Të mirat: 5 gjëra që mund të bëni me llumin e kafesë

Life style

Të mirat: 5 gjëra që mund të bëni me llumin e kafesë

Më: 17 prill 2014 Në ora: 14:42

Nga kafeja nuk hidhet asgjë, qoftë edhe llumi i saj, duke qenë se ajo përmban substanca të veçanta, ideale për përdorime nga më të ndryshmet:

Llum kafeje kundër hirit

Nëse keni fatin të keni oxhak në sallon, por jeni të terrorizuar nga pluhuri që formohet sapo ai fiket, mos u shqetësoni: përdorni llumin e kafesë përpara se ta pastroni. Lyeni me llumin e njomë të kafesë brendësinë e oxhakut, në këtë mënyrë do të jetë më e thjeshtë që të eliminoni çdo gjurmë hiri pa pasur frikë se mund të bëni pis të gjithë dhomën.

Llum kafeje për të aromatizuar frigoriferin

Kjo është një metodë që po përdoret gjithnjë e më shpesh në shumë familje, të cilat nuk duan të blejnë produkte artificiale për pastrimin e shtëpisë dhe “vrapojnë” drejt trukeve të pagabueshme të gjysheve. Nëse në frigorifer keni harruar ushqime të skaduara dhe doni të eliminoni çdo gjurmë të erës së keqe, provoni të përdorni llumin e kafesë. Mjafton që në të të vendosni një kupë me llum kafeje dhe ta lini të veprojë për gjatë gjithë natës. Por nëse dëshironi që t’i jepni një aromë akoma edhe më të mirë frigoriferit tuaj atëherë mjafton që llumit të kafesë t’i shtoni pak vanilje apo ndonjë aromë tjetër që preferoni më shumë.

Llum kafeje për bimët dhe për lulet

A e doni shumë të gjelbrën? Atëherë përdorni prodhime natyrale si llumi i kafesë për të shumuar lulet. Mos e hidhni asnjëherë llumin e kafeve që bëni kryesisht në shtëpi. Ai është i pasur me ato substanca ushqyese për të cilat bimët acidofile kanë nevojë në mënyrë të veçantë. Konservoni llumin e kafesë për të shtuar trëndafilat, lulet që qëndrojnë gjithmonë të gjelbra, lulet kamile etj. Rezultatet e mira do t’i shihni shumë shpejt.

Llum kafeje për kopshtin

Sa e sa herë keni provuar që të mbani larg “miqtë me katër këmbë” nga lulet tuaja të dashura? Zgjidhja ideale është e gjitha natyrore dhe sigurisht efektive. Realizoni një përzierje me llumin e kafesë dhe lëkurave të portokallit dhe shpërndajeni atë rreth e qark bimëve. Ky “ilaç” do t’ju ndihmojë jo vetëm që t’i mbani macet apo qentë larg bimëve dhe luleve, por edhe t’i ushqeni këto të fundit me një produkt natyral.

Llum kafeje për të reduktuar celulitin dhe jo vetëm

Përse të harxhoni para për një krem të shtrenjtë anticelulit kur mund të përdorni llumin e kafesë? Mbase jo të gjithë e dinë se përbërësi sekret i kremrave anticelulitë është pikërisht kafeja. Ndaj realizoni një krem të bërë nga vetë ju duke përzierë në një tas llum kafeje të ngrohtë me një lugë vaji ulliri ose bajamesh apo edhe arrash. Aplikojeni përzierjen te kofshët dhe te zonat e tjera të cilat ju interesojnë më shumë për të eliminuar celulitin. Ndërkaq, zonat e lyera me këtë “krem” mbështillini me një qese kuzhine dhe lërini ashtu për 5 minuta. Pasi ta keni hequr qesen, qetësohuni me një dush të ngrohtë duke hequr mbetjet e fundit me një furçë pastrimi. Përsëriteni këtë proces dy herë në javë. Llumi i kafesë është shume i mirë edhe për t’u dhënë shkëlqim flokëve të dëmtuar. Pas shampos, fërkojini flokët me llumin e kafesë dhe me pas shpëlajini. Do e shihni që ngjyra e flokëve tuaj do të rigjallërohet. Llumi i kafesë mund të përdoret edhe për rrathët e syrit. Përzieni një lugë të vogël me llum kafeje me një lugë të vogël djathë të bardhë ose kos dhe sipër shtojini disa pika limoni. Vendoseni këtë përzierje në frigorifer. Më pas përdoreni si maskë kundër rrathëve të syrit. Lëreni për rreth 10 minuta dhe fshijeni me anë të një cope pambuku. Për qafën dhe fytyrën mund të përzieni llumin e kafes me një të bardhe veze. Për ta bërë më të butë i hidhni edhe pak mjaltë. Aplikojeni dhe mbajeni 2 minuta para se ta shpëlani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat