Restoranti danez i një shqiptari nga Maqedonia

Life style

Restoranti danez i një shqiptari nga Maqedonia

Më: 20 prill 2014 Në ora: 17:28

Duke naviguar si rastësisht në internet, në faqen online të njërës prej gazetave më prestigjioze britanike, “The Guardian”, has në një njoftim më tepër të formës këshilluese, i cili është e pamundur të mos ngjallë kureshtjen për të kërkuar edhe më tej.

Ai flet për një restorant të vogël, Noma, ku është tmerrësisht e vështirë të bësh rezervim, por që kryeqytetin danez Kopenhagen e ka shndërruar në njërin prej destinacioneve më të rëndësishme të ushqimit në botë.

Kuzhina e tij është e mbushur me shefa të aftësive të jashtëzakonshme, që kanë arritur me shumë mund të fitojnë besimin e pronarit: Rene Rexhepi, me baba një shqiptar të Maqedonisë, e nënë daneze.

36-vjeçari ka lindur në Danimarkë, ku familja e tij u shpërngul pas fillimit të luftrave në ish-Jugosllavi. Rexhepi do të punonte në restorante elitare, si “French Laundry”, “elBulli”, “Kong Hans Kaelder” apo “Le Jardin des Sens”, përpara se të merrte iniciativën e daljes më vete.

Ambienti i zgjedhur për restorantin ishte mjaft i veçantë: një magazinë e vjetër buzë ujit, në qendër të Kopenhagenit, shumë pranë sheshit tregtar, prej 200 vjetësh qendër e tregtisë me Ishujt Faroe, Islandën e Groenlandën.

Peshku i tharë, harengat e tymosura, vaji e lëkura e balenës, janë ndër artikujt e ruajtur në këto depo, përpara se të nxirrej në shitje. Për tri vjet rresht, 2010, 2011 dhe 2012, revista “Restaurant” e ka renditur “Nomen” në krye të listës së restoranteve më të mirë të botës.

Kuzhina e tij përshkruhet si nordiko-skandinave, një përpjekje e Rexhepit për të ripërvijuar ushqimin nordik, më shumë si interpretim të atij vet, se sa si pjatë klasike, e shoqëruar kjo me një servirje të jashtëzakonshme për nga fantazia e ngjyrave dhe formave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat