Lulet dhe çokollatat të preferuarat për Ditën e të Dashuruarve

Life style

Lulet dhe çokollatat të preferuarat për Ditën e të Dashuruarve

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 15:37
Ilustrim

14 shkurti njihet si Dita e të Dashuruarve ku përveç dashurisë këtë ditë e bëjnë të veçantë edhe dhuratat që partnerët i shkëmbejnë me njëri tjetrin.

Lulet, bizhuteritë e ndryshme, çokollatat, kartolinat janë disa nga dhuratat që qytetarëve të Kosovës u  pëlqejnë që t’iu dhurojnë të dashurve të tyre me rastin e 14 shkurtit.

Si duket edhe për këtë Shën Valentin interesimi i partnerëve për të blerë dhurata është mjaft i madh.

Asllan Musliu i cili enkas për të festuar Shën Valentinin kishte ardhur nga Gjermania thotë se së bashku me të dashurën e tij e festojnë këtë ditë, dhe dhuratat që më së shpeshti ia ka bërë asaj janë lule apo bizhuteri.

Musliu:  E festojmë Shën Valentinin

“Po e festojmë..po pak a shumë se nesër kthena në Gjermani se jetoj në Gjermani por diçka do i lë një dhuratë të vogël...Ndonjë zinxhir, ndonjë vath, ndonjë orë ose lule”, tha Musliu.

Lule e bizhuteri ka pranuar shpesh për festën e të dashuruarve edhe Ardiana Ibërdemaj, e cila thotë se e feston këtë ditë varësisht nga disponimi.

Ibërdemaj: Varet nga disponimi

“Kaniher po, varet prej disponimit...bizhuteri më së shumti...unë parfum...jo nuk kemi menduar se jemi në pushim”, tha Ibërdemaj.

Kurse, Veranda Mataj thotë se dashuri duhet të dhurohet çdo ditë e jo vetëm për Shën Valentin.

Ajo thotë se ende nuk e ka zgjedhur dhuratën që do ia bëjë partnerit të saj.

Mataj: Nuk domethënë që vetëm një ditë me shpreh dashuri

“Varet prej rastit, nuk domethënë që një ditë me shpreh dashurinë. Dashuri duhet çdo ditë...Jo ende nuk kam menduar”, tha Mataj.

Se Shën Valentin duhet të ketë çdo ditë ka thënë edhe Shtjefën Marku i cili për KosovaPress ka deklaruar se këtë vit 14 shkurti e ka gjetur të vetëm.

Por viteve të kaluara ai gjithmonë ka dhuruar lule si simbolikë të dashurisë.

Marku: Uroj çdo ditë të jetë Shën Valentin

“Për fat të keq këtë vit jo...lule dhurata të ndryshme...Shën Valentini është një datë shumë me rëndësi mendoj për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës dhe uroj që njerëzit ta kenë Shën Valentin gjithë jetën jo vetëm 14 shkurtin”, tha Marku.

Ata që përfitojnë më së shumti nga festa e të dashuruarve janë shitësit e lulishteve, parfumerive dhe dyqaneve të ndryshme.

Driandrra Kajtazi shitëse në lulishten “Labi IRIS”,  thotë se  këtë vit interesimi i vajzave dhe meshkujve është shumë i madh për të blerë lule.

Trëndafili i kuq sipas saj vazhdon të jetë traditë e dhuratave për Shën Valentin.

Kajtazi: Trëndafilat lulet më të preferuara

“Si zakonisht trëndafili është një ndër lulet që preferohet më së shumti për Shën Valentin dhe për shumë raste të ndryshme, trëndafili i kuq është simboli i dashurisë, po ashtu edhe i bardhi por më së shumti i kuqi. Interesimi është shumë i lartë për këtë vit diçka më ndryshe që kemi sjell janë buqetat me boksa të cilat janë në forma të ndryshme, në formë të zemrës, në formë të rrumbullakët, në formë katrore, balonet janë shumë trendi këtë vit për lulishten”, tha Kajtazi.

Për ta bërë më të ëmbël këtë ditë lulishtja “Labi IRIS” ka ofruar edhe dekorime të ndryshme të çokollatave të bashkangjitura me kartolina të ndryshme e që të gjitha janë punë dore.

Ndërsa, Xhuljeta Thaçi, menaxhere në dyqanin e aksesorëve ”PARFOIS”, tha për  KosovaPress se interesimi i meshkujve për t’iu bërë dhurata të dashurave të tyre është i madh.

Orët dhe çantat sipas saj  janë aksesorët që më së shumti po pëlqehen për t’iu bërë dhuratë të dashurave të tyre.

Dita e të Dashuruarve apo që njihet ndryshe si Shën Valentini  ka marrë emrin nga një shenjtor i famshëm, por ka shumë histori sa i përket asaj se kush ishte ai.

 Kryesisht besohet se Shën Valentini kishte qenë prift nga Roma gjatë shekullit të tretë.

Perandori Klaudius II atëkohë e kishte ndaluar martesën sepse kishte menduar se meshkujt e martuar janë ushtarë të dobët. Por Valentini kishte besuar se ai rregull është i padrejtë, dhe i kishte thyer rregullat duke i martuar çiftet fshehtazi.

Kur Klaudiusi e kishte kuptuar, ai e kishte burgosur Valentinin dhe e kishte dënuar me burg të përjetshëm.

Në burg, Valentini kishte rënë në dashuri me vajzën e rojtarit të burgut dhe kur ishte dërguar për t’u pushkatuar me 14 shkurt, i kishte dërguar asaj një letër me nënshkrimin “nga Valentini yt”!

Si ka filluar Dita e Shën Valentinit?

Dita e Shën Valentinit është traditë mjaft e vjetër, dhe besohet se ka origjinën nga një festival romak.

Romakët e kishin pasur një festival të quajtur Lupercalia në mes të muajit shkurt – zyrtarisht në fillim të pranverës së tyre.

Besohet se si pjesë e kremtimeve të ndryshme, djemtë kishin tërhequr emra të vajzave nga një kuti. Pastaj me vajzën të cilës ia kishin tërhequr emrin nga kutia ishin sjellë si çift gjatë festivalit dhe ndonjëherë edhe kishin përfunduar me martesë.

 Më vonë, kisha kishte vendosur ta shndërronte këtë festival në festë krishtere dhe kishte vendosur ta përdorte edhe për ta rikujtuar Shën Valentinin.

Gradualisht, emri i Shën Valentinit kishte filluar të përdorej nga njerëzit për t’ia shprehur ndjenjat e dashurisë personit që e dashuronin. Në Kosovë Shën Valentini ka filluar që të festohet pas vitit 1999. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat