Mbrëmja e maturës, një ngjarje për të mos u harruar kurrë

Life style

Mbrëmja e maturës, një ngjarje për të mos u harruar kurrë

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 22:46

Mbrëmja e maturës është ngjarja më e rëndësishme e gjimnazit. Krah etheve të provimeve, të rinjtë impenjohen shumë, që kjo festë të jetë një ngjarje për të mos u harruar.

Dita, vendi dhe - më së shumti - veshjet për vajzat kanë një rëndësi shumë të madhe. Fustani nuk mund të jetë një zgjedhje e minutës së fundit.

Qëllimi i çdo maturanteje është të shkëlqejë gjatë mbrëmjes. Frymëzuar nga kinematografia, pasi Hollivudi veçanërisht ka prodhuar një pafundësi filmash me këtë tematikë, të gjitha e kanë pak a shumë një model në kokë, sesi duhet të jetë mbrëmja e tyre e maturës.

Në Shqipëri, kjo traditë zë fill përtej viteve ’90. Por kohët e fundit, matura ka marrë shumë nga elementët hollivudianë, që përcjellin modelin e maturës ideale.

Për shembull, një element shumë i rëndësishëm është edhe gjetja e shoqërueses apo shoqëruesit. Dhe, shumë vëmendje shkon për këtë zgjedhje.

Kështu që, nga zgjedhja e partneres ideale, te veshja, e deri te makina - që në kushte ideale duhet të jetë një limuzinë, - kjo ngjarje është një ngarkesë shumë e madhe emocionesh dhe përjetimesh, të cilat finalizohen me darkën elektrizuese të maturës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat