Pse ju urren stafi?! Nuk është xhelozia, por sjellja juaj

Life style

Pse ju urren stafi?! Nuk është xhelozia, por sjellja juaj

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 18:45

Të drejtosh është më shumë art se shkencë dhe jo të gjithë e kemi talentin për të qenë “artistë”. Sado mirë të mendosh për veten si menaxher i ri ose me eksperiencë, në sytë e punonjësve do të jeni një drejtues i dobët nëse shfaqni vazhdimisht sjelljet e mëposhtme.

Nuk drejton!

Problemi: Nuk jep udhëzimet e duhura, nuk jep udhëzime mjaftueshëm, ose nuk ndjek realizimin e udhëzimeve të dhëna. Pra, në tërësi, reflekton një stil pasiv menaxhimi, të përqendruar tek qortimi i gabimeve më shumë se sa tek mënjanimi i tyre.

Si ta korrigjosh: Nëse nuk je tipi i menaxherit aktiv, atëherë përpiqu ta delegosh mbikëqyrjen tek persona që mund të ndjekin udhëzimet e dhëna prej teje. Për të dhënë udhëzimet e duhura, harxho kohë me stafin të njihesh në detaj me procesin e punës, listo hapat që duhen ndjekur, dhe shëno në kalendar planin e mbikëqyrjes.

Merresh me individin, jo punën!

Problemi: Kur merresh me gabimet tek individi ke marrë përsipër të ndryshosh karakterin e tij. Kjo është e pamundur. Në fakt, ajo që nuk të pëlqen është puna dhe rezultati që del prej tij, jo ai vetë.

Si ta korrigjosh: Udhëzo punën e tyre, jo njeriun në vetvete. Puna dhe rezultati kanë rëndësi për ty. Udhëzo individin konkretisht se si mund të përmirësojë punën, me shembuj të qartë.

Të pëlqen të flasësh me strategji, por pa brum!

Problemi: Kur flet para stafit tenton të përgjithësosh, të japësh shembuj abstrakt, dhe përpiqesh të kopjosh modele të liderëve ndërkombëtarë. Këta janë bërë modele pikërisht sepse kanë patur stilin e tyre unik.

Si ta korrigjosh: Nëse do të flasësh me strategji në nivel makro fol për të frymëzuar, jo për të drejtuar. Drejtimi duhet të jetë konkret, specifik, dhe i qartë. Shpreh pritshmëritë që ke ndaj secilit, dhe kërko llogari jo më vonë se 24-48 orë nga dhënia e udhëzimit.

Ke frikë nga dështimi!

Problemi: Kur refuzon idetë e reja vetëm sepse je i pasigurt se si do implementohen, tregon që nuk keni aftësinë të imagjinoni rezultatin. Kjo është shpesh cilësi e drejtuesve pa vizion, dhe rrjedhimisht një shembull i drejtimit të dobët.

Si ta korrigjosh: Nëse e keni të vështirë të përfytyroni rezultatin, kërkojini stafit t'ju përgatisë një shembull, një model të procesit implementues, ndjekur nga tregues specifikë që vlerësojnë potencialin e idesë.

Promovon të zhurmshmit!

Problemi: Disa punonjës e kanë më të thjeshtë të shesin veten, ndërkohë që performancën nuk e kanë të lartë krahasuar me të tjerë që nuk arrijnë ta shesin punën e tyre. Të promovosh promotorët e aftë është dritëshkurtësi, në rastin më të mirë, dhe paaftësi në rastin më të keq.

Si ta korrigjosh: Është e thjeshtë: bëj një përpjekje të jesh më koshient për rolin e gjithsecilit. Gjatë mbledhjeve jepi të drejtën e fjalës, mos e lër në dorën e tyre të jenë aktiv. Kërkojini të bëjnë prezantim të punës së tyre rregullisht, duke u fokusuar kryesisht tek impakti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat