Dieta paleolite, të hamë si 2.6 milion vite më parë

Life style

Dieta paleolite, të hamë si 2.6 milion vite më parë

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 12:38

Qytetërimi ndër shekuj ka zhdukur një nga një fiset indigjene dhe sot ato fise fanatike që vazhdojnë me të njëjtin stil jetese si në epokën e paleolitit, rreth 2.6 milion vite më parë, numërohen me gishta.

Këto fise janë vënë në qendër të vëmendjes shpesh nga kureshtja, por edhe për qëllime studimore. Një rast i tillë është edhe ai i një grupi studiuesish amerikanë që ndihmon me këshilla për dietë ushqimore mijëra amerikanë në vit. Studiuesit thonë se po jetojmë në epokën e “Fast Food”, por brenda guackës së organizmit të epokës së paleolitit. Ata thonë se genet e organizmit tonë nuk kanë patur kohën e mjaftueshme dhe nuk u janë përshtatur ndryshimeve drastike në stilin e jetesës, por sidomos në ushqim.

Loren Cordain, dietolog i njohur dhe autor i librit “The Paleo Diet” përforcon akoma më shumë studimin e Universitetit të Arkansasit duke thënë se gjatë një studimi të anëtarëve të komunitetit Hadja në Tanzani u vu re një prezencë thuajse zero e sëmundjeve kardivaskulare, diabetit, luhatjeve të tensionit, kancerit e deri tek aknet, por edhe të tjera që sot janë sëmundje tipike të vendeve të zhvilluara.

Cordain shkruan se anëtarët e këtij fisi indigjen, që jeton vetëm nëpërmjet gjuetisë dhe peshkimit, sigurojnë më shumë se gjysmën e kalorive nga mishi dhe peshku duke ndjekur të njëjtin regjim ushqimi si paraardhësit e tyre 2.6 milion vite më parë.

Paleontologët besojnë se ka qenë pikërisht konsumi i mishit ai që ka luajtur rolin kryesor në rritjen e masës së trurit të njeriut në epokën e paleolitit. Megjithatë për zbatimin e kësaj diete ka një problem të madh. 2.6 milion vite më parë njerëzimi ishte shumë herë më i paktë në numër dhe burimet e natyrës disa herë më shumë. Sot nëse të gjithë njerëzit do të vendosnin të ndiqnin dietën paleolite mishi do të zhdukej brenda pak orësh. Si kompensohet kjo?

Alison Brooks, paleoantropolog i universitetit “George Washington” thotë se jo gjithmonë indigjenëve të sotëm u ecën me gjuetinë dhe nuk janë të rralla kur kthehen duarbosh nga ekspeditat e tyre, por ata e zëvendësojnë mishin me produktet e natyrës që u sigurojnë të njëjtat sasi kalorish. Brooks sjell si shembull indigjenët e Amazonës, që në ditë të këqia konsumojnë sasi të mëdha bananesh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat