Sfidat miliona dollarëshe të David Beckham si biznesmen

Life style

Sfidat miliona dollarëshe të David Beckham si biznesmen

Më: 4 maj 2015 Në ora: 19:47

Nga një futbollist i ndrojtur në një model me tatuazhe dhe burrë i kamur, David Beckham që sapo mbushi 40 vjeç, ka përpara sfidat e ruajtjes së statusit të tij si ish-lojtar dhe si biznesmen i ri.

Ai ka bërë një rrugë të gjatë. Nga një adoleshent i shkathët që kapërceu stereotipat e futbollit në një ikonë e modës botërore, David Beckham i cili mbushi 40 vjeç këtë fundjavë, ka hyrë në një fazë tjetër të jetës, pushtetit dhe parave.

Beckham fiton më shumë që nga dalja nga futbolli ku ai ishte një lojtar i mirëpaguar në disa prej klubeve më të mëdha të botës. Që nga sipërmarrjet, te reklamat e alkoolit dhe lidhja me një rrjet kazinosh, jeta e lojtarit David Beckham nuk bie kurrë në monotoni.

Sipas revistës Forbes ai fitoi vitin e shkuar 75 milionë dollarë, ku u përfshi në listën e atletëve joaktivë. Fitimi i tij më i madh më parë ishte 51 milionë dollarë.

Alex Fynn, një këshilltar për tregun dhe median i skuadrave kryesore sportive, mendon se Beckham duhet të mbetet te gjërat që e bënë atë shumë të njohur, si sportet, moda dhe sipërmarrjet familjare. Sipas tij është e rrezikshme të lidhesh me fusha ku nuk je i njohur dhe ku vlerat e tua nuk qëndrojnë.

Përfaqësuesit e ish-futbollistit megjithatë thonë se ai po ndihmon në krijimin e një destinacioni turistik në Las Vegas, vendin e kazinove dhe se lidhja me reklamat e alkoolit u drejtohet baballarëve dhe jo shembullit për adoleshentët.

Gjysma tjetër e markës Beckham, që ka meritën për kthimin e burrit të saj nga një futbollist i turpshëm në një ‘metroseksual’ pionier, është tashmë shumë e vlerësuar në botën e modës.

Nga fama në muzikën pop të viteve ’90 me grupin Spice Girls, ajo u kthye në një stiliste dhe ikonë të modës.

Me kapërcimin e një moshe të caktuar a mundet Beckham si një burrë tatuazhet e të cilit janë parë të reklamuara me trupin thuajse lakuriq në të gjithë botën, të merret seriozisht për biznes?

Reputacioni i tij vetëm si një lojtar ka pak gjasa të jetë bazë e qëndrueshme kur vjen puna për vështirësitë e realitetit.

Përpjekja e Beckham për të ngritur një franshizë të re të Ligës Madhore të Futbollit në Majami, që u bë e mundur prej një kontrate 25 milionë dollarëshe dhe që pritet të ketë realizimin përfundimtar në vitin 2018, mund të jetë biznesi i duhur për ish-futbollistin, mendon këshilltari Fynn, në vend të një grupi kazinoje.

Dërgimi i futbollit europian në një SHBA ku luhet më së shumti futbolli vendas, është një lëvizje e mirë biznesi dhe një mundësi e artë.

Beckham nuk i eci keq me markën personale, duke shtuar kështu zerot në llogarinë e tij bankare. Me udhëzimet nga personat e duhur, ai është tashmë personifikimi i burrit metroseksual: ambicioz dhe i suksesshëm; një bashkëshort dhe baba i mirë; seksi dhe i veshur mirë; i ndjeshëm dhe përkujdesës, ndërsa mbetet mashkullor.

Ai përcaktoi një lloj të ri marke atleti, që edhe tani, nuk është arritur të kopjohet prej Cristiano Ronaldos, pozicion që Beckham e ka mbajtur për dy dekada.

Megjithatë ekspertët mendojnë se është koha për ish-lojtarin e Manchester United dhe yllit të Anglisë të shkojë një hap përpara vetes. Ata pretendojnë se markës Beckham i mungon qartësia dhe fokusi.

Një provë për këtë është përfshirja e tij në OKB si një diplomat sporti, ndërsa planet për një ligë amerikane futbolli e paraqisnin atë si një sipërmarrës futbolli.

Atij i duhet të bëjë një zgjedhje për karrierën e tij, sepse nuk mund të jetë gjithçka dhe gjithkush.

Por ndërsa Beckham kritikohet për lidhjet e tij me kumarin dhe alkoolin, ai ka bërë ndërhyrje të tjera në tregun aziatik. Ai jo vetëm që është fytyra e Sands Kina, që ka veprimtari kazinoje, por në 2013 nënshkroi një marrëveshje për t’u bërë ambasador i vullnetit të mirë për Super Ligën Kineze.

Eksperti Fynn beson se Beckham do të përshtatej më së miri në tregun kinez nëse mbetet te futbolli dhe nuk përdoret nga federata kombëtare e përfshirë në afera korruptive.

Gjithsesi familja Beckham ka treguar se ka aftësi të përshtatet te sfidat e reja. Në fillimet e tij ai ishte një lojtar që nuk fliste shumë e për më tepër nuk fliste mirë. Me një dialekt të përçmuar të anglishtes, ai ia doli të bëhet tanimë një burrë me vetëbesim.

Për shkak të kësaj, ai është në gjendje ta shprehë më shumë veten. David ka mësuar të pozojë në kamera si një model i vërtetë, ai di ta përdorë trupin e vet, di të objektivizohet dhe bën para nga kjo gjë. Me pak fjalë, e ka të qartë çdo hap që hedh.

Nga një futbollist i pashëm që vishte kostume të bukura futbollisti, ai u kthye në një person me shumë tatuazhe dhe pak veshje. Gjë që e ka bërë me vetëdije të plotë.

Sipërmarrja në Majami, ku Beckham është bashkëpronar me dy të tjerë do të jetë një hap vendimtar në të ardhmen e familjes së tij. Si një sprovë e madhe për aftësitë e tij në biznes, Beckham do t’i duhet të tregojë më tepër kujdes sesa sipërmarrjet e tij të mëparshme në Britani, të cilat falimentuan shpejt.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat