“Gjuha e ngjyrave” në ambientin e shtëpisë

Life style

“Gjuha e ngjyrave” në ambientin e shtëpisë

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 00:43

Kur bëhet fjalë për të zbukuruar shtëpinë, zgjedhja e ngjyrave është shumë e rëndësishme. Në fakt, ngjyrat ndikojnë aq shumë mbi mjedisin, saqë përpara se t’ju futeni punëve të mëdha (si për shembull, shembja e një muri ndarës për ta zgjeruar dhomën), duhet të mendoheni mirë mos ndoshta e arrini të njëjtin rezultat vetëm duke zgjedhur ngjyrën e përshtatshme.

Të luash me ngjyrat të jep mundësinë t’i shndërrosh dhomat duke i bërë më të qarta, me më shumë hapësirë, apo të krijosh një mjedis më të ngrohtë. Madje, përdorimi me mençuri i nuancave të ndryshme të ngjyrave, mund të nxjerrë në pah ose ta fshehë ndonjë pjesë të dhomës. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ngjyrat ndikojnë edhe mbi gjendjen shpirtërore. Në fakt, është vërtetuar se çdo ngjyrë ka një efekt psikologjik konkret.

Ngjyrat e ftohta

Janë e verdha në të blertë, e blerta në blu, bluja, vjollca në blu dhe vjollca. Të krijojnë ndjesinë e qetësisë. Ngjyrat e qarta shprehin freski, çlodhje dhe qetësi; ngjyrat e thella, ku mbizotëron bluja, krijojnë një mjedis të zymtë, pak të trishtuar dhe të mistershëm.

Ngjyrat e ngrohta

Ngjyrat e ngrohta janë: e kuqja, e kuqja në portokalli, portokalli, e verdha në portokalli dhe e verdha. Janë ngjyra mikpritëse, por që, sipas nuancave, krijojnë edhe ndjesi të ndryshme. Nuancat e çelura krijojnë përshtypje miqësore, mikpritëse dhe shprehin delikatesë. Ndërsa nuancat më të errëta, ku mbizotëron e kuqja, përcjellin gjallëri, forcë dhe qëndrueshmëri.

Ngjyrat pastel

Ngjyrat pastel janë ato që përmbajnë shumë të bardhë. Në përgjithësi, ato krijojnë mjedise të qarta dhe me dritë, të përshtatshme për çlodhje. Nuancat pastel ku mbizotëron bluja krijojnë përshtypjen e freskisë; ato që përmbajnë të kuqen, portokallin dhe të verdhën krijojnë një mjedis të ngrohtë.

Ngjyrat asnjanëse

Janë nuancat e ndryshme të së bardhës, grisë dhe të zezës. Nëse në vështrim të parë, shumë nga ngjyrat asnjanëse, sidomos ato që rrjedhin nga e bardha, duken njëlloj, në të vërtetë ato janë shumë të ndryshme. Janë të thjeshta për t’u përdorur, sepse praktikisht harmonizohen me të gjitha stilet. Të kombinuara, ato krijojnë mjedise klasike dhe elegante.

Psikologjia e ngjyrave

Kromoterapia ose terapia e ngjyrave studion ndikimin që kanë ngjyrat mbi qeniet njerëzore. Nëse në njëfarë mase kjo varet nga personaliteti i gjithsecilit, është vërtetuar se çdo ngjyrë lidhet me ndjesi konkrete që ndikojnë mbi gjendjen tonë shpirtërore.

E bardha - Është një ngjyrë stimuluese dhe e gëzuar. E bardha është ngjyra më e përdorur, për shkak të cilësive të saj të shumta: ajo krijon ndjesinë e hapësirës, e shpërndan njëtrajtësisht dritën, izolon nxehtësinë dhe shkon me të gjitha ngjyrat.

E verdha - Nxit zgjuarsinë dhe ngjall gëzim. Fal ndjesinë e ngrohtësisë, këshillohet për të zbukuruar dhomat e vogla, ku drita e diellit hyn shumë pak, sepse nuancat e së verdhës japin dritë dhe thellësi.

Portokallia - Tregon mirëqenie dhe hare. U jep vëllim dhomave dhe i bën më të ngrohta. Thonë se ndihmon tretjen; pra, këshillohet të përdoret në sallat e ngrënies dhe në kuzhina.

E kuqja - Tregon energji, gjallëri, pasion. Ngjyrë e fortë që këshillohet të përdoret me kujdes, vetëm në njërin prej mureve ose në aksesorë, si: karriget, piktura, qilima. Shmangni nuancat e së kuqes, sidomos ato nxitëse, në dhomat e fëmijëve.

Bluja - Është një nga ngjyrat që ndikon më shumë te njerëzit. Qetësuese dhe e freskët, ajo jep gjithashtu ndjesinë e mbrojtjes, të besimit. Nxit meditimin. Këshillohet për dhomat, tualetet, dhomat e studimit ose të punës.

E blerta - Sipas traditës është ngjyra e shpresës. Krijon mjedise të qeta, të ekuilibruara dhe freskuese. Si ngjyrë e natyrës, ajo këshillohet veçanërisht në apartamentet në qytet, por me doza të vogla. Këshillohet për dhoma, salla ndenjjeje dhe studimi.

E zeza
- Lidhet me të panjohurën, kundërshtarin apo vdekjen. Krijon ndjesinë e shtypjes dhe zvogëlon hapësirën. Duhet shmangur si ngjyrë bazë. Por, e përdorur me kursim, ajo krijon një pamje të rafinuar dhe elegante.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat