10 sjellje për t’u shmangur gjatë studimeve

Life style

10 sjellje për t’u shmangur gjatë studimeve

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 09:31

Universiteti mund të jetë fillimi i një rrugëtimi të mrekullueshëm: një shans për një edukim të mirë dhe një karrierë të kënaqshme. Megjithatë, disa “huqe” të këqija të studentëve mund të ulin rendimentin e tyre. Nëse jeni gati për të shkuar në universitet, apo jeni aktualisht student, duhet të merrni në konsideratë shmangien e këtyre 10 sjelljeve.


  1. Të zgjatësh netët


Të zgjatësh netët e universitetit tashmë është bërë diçka e zakonshme, por është një mënyrë e keqe për të zotëruar materialin. Thjesht nuk mund të shtyni javët duke mos studiuar, duke shpresuar te studimi gjatë natës. Gjithashtu, do të jeni të lodhur dhe në një formë të keqe gjatë provimit.


  1. Të shmangësh orët e para


Mund të shmanget për pak kohë, por herët a vonë do të jeni të detyruar të shkoni herët në mëngjes në universitet për të ndjekur leksionin. Kur kjo ndodh, të fikni alarmin e zgjimit dhe të mos shkoni në mësim, rrezikon të kthehet në një zakon për gjithë semestrin.


  1. Celulari gjatë orës së mësimit


Ndoshta nuk do ta besoni, por ju mund të mbijetoni edhe nëse nuk e përdorni celularin gjatë orës së leksionit. Përdorimi i tij bezdis pedagogët dhe mund të shqetësojë miqtë përreth. Në fund, ju nuk do të mësoni asgjë nga lënda.


  1. Të ushqyerit


Një vakt i mirë shpesh të heq edhe dëshirën për gjumë në universitet. Ushqimet e shpejta ju bëjnë të shtoni në peshë dhe dëmtojnë shëndetin tuaj.


  1. Veshja e rrobave të palara


Ky zakon i keq i studentëve vjen nga koha e limituar, lodhja dhe dembelizmi. Sigurisht që të lash rrobat kushton para dhe energji. Por nëse në orën e filozofisë shkoni me veshje të papastra, civilizimi praktikisht ka dështuar.


  1. Plagjiatura


Kopja është diçka jo e ndershme dhe në ditët e sotme është edhe më e thjeshtë që ta zbulosh. Të prezantoni punë të të tjerëve si tuajat mund t’ju detyrojë të rishikoheni në vjeshtë me universitetin.


  1. Pijet energjike


Të konsumoni pijet energjike të ngarkuara me kafeinë dhe sheqerna do t’ju shtojë energjitë në afat-shkurtër. Por më pas, e sigurt që do të ndiheni nervozë dhe të dehidratuar. Thjesht do t’ju duket gjithçka rrëmujë.


  1. Vdekja e gjyshes


Nuk keni ndjekur lëndën dhe ju duhet një justifikim për të zhvilluar provimin? Edhe profesorët më të paaftë do ta kuptonin lojën tuaj pas funeralit të tretë në semestër.


  1. Të shtysh lëndët


Mund të ndodhë që të shtyni një lëndë për më vonë si pasojë e mbingarkesës apo sepse gjeni një punë. Por nëse i lini lëndët sepse janë të vështira, atëherë po bëni një gabim të madh. Ju jeni aty për t’u sfiduar. Punoni më fort në vend që të dorëzoheni.


  1. Inercia e shkollës së mesme


Universiteti nuk është aspak si shkolla e mesme. Pedagogët nuk do të tolerojnë mungesën e respektit, mungesën e vëmendjes apo ndërprerjet gjatë leksionit. Me shumë mundësi do t’ju largojnë nga auditori. Ndaj, silluni si të rritur.

Në universitet përpiquni t’i shmangni këto sjellje. Nëse arrini, një diplomë dhe një e ardhme e ndritur mund të jenë duke ju pritur.

Marrë nga revista “TIME”, Përshtati: Erion Uka

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat