Udhëtimi – Dua divorcin, do të shkoj të kolonizoj Marsin!

Life style

Udhëtimi – Dua divorcin, do të shkoj të kolonizoj Marsin!

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 13:53

“Nuk mendoj se mund të aplikosh për diçka të tillë dhe të mos jesh pak e çmendur”, thotë Sonia van Meter. “Por kjo është aventura madhështore e së ardhmes dhe unë do të bëj çdo gjë që të jem pjesë e saj.”

Këshilltarja politike 35-vjeçare nga Austin, Teksas, është një prej 705 personave që po konkurrojnë të formojnë një koloni njerëzore prej 20-30 personash në Mars, një grup i përzgjedhur nga 200 mijë aplikime.

“Mendova se do të jetë argëtuese, por nuk mendova se do të kisha mundësi të bëhesha pjesë e saj”.

Për bashkëshortin Jason Stanford, aplikimi i saj dhe fakti që ajo ka tani shansin 1 në 35 për të ikur përgjithmonë nga planeti Tokë, provokoi ndjenja të përziera.

“Si çdo burrë i mirë amerikan, fillimisht mendova se kishte të bënte me mua. Mendova se ajo po më linte”, shpjegoi ai.

Por me kalimin e kohës bashkëshorti ndryshoi mendim. “Sa më shumë që ajo fliste rreth projektit, aq më tepër e kuptoja se ajo po e bënte këtë për arsyen e duhur – ajo po e bënte për t’i treguar njerëzimit se çfarë mund të bëjmë nëse punojmë së bashku”, shtoi ai.

“Jeta pa të do të jetë agoni, por unë do të jetoj për të treguar historinë e saj në Tokë”, shpjegon bashkëshorti i gruas që është kandidate për të kolonizuar Marsin.

Van Meter, nga ana e saj, është e prekur për familjen që ka. “Jam shumë me fat që kam një familje të mrekullueshme për të lënë pas.”

Plani është që duke filluar nga viti 2024 të dërgohen katër persona në planetin e kuq çdo dy vjet derisa të formohet një koloni prej 40 personash – financimi vjen nga reality show që bën “Big Brother”.

Dashuria e Van Meter për hapësirën daton nga fëmijëria e saj, prej serialit që ka frymëzuar të gjithë amerikanët, “Star Trek”.

Edhe në këtë moshë, asaj i pëlqen të shohë filmin “Apollo 13” disa herë në vit. “Sa bukur që qindra njerëz punuan së bashku për të siguruar që tre njerëz të ktheheshin në tokë të sigurt”, thotë ajo.

Gara për në Mars

“Mars One” është vetëm një nga disa iniciativat për të dërguar njerëz në Mars. Planet janë që turisti i parë hapësinor, Dennis Tito, të dërgojë një çift për t’u martuar në Mars në vitin 2018. Udhëtimi do të marrë 18 muaj.

“Space X”, një kompani private në kontratë me NASA-n, dëshiron të ndërtojë një qytet të madh në Mars, në vitin 2026. Vetë NASA nuk ka plane të çojë njerëz në Mars para vitit 2035.

Gruaja që dëshiron Marsin

Në nëntor, ajo dhe Stanford do të festojnë pesë vite bashkë, por ata e dinë se mund të ketë edhe dhjetë vite të mbetura. A nuk duket kjo e çuditshme? Van Meter thotë që jo.

“Një herë ai më tha se më donte deri në fund të Tokës dhe më tej, pavarësisht çdo gjëje. Ne nuk e dinim që çdo gjë nënkuptonte largimin tim në një planet tjetër”, tregon 35-vjeçarja.

Nga ana e tij, bashkëshorti u referohet betimeve martesore.

“Të mendosh një jetë pa partneren tënde është diçka e rëndë, por kur kthehem dhe lexoj premtimet e martesës, kuptoj se kam premtuar ta mbështes atë në çdo zgjedhje dhe se jetët tona do të ishin një aventurë.”

Sensi i humorit është diçka për të cilën ky çift ka shumë nevojë. Me publikimin e lajmit, ata kanë marrë komente jo shumë mbështetëse. Njerëzit e kanë të vështirë të imagjinojnë sesi mund ta duash dikë dhe njëkohësisht ta lësh për një udhëtim në Mars.

Sonia van Meter shpjegon se ajo mendonte që njerëzit do ta shihnin me sy tjetër, ashtu siç shohin të mrekulluar uljen në Hënë. “Nuk isha e përgatitur të dëgjoja se isha një grua e tmerrshme apo që isha shumë egoiste e arrogante.”

Stanford e krahason magnitudën e misionit në Mars me udhëtimet e Kolombit apo Magelanit.

Rreziku është në fakt i madh, për disa madje vetëvrasës, por edhe lavdia është e madhe.

Kur babai i Van Meter dëgjoi se ajo ishte përzgjedhur mes 200 mijë njerëzve, ai e pyeti sesi mund ta bënte diçka të tillë.

“Imagjino varrin e personit të parë që ka vdekur në një planet tjetër”, iu përgjigj ajo. Pas një çasti heshtjeje, ai i tha: “Të kuptoj”.

I.D

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat