Çrregullimet e orës biologjike të lidhura me disponimin

Life style

Çrregullimet e orës biologjike të lidhura me disponimin

Më: 27 maj 2018 Në ora: 13:12
Foto ilustrim

Njerëzit që e çrregullojnë orën e tyre biologjike – duke qenë aktiv gjatë natës ose jo aktiv gjatë ditës – kanë rrezik më të madh të zhvillimit të çrregullimeve të disponimit, sipas një studimi në Britani.

Studiuesit nga universiteti Glasgow në Britani zbuluan se cikli i rregullt i gjumit e shmang depresionin, çrregullimin bipolar dhe sëmundjet e tjera. Gjetjet e tyre u publikuan të martën në revistën The Lancet Psychiatry.

Hulumtuesit e Glasgow i analizuan të dhënat e 91,103 personave nga Britania në mes moshave 37 dhe 73 vjeç nga UK Biobank që u mblodhën në mes të viteve 2013 dhe 2015. Pjesëmarrësit kishin bartur acelerometra për shtatë ditë për ta regjistruar aktivitetin e tyre dhe iu përgjigjën pyetësorëve shëndetësorë për t’i vlerësuar simptomat e çrregullimeve mendore dhe pyetjeve subjektive për mirëqenien dhe funksionin kognitiv. Modelimi matematikor pastaj u përdor për ta gjetur korrelacionin dhe për ta vlerësuar rrezikun.

Hulumtuesit raportojnë se çrregullimi i orës biologjike ishte shoqëruar me paqëndrueshmërinë e disponimit, vetminë subjektive, lumturinë dhe kënaqësinë më të ulët shëndetësore, dhe funksionim më të keq kognitiv. Dhe këto rezultate mbetën valide kur u përshtatën me moshën, gjininë, mënyrën e jetesës, arsimin, indeksin e masës trupore dhe traumën e fëmijërisë, thonë studiuesit.

“Gjetjet tona e tregojnë një lidhje mes ritmeve cirkadiane të ndryshuara ditore dhe çrregullimeve të disponimit dhe mirëqenies”, tha në një komunikatë për shtyp dr. Laura Lyall, studiuese në universitetin Glasgow. “Sidoqoftë, këto janë lidhje vëzhguese dhe nuk mund të na tregojnë nëse çrregullimet e disponimit dhe mirëqenia e reduktuar shkaktojnë modele të çrregulluara pushim-aktivitet, ose nëse ritmikat e çrregulluara cirkadiane i bëjnë njerëzit të cenueshëm ndaj çrregullimeve të disponimit dhe mirëqenies më të dobët”.

Ritmet cirkadiane ditore i rregullojnë gjërat si temperatura e trupit dhe shprehitë e të ngrënit në pothuajse të gjithë organizmat. Me sistemin e brendshëm kohë-menaxhues të trurit, ai parashikon ndryshime mjedisore dhe përshtatet me kohën e duhur të ditës.

Njerëzit që ishin aktivë gjatë natës ose jo aktivë gjatë ditës kishin 6 deri 10 për qind më shumë gjasa të diagnostikoheshin me ndonjë çrregullim disponimi se ata që e ndoqën një cikël normal të të qenit aktiv gjatë ditës dhe pushimit gjatë natës.

“Derisa gjetjet tona nuk mund të na tregojnë për drejtimin e kauzalitetit, ato e përforcojnë idenë se çrregullimet e disponimit janë të shoqëruara me ritme të çrregulluara cirkadiane dhe na japim dëshmi se ritmet e ndryshuara pushim-aktivitet janë gjithashtu të lidhura me mirëqenien më të keqe subjektive dhe aftësinë më të dobët kognitive”, tha Lyall.

Autorët vunë në dukje se ka pasur ndryshim kohor në mes të regjistrimit të të dhënave demografike dhe stilit të jetesës midis viteve 2006 dhe 2010, të dhënat e acelerometrisë nga viti 2013 dhe 2014 dhe informatat nga pyetësori i shëndetit mendor nga vitet 2016 dhe 2017.

Autorët thonë se hulumtimi i zgjeruar është i domosdoshëm, sepse derisa studimi aktual ishte udhëzues, 75 për qind e çrregullimeve të shëndetit mendor filluan para moshës 62 vjeçare – ndërsa mosha mesatare e pjesëmarrësve në UK Biobank është 62.

“Duke pasur parasysh se shumica e çrregullimeve të shëndetit mendor fillojnë gjatë adoleshencës, më shumë studime gjatësore në popullatat e reja mund ta përmirësojnë të kuptuarit tonë të mekanizmave shkakorë dhe të ndihmojnë në gjetjen e mënyrave të reja për t’i parashikuar çrregullimet e disponimit dhe trajtimet e detajuara”, shkruajnë autorët në studim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat