Kristina Rivera,“e mbijetuara e vetme”

Life style

Kristina Rivera,“e mbijetuara e vetme”

Më: 16 prill 2014 Në ora: 14:33

Në faqen e parë të prestigjozes “New York Times”, në numrin e së dielës (13 prill), ishte historia e dy grave, Kristina Rivera dhe Xhoana Xheifi. Nuk ishte hera e parë që ato të dyja përfundonin në faqet e para të gazetave: 30 vjet më parë, Xhoana ishte agjentja e policisë që mori në krah Kristinën një vjeçe, duke e nxjerrë jashtë apartamentit ku kishte ndodhur një ndër vrasjet më të mëdha në masë në Nju Jorkun e dekadave të fundit.

Historia e ka zanafillën më 15 prill 1984, një ditë e cila në Nju Jork kujtohet si “masakra e të dielës së Palmave”. Në një apartament në kat të parë të “Liberty Avenue”, Bruklin, u gjetën të vrarë me armë zjarri dhjetë persona: 3 gra, një adoleshent dhe 6 fëmijë. Disa nga viktimat ishin në shtrat, të tjerët të ulur në karrige dhe divan. Duart e njërës prej grave shtrëngonin ende një lugë dhe një gotë pudingu. Një njeri i vetëm mbijetoi: Kristina 13 muajshe u gjet mes kufomave, ndërsa qante e mbuluar me gjak. Nëna e saj, Karmen Perez, 20 vjeçe dhe dy vëllezërit Alberto e Noel, 5 dhe 3 vjeç, si dhe disa kushërinj, kishin vdekur të gjithë. Agjentja Xhoana Xheifi dhe kolegu i saj ishin të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, duke kërkuar më kot vrasësin. Më vonë u zbulua se ishte Kristofer Tomas, një narkoman i cili u arrestua dhe u dënua me 250 vjet burg (edhe pse sipas ligjeve njujorkeze do të kryejë jo më shumë se 50 të tilla).

Kristina u mor nga një fqinj dhe iu dorëzua menjëherë oficeres Xhoana. Historia përfundoi në faqen e parë të “Neë York Post” me titullin “The Only Survivor” (E mbijetuara e vetme), bashkë me një fotografi, ku shihet Xhoana që shtrëngon në krahë Kristinën. Ajo ishte edhe fotoja e parë e atyre të dyjave si familje. Pas asaj natë të tmerrshme, gruaja kërkoi menjëherë ta merrte me vete vajzën, por shërbimet sociale vendosën që ajo të jepej së pari në birësim te një familje dhe pastaj me gjyshen Felicia Rivera, e cila i kishte thënë se e ëma kishte vdekur nga një problem asme. Një ditë, kur tashmë ishte 10 vjeç, Kristina erdhi nga shkolla shumë e tensionuar. Një shoqe i kishte treguar se mamaja e saj ishte vrarë. Gjyshja nuk mund t’ia fshihte më, nxori një valixhe të mbushur me gazeta të prera dhe i tregoi shumë artikuj dhe fotot e familjes së saj.

Në atë periudhë Xhoana Xheifi ishte e pranishme në jetën e vogëlushes. Shkonte e vizitonte, i jepte dhurata dhe herë pas here i linte para gjyshes për rritjen e saj. Me kalimin e kohës vizitat u shpeshtuan dhe gjatë fundjavave agjentja filloi të merrte Kristinën në udhëtimet që bënte me të fejuarin e saj, edhe ai agjent policie. Kur Kristina u bë adoleshente dhe për gjyshen ishte gjithnjë e më e lodhshme të merrej me të, lindi ideja e transferimit të saj përfundimtar në shtëpinë e çiftit.

Brenda një viti, Xhoana Xheifi e Doxh Linhan u martuan dhe blenë një shtëpi të re për të jetuar të tre. Por vajza po përballej me shumë vështirësi. Pyeste vazhdimisht për vrasjen e së ëmës, nuk arrinte të dilte vetëm nga shtëpia dhe lidhja e saj me Xhoanën bëhej gjithnjë e më e fortë. Nisi të bëhej xheloze për bashkëshortin e saj. Ndërkaq Xhoana shqetësohej për orët e shumta që vajza kalonte në shtëpi vetëm, ndërsa ajo dhe Doxh ishin me shërbim. Gruaja kontaktoi me të atin e Kristinës dhe ranë dakord që vajza të shkonte të jetonte me të. Xhoana nuk doli kurrë nga jeta e vajzës. Kalonte shumë kohë me të, e ndihmonte në studime dhe ndoqi çështjen gjyqësore e përgjegjësit të masakrës. Ndërkaq gjyshja e Kristinës vdiq dhe Xhoana mbajti premtimin që i kishte dhënë kur kishte shkuar për të jetuar herën e parë me të: e adoptoi ligjërisht. Kristina sot është 31 vjeçe dhe është pjesëtare e policisë së shtetit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat