Funerali madhështor i bosit të mafies

Life style

Funerali madhështor i bosit të mafies

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 16:04

Charlie Richardson, i konsideruar gjerësisht si bosi më i madh i mafias britanike, u përcoll të hënën për në banesën e tij të fundit në një funeral madhështor.

Pavarësisht vuajtjeve të shumta që i shkaktoi shumë njerëzve me aktivitetin e tij kriminal, të nisur në të 20-tat e hershme dhe të përfunduar, siç besohet, vetëm me vdekjen pas disa komplikacioneve në gjak në moshën 78-vjeçare, Richardson grumbulloi me qindra njerëz, që e përcollën me nderimet më të thella.

Kortezhi funebër, i udhëhequr nga një makinë epoke dhe ku ishte vendosur arkivoli i mbuluar me lule, u shoqërua nga makina të shumta të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të Richardson.

Njeriu që formoi një perandori kriminale në vitet 1950-60, nëpërmjet vendosjes së taksave “për mbrojtje” ndaj dyqaneve, basteve ilegale dhe zhvatjes, pavarësisht vdekjes, gjithsesi jeton në kujtesën kombëtare të Britanisë si një shembull i pavdekshëm i terrorit dhe krimit të organizuar.

I arrestuar në vitin 1966, në të njëjtën ditë kur Anglia fitoi Botërorin e saj të vetëm në finalen e famshme të “Wembley”-t, Richardson u dënua në fund të një procesi, në të cilën u tregua se si “lordi” i krimit torturonte kundërshtarët duke i shkulur thonjtë një nga një, duke i vendosur në kontakt me rrymën elektrike dhe duke i rrahur me hekur të nxehur.

I dënuar për 25 vjet, për zhvatje, dhunë dhe plagosje të rëndë, Richardson i shpëtoi dënimit të përjetshëm sepse asnjë vrasje e përfolur e tij nuk u dokumentua dhe jetoi si një qytetar i lirë vitet e fundit të jetës së tij.

Gjithmonë nën vëzhgimin e policisë, “bosi i mafias” nuk arriti të rikthehej në krye të perandorisë që ndihmoi të ngrihej, por i dha jetë krimit të organizuar në ishull, me familjen e tij që vazhdon të jetë një prej familjeve të pakta “të nderuara” (në zhargonin kriminal) në Britaninë e Madhe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat