Një letër burrit tim narcist, që më fajësoi mua për 20 vite

Life style

Një letër burrit tim narcist, që më fajësoi mua për 20 vite

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 23:38
Ilustrim

Kam qenë martuar me ty për 20 vite. Ti vjen nga një familje e pasur, ndërsa unë krenarisht nga një klasë e mesme punëtorësh. Isha e vendosur të isha një grua e pavarur, dhe për këtë arsye, gjithnjë i mbajtëm llogaritë të ndara. Nuk kishim llogari bankare të përbashkët, as për ushqim.

Lashë lumturisht punën, familjen dhe miqtë për të ardhur dhe për të jetuar me ty, në këtë vend të mrekullueshëm. Ne ishim kaq të lumtur, në një shtëpi tepër të bukur, duke ndarë edhe të njëjtat interesa. Ti kishe biznesin tënd, ndërsa unë fillova një karrierë të re.

E kam të qartë se kishte diçka te ty që lidhej me nevojat e mia më të thella… Besoj se më dukej tërheqëse ndjeshmëria jote e supozuar. Së fundmi, gjeta një letër drejtuar vetes, shkruar përpara se të shpërngulesha me ty. Në atë letër thoja të isha më e kuptueshme, të respektoja nevojën tënde për hapësirë, të mos inatosesha me ty nëse ndjeja se nuk po kujdeseshe mjaftueshëm për mua. Në disa raste, fiksimi yt për perfeksion më bënte të dyshoja te vetja. Por, pavarësisht gjithçkaje, herë pas here, ne kishim periudha të mrekullueshme. Mësova si të të kënaqja. Jetuam tepër thjesht, dhe shqetësimet e mia emocionale, si edhe depresioni yt i çuditshëm, nuk na penguan në një mënyrë domethënëse. A nuk kanë të gjithë çiftet ulje-ngritjet e tyre?

Ti ishe gjithmonë kaq i sjellshëm dhe me humor kur dilnim bashkë, dhe unë isha krenare që isha bashkëshortja jote.
Ndonjëherë, ndihesha e shqetësuar nga ajo që mendoja se ishte “moskuptim” nga ana jote, por ti, kishe aftësinë të nxirrje përfundimin se isha unë që nuk kuptoja. Më pas, kur kuptova, u ndjeva tmerrësisht keq. Shpërqëndrimi yt te njerëz të tjerë, dhe orët e pafundme të punës, më vendosën në një gjendje të sikletshme dhe të irrituar. Jeta u kthye gradualisht në një gjendje gri.

Vitet e fundit, u ndjeva shumë mirë me veten, prej faktit që u rrita profesionalisht. Kësaj here, ti fillove të ankoheshe se unë po punoja pak si tepër, dhe po bëhesha e ftohtë. E humba interesin për seks. Ti i gëzoheshe momenteve të gjata e çlodhëse të papunësisë.

Në fundjava, isha shumë e lodhur për të bërë atë që doje ti, kështu që ti dilje vetëm. Ankoheshe kur doje seks, dhe për faktin se sa shumë po ndryshoja. Mendova se ndoshta kur të dilja në pension gjërat do të përmirësoheshin. Herë të tjera, mendoja se sa e vështirë ishte të gjeje gjuhën me ty dhe tipin tënd të papërkujdesshëm. Për këtë arsye, vetëm punoja.

Pastaj, zbulova që ti kishe nisur një lidhje të re. U shkatërrova. Dhe nisa të përgjërohesha që ta provonim edhe një herë. Isha gati të hiqja dorë edhe nga puna. Mund ta përdornim këtë për të shpëtuar martesën tonë. Ti më dëgjove, por zgjodhe të ikje me të dashurën tënde, pak kohë pasi unë e mora vesh të vërtetën. U inatosa! Ti më këshillove të merrja një psikolog për të kontrolluar inatin, si edhe për të ruajtur qetësinë. Ti dëshiroje që të ishim miq. Unë thashë se kisha nevojë të më lije vetëm.

Më akuzove se po tregohesha abuzive. Me këtë rast, mora edhe një këshillues që të më ndihmonte të kapërceja traumën. Ai sugjeroi se ti ndoshta vuan nga çrregullime narcistike të personalitetit. Papritmas, gjithë sjellja jote këto 20 vjet bëri sens…

M’u desh edhe disa kohë… të kuptoja që problemi ishe ti, jo unë! Dhe të mendosh që gjatë gjithë këtyre viteve kisha bërë çmos të të bëja të lumtur dhe të të mbaja larg depresionit. Kur shoh pas, kuptoj se sa e verbër paskam qenë!
Ajo që më lëndoi më shumë, ishte paaftësia jote për të marrë përgjegjësi mbi pabesitë e tua. Nuk di se çfarë mund të të uroj tani, por shpresoj të gjesh paqe brenda vetes, pa të cilën jeta është bosh!

Unë nuk të ndihmoj dot më.
Sinqerisht,
Gruaja jote, e çliruar nga ti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat