenë agjentë kontrolli të cilësisë së vetvetes.

- Zgjerimi i kuadratit të pjesëmarrjes. Punonjësit janë të çliruar dhe të motivuar kur marrin pjesë në vendime që ndikojnë në punën e tyre, siç janë vendimet për buxhetin dhe marrjen në punë apo në mënyrat për organizimin e punës dhe afateve. Përfshirja bën të mundur që punonjësit të shohin pamjen e plotë dhe të japin një kontribut, që atyre u duket i kuptimshëm.

- Inkurajimi i aftësive krijuese. Krijimtaria e pashfrytëzuar humbet. Nëse punonjësit rrallëherë mendojnë për veten, ata e humbasin aftësinë që të ofrojnë idetë e tyre më të mira. Ata thjesht i kalojnë fazat njërën pas tjetrës, të pamotivuar dhe të çinteresuar. Ju mund të ndihmoni duke kërkuar dhe duke shpërblyer idetë krijuese, duke u dhënë punonjësve lirinë dhe burimet për të krijuar dhe duke i stimuluar ata me emërime dhe detyra të reja.

- Caktimi i objektivave. Është ideale që çdo punonjës të caktojë objektiva për pasurimin e aktivitetit në punë. Ju mund të ndihmoni duke ua kërkuar këto objektiva punonjësve dhe grupeve të punës çdo vit. Sigurohuni që objektivat të kenë kuptim për punonjësin, grupin e punës dhe organizatën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat