Këshilla të thjeshta për të qenë një mashkull më tërheqës

Life style

Këshilla të thjeshta për të qenë një mashkull më tërheqës

Më: 4 mars 2015 Në ora: 16:51

Dëshironi të jeni tërheqës me disa hapa të thjeshtë dhe origjinalë? Mësoni ta përdorni trupin tuaj sipas mënyrës së duhur për të qenë të dëshirueshëm dhe për të bërë për vete femrat

Buzëqeshni. Njerëzit që buzëqeshin duken më miqësorë dhe më të afrueshëm me të tjerët sesa ata që e mbajnë fytyrën të ngrysur. Për më tepër, nëse buzëqeshni më shumë, ata që duan t’ju afrohen do ta kenë më të lehtë dhe pa ndrojtje. Një studim i mëparshëm ka treguar se meshkujt preferonin më shumë femrat të cilat buzëqeshnin, ndërsa femrat preferonin meshkujt që ishin seriozë me raste, por edhe të buzëqeshur kur duhej.

Mirëmbajtja e mjekrës. Është e rëndësishme të kujdeseni për mjekrën tuaj. Femrat preferojnë meshkujt që e heqin mjekrën rregullisht. Nëse vendosni të mbani mjekër të gjatë, atëherë duhet të tregoni dyfish kujdes për të. Ndërsa për femrat, meshkujt i kushtojnë shumë rëndësi formës së vetullave.

Flokët. Një nga përbërësit kryesorë të bukurisë janë flokët, si pjesë e integruar e pamjes së jashtme, së cilës i kushtojnë shumë rëndësi të dyja gjinitë. Te femrat preferohen flokët e gjatë dhe të shëndetshëm, ndërsa te meshkujt flokët e shkurtër me prerje të veçanta, që nxjerrin në pah tiparet e fytyrës, që janë dhe çelësi i suksesit.

Veshja. Një element që mund t’ju japë fitore ose humbje në një takim të parë është veshja. Sa më e përshtatshme të jetë ajo për trupin tuaj, aq më tepër përshtypje të mira lini te të tjerët. Kostumet që mund të jenë më të ngushta ose më të gjera nga sa ç’duhet, mund t’ju hapin telashe me pamjen e jashtme dhe mund t’ju skualifikojnë në sytë e të tjerëve.

Kontakti pamor. Sasia e duhur e kontaktit pamor kur dikush flet, është një nga aspektet e rëndësishme të suksesit në një takim. Nëse e shihni shumë tjetrin, atëherë mund të dukeni si një i fiksuar, por nëse mbani pak kontakt me sy, mund të përcillni një ide komplet tjetër. Disave mund t’u duket e vështirë ruajtja e kontaktit pamor, mos u shqetësoni, filloni ta ushtroni së pari me të njohurit dhe më pas me të panjohurit.

Ecja. Mënyra juaj e të ecurit tregon shumë për mënyrën e karakterit dhe besimin që keni në vetvete. Mbajeni trupin të relaksuar dhe sytë e kokën në mënyrë të tillë që të tregoni se keni besim te vetja dhe kështu do të mund t’u përcillni të tjerëve siguri dhe do të jeni tërheqës në sytë e tyre.

Aroma. Askush nuk pëlqen të dalë me dikë që nuk ka aromë të mirë. Të gjitha përpjekjet për t’u dukur tërheqës mund të bëhen tym nëse aroma që përçoni është e pakëndshme. Bëni përditë dush dhe përdorni rregullisht deodorant. E njëjta gjë funksionon edhe për higjienën e gojës. Lajini dhëmbët dhe përdorni mjetet e duhura për të hequr qafe erën e keqe të gojës.

Jini të qetë. Tërheqës dhe nervozë? Dy terma që nuk shkojnë bashkë nëse doni të lini një përshtypje të mirë te personi me të cilin keni dalë. Kini besim te vetja dhe luftojeni nervozitetin, pasi të tjerët kanë nevojë për siguri dhe besim. Femrat për nga natyra e tyre duan dikë që të marrë përsipër rreziqet, t’u bëjë ballë problemeve dhe të gjejë zgjidhjet. Nëse e humbni toruan, mund të humbni edhe dashurinë.

Humori. Një mashkull pa humor nuk duket aspak argëtues në sytë e një femre. Për këtë arsye, jini sa më gazmorë, bëjini të tjerët të qeshin dhe qeshni edhe ju me batutat e tyre. E qeshura ju bën më tërheqës, sepse ju premton një kohë më të bukur për ata që shoqërohen me ju. Për më tepër, sa herë qeshni përçoni mesazhin që jeta juaj është në rregull dhe kjo është ajo që kërkojnë ata që duan të shoqërohen me ju. Askush nuk do të jetë me dikë që e ka jetën rrëmujë.

Gjuha e trupit. Mesazhet që përcjell trupi juaj, janë po aq të rëndësishme sa ato që ju flisni. Nëse dukeni shumë të zënë në pamje të jashtme, të tjerët do t’ju shmangin. Askush nuk kërkon të marrë rrezatimin e stresit prej tjetrit. Për më tepër, kur paraqiteni si shumë të ngarkuar, të tjerët mund të mendojnë se do t’ju shqetësojnë nëse ju flasin. Jini të qetë dhe në kontroll të trupit tuaj për të qenë më tërheqës.

Bëni pyetje. E vetmja mënyrë për të gjetur një balancë në bisedat me të tjerët është të flisni dhe të dëgjoni. Duke bërë pyetje jo vetëm që do të njihni më mirë të tjerët, por gjithashtu do të tregoni se jeni të interesuar për personin me të cilin po bisedoni. Të qenët jo egoist në një bisedë, ju bën padyshim tërheqës.

Ngjyrat. Tërheqës dhe me ngjyra. Këto janë dy karakteristika që ju duhen. Vishni rroba dhe aksesorë me ngjyra të hapura. E zeza mund t’ju bëjë të dukeni më seriozë nga ç’duhet, ndaj tregohuni të kujdesshëm në sinjalet që përçojnë ngjyrat që mbani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat