Pelenat për fëmijët të cilat lahen, arsyet pro dhe kundër

Life style

Pelenat për fëmijët të cilat lahen, arsyet pro dhe kundër

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 17:39

Në treg gjenden panolina (peceta) të ndryshme për fëmijë, ndër to janë edhe pecetat të cilat kanë funksion shumëpërdorimësh, të cilat mund të lahen. Por a janë ato të duhurat për fëmijën tuaj?

Pelenat për fëmijë të cilat lahen duket se po kthehen në modë. Kthehen fuqishëm me një pamje më bashkëkohore në plan të parë, për të kënaqur nevojat e prindërve të rinj, të cilët janë në kërkim të kursimit dhe të cilësisë, për të respektuar si mjedisin, ashtu edhe një stil jetese me zero ndikim. Por, për të kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë dhe mbi të gjitha, për të qenë të qartë, më poshtë janë disa informacione të dobishme në lidhje me panolinat që lahen e për më tepër, arsyet pro dhe kundër.

Për çfarë bëhet fjalë?

Panolinat që lahen janë përcaktuar edhe si pelena ekologjike, duke qenë se janë realizuar me fibra 100% natyrale. Janë prej pambuku, kanë vendin të cilat lidhen (zgjidhen) dhe të njëjtën formë si pelenat “përdor dhe hidh”. Zakonisht janë të mbështjella nga mikrofibra dhe për kontakt me të pasmet e fëmijës është menduar një tip shtrese mbrojtëse natyrale dhe e biodregadueshme, për të thithur jashtëqitjen e fëmijës. Gjithçka mund të lahet dhe të ripërdoret.

Në treg ekzistojnë modele të ndryshme që, sipas markave, kanë të stampuara logo të ngjyrosura dhe dizenjo tërheqëse. Madje ato janë edhe të përmasave të ndryshme, për t’u zgjedhur dhe për t’u modeluar në bazë të peshës së fëmijës.

Mendimet pro

Avantazhi i parë është me siguri ai ekonomik: edhe pse investimi fillestar (blerja) është më i madh, kostoja më pas kompensohet me shpejtësi. Mjafton të mendosh se, sipas statistikave zyrtare, një fëmijë në tre vitet e para përdor rreth 4.500 panolina, për një kosto mesatare totale prej rreth 1500 eurosh. Zgjedhja e këtyre lloj pelenave (të cilat lahen) është shumë e leverdishme për xhepin tuaj. Për më tepër, ato i lejojnë lëkurës së fëmijës ajrosje më të madhe.

Në fakt, panolinat “përdor-hidh” përveçse janë të buta dhe inovative, shkaktojnë shpeshherë irritime të ndryshme në lëkurën e fëmijëve.

Janë aleate të mjedisit

Panolinat përdor-hidh nënkuptojnë një akumulim më të madh mbeturinash, ndërkohë, ato të cilat lahen reduktojnë ndjeshëm ndikimin negativ te mjedisi. Kështu që, ju jo vetëm që do të eliminoni qeset e plehrave gjithnjë të mbushura plot, por do të keni pak më shumë rroba për të larë në lavatriçe. Për më tepër, fëmijët që përdorin pelena që lahen, arrijnë t’i heqin ato më shpejt, duke u mësuar më pas të përdorin vetë uturakun apo të shkojnë në banjë (sigurisht jo foshnjat apo fëmijët më të vegjël).

Mendimet kundër

Nuk ka dyshim se përpjekja e prindërve do të jetë më e madhe, si gjatë ndërrimit të pelenës së të voglit, ashtu edhe gjatë pastrimit të saj përpara se të lahet në lavatriçe. Dizavantazhi kryesor i këtyre lloj panolinave “mike” për mjedisin është pikërisht ky: nëna e re, me gjithë gjërat që duhet të bëjë, duhet të lajë edhe pelenat. Ndërkohë, panolinat të cilat lahen kanë tendencë të qëndrojnë më të lagura, për shkak të përbërjes së tyre tërësisht prej materiali natyror, kështu që ato duhet të ndërrohen më shpesh. Gjithë ky proces i tyre kërkon shumë durim, përveçse detergjentë dhe shpenzim të energjisë.

Ndërrimi i panolinave (pecetave)

Të sapolindurit duhet të ndërrohen dhe të lahen shpesh, sipas nevojave së tyre. Zakonisht kur ndërroni pecetën e fëmijës nuk është e nevojshme vendosja e kremit. Përdorimi i kremit është i dobishëm vetëm kur organet gjenitale dhe zona për rreth janë të skuqura. Pra panolinat duhen të ndërrohen sa më shpesh, sidomos te fëmijët që kanë këtë problem. Sa herë që ata kanë diarre apo urinojnë, duhen pastruar mirë duke u larë me ujë të rrjedhshëm për çdo ndërrim pelenash. Përdoren përgjithësisht pasta apo zbutës që në përmbajtjen e tyre kanë oksid zinku, që ka veti antiinflamatore. Dhe në rastet kur lëkura është acaruar, përdoren edhe pomada antimykotike dhe antibakteriale. Nëse skuqja vazhdon për një kohë të gjatë ose bëhet më evidente konsultohuni me pediatrin e fëmijës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat