Anulohet ekspozita britanike e skllavërisë

Life style

Anulohet ekspozita britanike e skllavërisë

Më: 28 shtator 2014 Në ora: 19:16

Një ekzibicion artistik për skllavërinë me aktorë zezakë që përfaqësonin skllevërit afrikanë është anuluar në një qendër arti në Londër pas protestave për racizëm, por ka ngritur debatin e gjerë mbi lirinë e shprehjes.

Shfaqja e titulluar, ‘Exhibit B’, nga regjisorja afrikano-jugore Brett Bailey, kërkonte të tregonte historinë e skllevërve afrikanë dhe azil-kërkuesve, duke përdorur aktorë me ngjyrë, në një seri skenash të luajtura ‘live’.

12 instalacionet përfshinin një grua me ngjyrë, lidhur pas një krevati apo një të ri zezak me maskë, për të cilin Bailey tha se rikrijonte vuajtjet e skllavërisë dhe fenomenin e "kafazit njerëzor" ku në shekullin e 19-të afrikanët shfaqeshin përpara aristokracisë evropiane dhe amerikane.

Por rreth 200 demonstrues dolën në rrugë jashtë shfaqjes, duke bërë që organizatorët të anulonin tetë performancat e planifikuara për këtë javë.

"Ishte e pamundur që ne të vazhdonim shfaqjen për arsye të natyrës ekstreme të protestës dhe kërcënimin ndaj performuesve", tha një zëdhënës i qendrës artistike Barbican.

Fushata e quajtur "Bojkoti i kopshtit zoologjik njerëzor", e drejtuar nga Sara Myers, protestonte për atë që u quajt "një akt i paramenduar dhe revoltues racizmi" me një fushatë peticionesh që kishte kulmuar në protestën e kësaj jave.

Përpara se të vinte në Londër, ekzibicioni ishte realizuar në 12 qytete evropiane, ku vlerësimet kishin qenë kryesisht pozitive.

Anulimi i shfaqjes nxiti debatin në rrjetet sociale mbi atë që mund të quhet art dhe kufijtë e eksplorimit të racizmit.

Bailey është një artiste që fokusohet në mizoritë post-koloniale të Afrikës dhe ka vënë në skenë shfaqje të ngjashme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat