Prindërit preferojnë vajzat në kohë krize

Life style

Prindërit preferojnë vajzat në kohë krize

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 16:47

Nëse kohërat përkeqësohen, është më mirë të jesh femër, kanë zbuluar kërkuesit. Ata thonë se në kohë krize financiare, prindërit preferojnë vajzat përballë djemve. Ata zbuluan se trendi zgjerohet edhe më shumë kur vajzat marrin një pjesë më të madhe të pasurisë në testament sesa djemtë.

Kërkuesit nga Shkolla Carlson e Menaxhimit dhe Shkolla Rutgers e Biznesit, bënë zbulimin interesant, i cili u publikua në revistën e Kërkimit të Klientit.

Hulumtuesit zbuluan se pjesëmarrësit në studim preferonin të përfshinin një vajzë në vend të një djali në programe përfitimi, parapëlqenin t’i jepnin një obligacion të thesarit një vajze në vend të një djali dhe ç’është më e bukura, u linin një pjesë më të madhe të aseteve të tyre në testament, vajzave. Të gjitha këto ndodhnin kur kushtet ekonomike perceptoheshin si të këqija.

“Pothuajse të gjithë prindërit thonë se nuk preferojnë asnjë fëmijë përpara të tjerëve, por recesionet ekonomike i çojnë prindërit në veprime ku flet ndërgjegjja dhe që i bëjnë të preferojnë më shumë vajzat sesa djemtë”, tha profesoresha e marketingut në Rutgers, Kristina Durante, autorja kryesore e studimit.

Në një eksperiment, 629 pjesëmarrës lexuan një artikull që përshkruante se ekonomia në rastin e parë po përmirësohej, në të dytin po përkeqësohej dhe në të tretin, ishte neutrale.

Më pas, atyre iu kërkua të bënin një ndarje pasurie të aseteve të tyre mes një djali dhe një vajze imagjinare, si dhe të përfshinin njërin prej tyre në një skemë përfitimi.

Ata që u bënë të besojnë se përpara kishin kohëra ekonomike të këqija, ia kaluan rreth 60 për qind të resurseve të tyre vajzës, krahasuar me një ndarje gjysmë përgjysmë mes dy fëmijëve, kur kushtet ekonomike shiheshin si neutrale ose të begata.

“Këto zbulime të gjetura te njerëzit, shprehen qartë edhe për kafshët”, shton profesor Vladas Griskevicius nga Shkolla Carlson.

“Kur burimet janë të pakta, prindërit preferojnë femrat, sepse ato kanë një riprodhim më të madh të fitimit. Pothuajse çdo fëmijë femër do të prodhojë një lloj fitimi, ndërsa shumë fëmijë meshkuj përfundojnë me zero fitim nga paratë që hedhin në lojë.”

Një tjetër eksperiment eksploroi kufijtë e moshës në dhënien e burimeve të jetesës.

Siç pritej, paragjykimet kundrejt femrave ishin më të forta teksa fëmijët i afroheshin më shumë moshës së riprodhimit.

Për të përkrahur zbulimet në eksperimentet e tyre, kërkuesit gjithashtu analizuan marrëdhënien midis PBB-së reale në SHBA dhe shpenzimeve në veshje për djemtë dhe vajzat nga viti 1984 deri në 2011.

Ata zbuluan se kur ekonomia ishte në vështirësi, proporcioni i shpenzimit mbi vajzat kundrejt djemve rritej me 19.8 për qind krahasuar me kohën kur ekonomia po shkonte mirë.

“Teksa PPB-ja binte, shpenzimet për vajzat përkundrejt shpenzimeve për djemtë rriteshin”, tha profesor Joseph Redden nga Shkolla Carlson.

Rezultatet u japin të dhëna prindërve dhe atyre që merren me marketing mbi mënyrën sesi trajtohen djemtë dhe vajzat në periudha recesioni, gjë që prek si prindërit ashtu dhe bizneset.

Duke qenë në dijeni se ata mund t’u referohen pa dashur paragjykimeve në shpenzimet kundrejt disa fëmijëve të caktuar, prindërit mund të gjurmojnë më me kujdes shpenzime të caktuara për të ruajtur barazinë.

“Kur ne morëm në pyetje prindërit, ishte e qartë se ata donin t’i trajtonin fëmijët me barazi”, thotë Redden.

“Por nëse ata mbështeten te ndjenjat në mënyrën si i kalojnë burimet e jetesës, ka më shumë gjasa që ky paragjykim të ndërhyjë, veçanërisht kur kohët janë të vështira dhe ata nuk kanë mjaftueshëm para për të bërë gjithçka”, shtoi Redden.

Për kompanitë, njohja e paragjykimeve të klientëve në mendësinë e blerjeve, ose preferimi i shpenzimit për vajzat në situata të vështira ekonomike, mund t’i lejojë të optimizojnë kushtet e prodhimit, shitjeve dhe marketingun.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat