Kur burri merr rolin e gruas, çfarë rrezikon?

Life style

Kur burri merr rolin e gruas, çfarë rrezikon?

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 06:35
Ilustrim

Prej pak kohësh ka filluar të ketë një ndryshim të pjesshëm të roleve mes çiftit: burri që zhvillon karakteristika psikologjike tradicionalisht femërore (analizë e vetvetes,fleksibiliteti), ndërsa gruaja që ka forcuar tiparet mashkullore (qëndrueshmëri, vetëpohim). Kjo është shenjë e një transformimi të pashmangshëm dhe madje i nevojshëm për zhvillimin e mëtejshëm të ndërgjegjes, si individual, ashtu edhe kolektiv.

Por që të prekte edhe marrëdhënien me fëmijët, kjo nuk imagjinohej. Megjithatë është situatë reale: në marrëdhënien në çift dhe me fëmijët, burri po bën figurën e gruas. Gjithsesi nëse kjo është e mirë ose e keqe, apo të dyja bashkë, është e vështirë për t’u përcaktuar. Ajo që dihet me siguri, është se me kalimin e kohës burri, duke marrë rolin e gruas, krijon probleme të mëdha në jetën në çift.

Modeli

Por kush është dhe çfarë bën “burri-grua”? Ai është një burrë serioz dhe i besueshëm, me një ndjenjë të fortë familjare, që edhe pse duke mos hequr dorë nga imazhi social i mashkullit dhe punëtorit, pas lindjes së fëmijëve u kushton atyre pothuajse të gjithë kohën e vet jashtë orarit të punës, duke qenë i pranishëm, duke u falur dashuri dhe duke bërë gjeste konkrete që zakonisht janë përgjegjësi e grave. Çdo gjë e bën me durim, përkushtim dhe dashuri, si një nënë e mirë. Gatuan pothuajse gjithmonë ai (gjë që në të vërtetë do ta ëndërronte çdo 
grua), kujdeset për fëmijët, luan shumë me ta, i ngushëllon, i inkurajon. Ai i vesh, i ndërron, shpesh i lan, nden rrobat, i palos, i hekuros, i vendos me rregull nëpër sirtarë, njeh shijet e fëmijëve, nevojat që kanë dhe bën çmos për t’i kënaqur, madje edhe kur e ka të vështirë jep maksimumin e tij.

“Babai” krijon me të vegjlit marrëdhënie bashkëpunuese, nuk u bërtet pothuajse kurrë dhe bën ndërmjetësuesin në marrëdhëniet midis tyre dhe nënës, që zakonisht janë pak të paduruara. Ai i bën të gjitha këto pa u ankuar, madje nëse nuk do të kishte 
figurë aq burrërore do të “ngatërrohej” lehtë me një nënë, e cila, edhe pse e lodhur, është e lumtur që po sakrifikon për fëmijët e saj.

Problemi

Në praktikë ky burrë mund të krahasohet me njeriun modern (që di të bëjë edhe gjëra grash), “gruan tradicionale (e cila është e përkushtuar plotësisht ndaj familjes) dhe nënën ideale (që di të edukojë fëmijët e saj dhe t’u falë shumë dashuri). Teorikisht, për shumë gra sot, të cilat janë të përkushtuara ndaj karrierës dhe në të njëjtën kohë dëshirojnë të kenë fëmijë, ai është burri i përsosur. Edhe nëse është i zënë me punë, nuk ngurron t’i përkushtohet familjes, është i durueshëm dhe i kuptueshëm. Megjithatë, në shumë raste, pas një farë kohe gjërat në çift nuk shkojnë më mirë: mungon erosi dhe gruaja shpesh fillon “të kërkojë diçka tjetër gjetiu”, e inatosur nga fakti se ai mund ta gjykojë keq. Por pse ndodh kjo? Arsyeja që ai ka marrë rolin e gruas ka ndodhur për shkak se nëna nuk ka arritur ta kryejë detyrën e saj. Ose mund të ndodhë që kjo fushë burrit t’i vijë më për duarsh, por mund t’ia ketë lënë edhe ajo fushën e 
lirë, ndoshta për shkak të një qëndrimi konfliktual ndaj amësisë.

Çekuilibri

Në këto raste, janë gratë që kanë shumë nevojë të afirmohen në shoqëri dhe punë, e t’u tregojnë të gjithëve (por sidomos familjes së origjinës) se vlejnë më shumë se edhe një burrë, dhe që nuk kanë fleksibilitet për të qenë si nënë e ëmbël ashtu edhe e dobishme. Ose janë të pasigurta dhe ende adoleshente mendërisht: ndoshta ato duan të bëjnë rolin e nënës, por nuk e mbështesin emocionalisht situatën, nuk arrijnë të futen plotësisht në rol, kështu që 
kërkojnë një “zëvendësim” alternativ që të alternohet me të në rritjen e fëmijëve. Burri, nga ana tjetër, është në dispozicion për t’u bërë dado, sepse kjo i shkon mirë me pasigurinë që ndien fillimisht për t’u kujdesur për të vegjlit. Përveç të tjerave shmang edhe kritikat brenda familjes.

Mundësia

Kjo gjendje, që po mbizotëron çdo ditë e më shumë, rrezikon të shkaktojë pakënaqësi mes çiftit, ose që rolet të përmbysen: ai ndien sikur rolin e mashkullit në çift e luan ajo, por nuk mërzitet, sepse kompensohet me të qenët shumë familjar. Gruaja e ndien burrin si mik, vëlla apo bashkëpunëtor, por nuk e dëshiron më seksualisht, dhe në të njëjtën kohë është “përzënë” nga roli i nënës. Ka dy frustrime të mëdha, që nëse nuk zgjidhen në kohë, e shtyjnë çiftin drejt krizës ose të kërkojë zgjidhje që zakonisht e shtojnë më shumë stresin. Megjithatë, në qoftë mes të dyve ka dashuri dhe nëse arrihet balancimi në kohë i roleve, çifti mund të shpëtojë lidhjen dhe familjen nga ndarja e dhimbshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat