Violinistja luan Moxartin gjatë operacionit (VIDEO)

Life style

Violinistja luan Moxartin gjatë operacionit (VIDEO)

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 18:05

Një violiniste ka luajtur Moxartin gjatë një operacioni në tru në një klinikë izraelite.

Për 20 vjet, ajo vuante nga dridhjet e duarve, që i kishin dëmtuar karrierën, por pas operacionit ajo do të jetë në gjendje që të luajë sërisht në mënyrë profesionale.

Naomi Elishuv ka qenë një violiniste profesioniste në Orkestrën Simfonike Kombëtare në Lituani para se të diagnostikohej me dridhje duarsh. Më vonë, asaj iu desh që të ndërpriste karrierën e saj.

Ditën e martë, Elishuv bëri një ndërhyrje kirurgjikale në Qendrën Mjekësore Sourasky në Tel Aviv për të eliminuar simptomat e sëmundjes së saj. Operacioni ishte unik. Profesor Yitzhak Fried, Drejtor i Neurokirurgjisë Funksionale, që e operoi Naomi-n tha se ishte hera e parë që ai operonte një pacient që luante një instrument gjatë procesit.

“Jam shumë i lumtur që kishim mundësinë për të shijuar një koncert privat nga një muzikante e talentuar dhe e nderuar”, tha ai për median izraelite.

Gjatë operacionit, mjekët i vendosën një pajisje me elektroda në zonën e dëmtuar të trurit. Pajisja emeton impulse për të frenuar dridhjet që e shqetësonin violinisten gjatë performancave. Për të vendosur elektrodat në vendin optimal, ekipi mjekësor kishte nevojë për pjesëmarrjen e saj në kohë reale, pra, ajo duhet t’i binte violinës.

“Gjatë procedurës, ajo nuk ndiente dhimbje, pasi këto zona në tru nuk shkaktojnë dhimbje”, tha Fried. “Kur ne aktivizuam stimulimin në vendin e saktë, gjetëm se dridhjet zhdukeshin dhe Elishuv vazhdonte të luante Moxartin me emocion të madh, por pa efekte anësore apo dridhje”, shtoi ai.

Në videon e shfaqur në YouTube, Naomi po luan Moxartin, ndërsa mjekët po kryejnë ndërhyrjen kirurgjikale. Në një moment ajo bërtet “Jam në kontroll” dhe më në fund fillon të luajë pa dridhje.

Elishuv tha se nuk mund t’i binte violinës për 20 vjet, për shkak të dridhjeve. Ajo shtoi: “Dashuria ime më e madhe ishte t’i bija violinës, por fatkeqësisht, deri më sot, më është dashur ta bëj duke mësuar të tjerët. Dridhjet më kanë penguar të luaj në mënyrë profesionale dhe kjo ka qenë shumë e vështirë për mua, pasi jam mësuar t’i bie gjithë jetën time”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat