Truke gjeniale për të zgjatur jetën e disa produkteve

Life style

Truke gjeniale për të zgjatur jetën e disa produkteve

Më: 4 mars 2015 Në ora: 19:47

Kriza ekonomike, taksat në rritje dhe shqetësimet e ndryshme shpeshherë e bëjnë të vështirë jetën e përditshme të një familjeje me të ardhura mesatare dhe të ulëta. Është shumë e vështirë që të mbulohen deri në fund të muajit të gjitha nevojat për çdo anëtar të një familjeje. Por a nuk do të ishte më mirë që objektet për të cilat kemi shumë nevojë t’i bënim të padëmtueshme, në mënyrë që të mos i blinim sërish? Mbase kjo gjë mund të arrihet në të ardhmen, tani për tani bëhet fjalë vetëm për fantashkencë.

Por ekzistojnë në fakt disa truke që të gjithë ne mund t’i shfrytëzojmë në shtëpi për të zgjatur jetën e objekteve të përdorimit të zakonshëm, si për shembull të reçipetave, brisqeve të rrojës apo të konservonim më gjatë frutat, perimet dhe produktet e qumështit, për të mos rinovuar mobiliet ose për t’i mbajtur lulet e freskëta.

Si të kurseni bojën e printerit

Boja e printerit tashmë kushton thuajse sa një shishe shampanjë. Për të dyfishuar kohëzgjatjen e saj apo për të mos blerë një për çdo dy javë, mjafton të zgjidhni karakteret tipografike (llojin e shkrimit) më të vogla dhe të holla, si Garamond ose Courier dhe ta çoni cilësinë e bojës thuajse në minimum. Ose përndryshe online mund të gjeni disa Ecofont (lloje shkrimi ekonomike për printim) dhe t’i shkarkoni nga interneti.

Si mund ta përdorni më gjatë briskun e rrojës

Ndoshta çmimi i lartë i brisqeve të rrojës është edhe arsyeja se përse mjekra e meshkujve është në modë kohët e fundit. Pjesa më e madhe e këtyre brisqeve janë projektuar që të përdoren vetëm pesë deri në shtatë herë. Por edhe për kohëzgjatjen e përdorimit të tyre ka disa truke. Së pari, është e mundur që të reduktoni përdorimin e brisqeve të rrojës poshtë dushit dhe menjëherë pas tij, kur lëkura është më e butë. Pasi ta thani mirë briskun e rrojës vendoseni në një vend të thatë për të shmangur brejtjen apo gërryerjen e tij. Kur tehet e tij të fillojnë të prishen, mjafton që ta kaloni me lëvizje para mbrapa te këmba e një palë pantallonave xhins, e kthyer së prapthi.

Për të konsumuar më gjatë frutat dhe perimet

Nuk është e thënë se frutat dhe perimet që thahen, duhet të hidhen. Për të rifituar karotat për shembull, mjafton që t’i vendosni në ujë me akull për një orë. Kur perimet t’i vendosni në frigorifer poshtë kutisë ku do t’i fusni, vendosni një leckë që thith ujin e mundshëm që ato mund të përmbajnë, i cili shpeshherë bëhet shkaktar i prishjes së tyre. Qepët dhe hudhrat do të qëndrojnë të freskëta për rreth gjashtë muaj, nëse do t’i vendosni brenda çorapeve të holla apo getave, duke i kthyer këto të fundit në një qese përdorimi shumë të leverdishme e duke i varur diku larg produkteve të tjera. Bananet mbajini të ndara nga frutat e tjera, sepse ato lëshojnë etilen, një gaz, i cili i dëmton më shpejt frutat e tjera. Por ndërkohë edhe vetë bananet mos i mbani ngjitur me njëra-tjetrën, ndërsa bishtin e tyre mbështilleni me qese kuzhine, sepse vetëm në këtë mënyrë ato do të zgjasin më shumë.

Po çadrat si mund të shkojnë më gjatë?

Mos e shkundni shumë çadrën, pasi t’i keni bërë ballë një rrebeshi shiu jashtë, sepse uji mund të shkojë në çdo cep të saj dhe mund t’i ndryshkë telat prej të cilave ajo është ndërtuar, plus që vetë këta të fundit, mund të lëvizin nga vendi. Lëreni të hapur derisa të thahet plotësisht. Ndërkohë, pastrojeni me një leckë të thatë pas çdo përdorimi.

Si të shmangni prishjen e lavatriçes

Nga të gjitha elektroshtëpiaket, lavatriçja është një nga ato të cilat e ka jetën më të shkurtër në shtëpi. Një makinë e re e larjes së rrobave ka nevojë mesatarisht për tri riparime në shtatë vitet e para të jetës së saj. Ndaj, për të shmangur prishjen e kësaj pajisjeje, mjafton që koshin e saj mos ta mbushni plot me rroba, sepse ky veprim do të rriste përdorimin e makinës. Kontrollojeni nëse është e vendosur mirë në dysheme, sepse mosnivelimi dhe lëvizjet e shumta mund të shkatërrojnë pajisjet e lavatriçes. Ndërkohë, nëse jetoni në një zonë ku uji është me shumë kripëra, përdorni një produkt cilësor antikalkar.

Si mund të harxhoni sa më pak benzinë

Kur përshkoni rrugë me distancë të gjatë mbani një shpejtësi konstante, sepse në këtë mënyrë mund të kurseni shumë benzinë. Hiqni gjërat dhe objektet e kota që i mbani në bagazhin e makinës, sepse pesha rrit konsumin e karburantit me 10%.

Ja se si nuk prishen shpejt reçipetat

Reçipetat janë veshjet intime që vishen dhe lahen më shpesh nga femrat. Lavatriçja i prish shumë ato, ndaj është më mirë që t’i lani me dorë, duke i lënë në ujë me detergjent për pak minuta. Mos i thani asnjëherë te kaloriferi.

Lule të freskëta për një kohë të gjatë

Për t’i mbajtur lulet të freskëta sa më gjatë të jetë e mundur mjafton që t’i spërkatni ato me ujë të përzier me pak solucion që shërben për higjienën e gojës. Veprimi antibakterial do të mund të ngadalësojë rritjen e baktereve që shkaktojnë përkeqësimin e luleve. Brenda vazos me ujë ku do t’i vendosni, shtoni edhe pak vodkë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat