Sa e rëndësishme është t’i zbathni këpucët sa më parë kur hyni në shtëpi

Life style

Sa e rëndësishme është t’i zbathni këpucët sa më parë kur hyni në shtëpi

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 16:25
Ilustrim

Keni qenë në të dy llojet e shtëpive: lloji ku nuk mund të bëni asgjë para se t’i zbathni menjëherë këpucët gjatë hyrjes, dhe lloji ku, çfarëdo që ndodh, i mbani të mbathura, dhe askush nuk mërzitet për këtë. Por nga një perspektivë shkencore a duhet të mërziteni? A është me të vërtetë punë e madhe, e ndyrë dhe e neveritshme t’i mbani këpucët të mbathura nëpër shtëpi?

Nuk është shumë dramatike të kërkoni nga dikush t’i zbathë këpucët kur të hyjë në shtëpi. Varësisht nga situata, kjo është një kërkesë krejtësisht valide. Mendoni për këtë: thembra e këpucëve tuaja bëhet komode nëpër parkingje, banjo publike, trotuare me baltë, dysheme ngjitëse të restoranteve dhe çdo gjë tjetër mbi të cilën ecni. Sa herë që këpucët tuaja vijnë në kontakt me një nga këto sipërfaqe më pak të pastra, ato mund të marrin diçka nga ato me vete.

Me të njëjtën bazë, këpucët tuaja mund të lënë prapa gjëra gjithashtu. Një studim i majit të vitit 2015 në revistën Microbiome e mbështet këtë ide. Ekipi i hulumtuesve mori mostra të mjedisit mikrobik në këpucët e 89 pjesëmarrësve pasi që ata kishin hyrë në vende të ndryshme. Rezultati? Mikrobet në thembrat e këpucëve mund të fshihen në sipërfaqet në të cilat ecni.

Ideja se mund të sillni gjurmë të vogla mikrobike nga një banjo publike në dhomën tuaj të ditës është pa dyshim e pështirë, por a është e rrezikshme? Epo, jo të gjitha mikrobet që i merrni do të jenë patogjene të dëmshme, që shkaktojnë sëmundje (edhe pse mund të jenë!). Sipas një studimi të vitit 2017 nga studiuesit e Universitetit të Houstonit, 26.4 për qind e këpucëve e bartin Clostridium difficile, që mund të shkaktojë diarre dhe inflamim të zorrës së trashë. Studime të tjera kanë gjetur sasi të konsiderueshme të E. coli dhe Listeria monocytogenes në këpucë gjithashtu.

Çështja nëse kjo është e rëndësishme është pikërisht ajo ku bëhet paksa më e komplikuar. Nëse jeni një i rritur i shëndetshëm dhe e pastroni shtëpinë tuaj relativisht rregullisht, gjërat në këpucët tuaja sigurisht nuk do t’ju bëjnë dëm. Nga ana tjetër, nëse keni fëmijë të vegjël rreth shtëpisë, atëherë kjo mund të bëhet e rrezikshme.

“Fëmijët e vegjël janë në kontakte shumë më të afërta me dyshemenë, sesa, për shembull, një çift në të 20-tat e tyre”, thotë Meghan A. May, profesoreshë e asociuar e mikrobiologjisë dhe sëmundjeve infektive pranë Kolegjit për Mjekësi të Universitetit të New England, për SELF. “Nëse ju ndodh të grumbulloni grimca virale në këpucët tuaja, t’i depozitoni ato në dysheme dhe e keni një 2- vjeçar duke luajtur në dysheme, ky bëhet një skenar shumë i besueshëm për mënyrën se si mund të ndodhë infeksioni”.

E njëjta gjë është e vërtetë nëse dikush në shtëpi është i moshuar ose është në kimioterapi. “Personi mesatar mund të jetë në gjendje ta gëlltisë një numër të caktuar të patogjenëve pa u sëmurë”, thotë May, “por në një person me imunitet të komprometuar, ky numër do të jetë shumë, shumë i ulët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat