iPad-i kthehet në lodrën ‘zyrtare’ të fëmijëve

Life style

iPad-i kthehet në lodrën ‘zyrtare’ të fëmijëve

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:53

Ndërsa prindërit po luftojnë me veten për të mësuar si të përdorin teknologjinë më të fundit, fëmijët e tyre fare të vegjël në moshë duket se nuk e kanë këtë problem.

Kërkuesit kanë analizuar qindra video të bebeve që provojnë për herë të parë dhe që më pas e mësojnë shumë shpejt teknologjinë.

Ata zbuluan se gjysma e fëmijëve nga mosha një deri në tre vjeç mund të përdorin një iPad kur janë vetëm një vjeç dhe se 90 për qind e vogëlushëve ia marrin dorën për mrekulli pajisjes kur arrijnë moshën 2-vjeçare.

Kërkuesit pranuan se ishin të befasuar nga zbulimi. Skuadra e kërkuesve nga Universiteti Iowa studioi më shumë se 200 video në YouTube.

“Në moshën dyvjeçare, 90 për qind e fëmijëve në video posedonin një aftësi të moderuar për të përdorur tabletin”, tha Juan Pablo Hourcade, profesor i asociuar i shkencave kompjuterike dhe drejtues i studimit.

“Rreth 50 për qind e fëmijëve nga mosha 12 deri në 17 muaj, në video kishin aftësi të përdornin mirë pajisjet teknologjike si iPad-i”, tha ai.

Për studimin u panë qindra video ku shfaqeshin bebe që përpiqeshin të kuptonin si funksiononte pajisja dhe ia merrnin dorën shpejt. Ky studim u publikua në konferencën CHI 2015, më prestigjiozja në fushën e ndërveprimit njeri-kompjuter.

Në studim, kërkuesit thanë se synimi i tyre ishte të ofronin një panoramë se si këta fëmijë po i përdorin tabletët. Çfarë zbuluan ishte informacioni që mbështet ‘mundësitë për kërkim dhe pika fillimi për projektim’.

Studiuesi Hourcade dhe kolegët e tij e përkufizuan aftësinë e moderuar si atë pikë ku ende duhej ndihmë nga të rriturit për të aksesuar një aplikacion, por më pas fëmijët ishin në gjendje ta përdornin atë duke shfaqur vetëm disa vështirësi të vogla në ndërveprimin bazë.

Drejtuesi i studimit tha se sipas dijenisë së tij, kërkues të tjerë kishin kryer studime të prevalencës së përdorimit të tabletëve nga fëmijët, megjithatë studimi i UI është i pari që studion se si fëmijët po i përdorin këto pajisje.

Kërkuesit shpresojnë se studimi në fjalë dhe të tjerë që do ta pasojnë atë, do të influencojnë në zhvillimin e aplikacioneve që inkurajojnë edukimin interaktiv të fëmijëve në vegjëli.

Hourcade thotë se ai u frymëzua për të përdorur video në YouTube nga një tjetër kërkues, i cili analizoi video online të përdorimit të kompjuterit për të parë si i përdorin ato njerëzit me probleme lëvizjeje.

Ai thotë se YouTube i ofroi grupit të tij të punës mundësinë të kërkonin për këtë çështje pa i nxitur fëmijët të përdornin tabletë, sepse pediatrët nuk e sugjerojnë këtë gjë.

“Nga ana tjetër, ne dimë se fëmijët po i përdorin iPad-et dhe pajisjet e tjera sepse kemi parë video të regjistruara nga prindërit e tyre dhe ka studime që e konfirmojnë se kjo gjë po ndodh”, shtoi kërkuesi.

Një nga dallimet më të mëdha që kërkuesit gjetën është se kur fëmijët mbushin një vjeç, ata kalojnë nga përdorimi i të dyja duarve dhe të gjithë gishtërinjve për të ndërvepruar me tabletin në përdorimin e vetëm gishtit tregues, ashtu siç bëjnë të rriturit.

Skuadra e kërkuesve shpreson se studimi do të hedhë dritë mbi zakonet e reja teknologjike që po lindin së bashku me brezin e ri.

Aplikacionet e ardhshme mund të ndihmojnë fëmijët të mësojnë gjëra të reja në mënyra më të lehta.

Lojërat i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë njohjen e tyre për veten dhe botën e jashtme, si dhe zhvillojnë tek ata aftësi motorike, mendore dhe imagjinuese. Një përdorim i moderuar i pajisjeve të sotme teknologjike, bën që fëmijët të përfitojnë nga zakonet tona të përditshme dhe nga zhvillimi ynë teknologjik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat