“Kam me qindra miq në Facebook, por këtë birrë po e pi vetëm”. Kështu shprehej një gazetar i njohur para disa kohësh. Mediat sociale po na bashkojnë, por edhe po na ndajnë.
Për të mos e ndjerë aq shumë vetminë e rrjeteve sociale, tani është shpikur një jelek, që ju përqafon sa herë dikush u bën ‘like’ në Facebook.
Studentja e prestigjiozit MIT në SHBA, Melisa Chow, ka shpikur këtë veshje, që shtrëngohet e rrudhet si një formë përqafimi, kur dikush u bën like.
Në rast se ju doni të dërgoni po ashtu një përqafim, jeleku fryhet.
Shpikësja e jelekut tha se ideja e teleprezencës është e njohur dhe ajo synoi që të përpunonte dërgimin e përqafimeve përmes teknologjisë wireless.
Facebook ka zbuluar se që prej kur ka nisur të funksionojë faqja, anëtarët e saj kanë bërë ‘like’ plot 1.13 trilion herë. Në total janë ndarë më shumë se 219 miliard foto, ndërkohë që hidhen çdo ditë 300 milion foto.