Drejt dëshifrimit shkrimi më antik i zbuluar

Life style

Drejt dëshifrimit shkrimi më antik i zbuluar

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 11:25

Një skuadër arkeologësh dhe shkencëtarësh britanikë njoftuan se janë pranë deshifrimit final të shkrimeve proto-elamite, trashëgimia më e vjetër që kemi nga bota e antikitetit.

Bëhet fjalë për simbole që datojnë 3200-2700 vite para Krishtit. Proto-elamishtja mendohet se është folur në jug-perëndim të Iranit rreth 5 mijë vjet më parë. Nga të dhënat e pakta që janë mundur të dëshifrohen, kryesisht nga shkrimet elamishte të një periudhe më të vonë, mendohet se proto-elamishtja, apo gjuha paraardhëse e elamishtes ka ekzistuar për një periudhë të shkurtër kohore, 150 deri në 200 vjet, nga 3100 deri në 2900 para Krishtit.

Hieroglifet e trashëguara nga kjo gjuhë janë gjetur në rajonet jug-perëndimore të Iranit. Sistemi i simboleve proto-elamisht ndodhet i arkivuar në Muzeun e Luvrit në Paris.

Grupi i shkencëtarëve britanikë përdori teknologjinë e avancuar për të dëshifruar imazhet me anë të sistemit RTI (Reflectance Transformation Imaging). Copëzat e trashëguara nga shoqëria e panjohur antike, u futën në këtë sistem të pajisur me 76 aparate fotografikë që kapin çdo detaj të tyre. Më pas, 76 fotot e tabelave prej argjili të antikitetit, përpunohen për të shndërruar në një dokument të vetëm që është më i lehtë për t’u dëshifruar.

Udhëheqësi i kërkimit shkencor, Jacob Dahl, anëtar i Wolfson College dhe drejtor i World Research Cluster shprehet entuziast dhe rrëfen disa nga detajet e dëshifruara deri më tani. Ai thotë se kur shihje copëzat e simboleve në argjil mund të mendoje se bëhej fjalë për ndonjë poezi, apo ndonjë rrëfim historik, por në fakt është krejt ndryshe.

Shkrimet, sipas Dahl, janë “arkivë shtetërore e popullsisë që ka banuar në këtë pjesë të Iranit në lashtësi”. Ato përmbajnë të dhënat e pronave për gjithë banorët si dhe flet për shtrezësimin e shoqërisë në 3 ndarje, të pasurit, shtresa e mesme dhe të varfërit, që aty përshkruhen si “bisha”. Nisur nga jeta e shkurtër e kësaj gjuhe, Dahl thotë se ajo mund të jetë një krijesë artificiale për të “inventarizuar” pronën dhe shoqërinë.

Dëshifrimi, që ka marrë 10 vjet kohë, ende nuk është mbyllur plotësisht, ndërsa rezultati aktual pritet të botohet së shpejti në revistat shkencore. Elamishtja është një gjuhë e zhdukur dhe mendohet se ka qenë gjuha e parë e folur nga banorët e lashtë të Iranit, para se të flitej aramishtja. Dëshifrimi i fundit ndoshta mund të zbardhë misterin nëse proto-elamishtja ka lidhje me elamishten, apo emërtimi historik ka qenë i gabuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat