Marrëdhëniet toksike që duhet t’i shmangni në vendin e punës

Life style

Marrëdhëniet toksike që duhet t’i shmangni në vendin e punës

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 17:20
Ilustrim

Pjesa më e madhe prej nesh kanë përjetuar një marrëdhënie që është shndërruar në toksike. Nëse edhe juve ju ka ndodhur e njëjta gjë, duhet të dini që kjo është një humbje e madhe energjie, produktiviteti dhe lumturie.

Në një studim të ri të Universitetit Georgetown, 98 për qind e njerëzve thanë se kishin përjetuar një sjellje toksike në punë. Studimi gjeti se marrëdhëniet toksike ndikojnë negativisht te punonjësit dhe kompanitë në 8 mënyra të dukshme.

-80% humbje kohe në punë duke u shqetësuar për incidentet
-78% thanë se angazhimi i tyre për kompaninë pësoi rënie
-66% deklaruan një rënie të nivelit të performancës
-63% e tyre humbën kohë në punë duke shmangur kolegun fyes
-47% qëllimisht reduktuan kohën që kalonin në punë
-38% qëllimisht neglizhuan cilësinë e punës së tyre
-12 % thanë se dhanë dorëheqjen nga puna e tyre për këtë shkak
-48% thanë se zvogëluan qëllimisht përpjekjen për të punuar.

Ndërkohë që marrëdhëniet toksike kanë një çmim të lartë, kostoja reale është humbja e produktivitetit dhe vuajtjet emocionale që përjetojnë njerëzit që janë të mbërthyer në marrëdhënie të tilla.

Ne ndoshta nuk jemi në gjendje të kontrollojmë ‘helmin’ e njerëzve të tjerë, por mund të kontrollojmë mënyrën se si t’u përgjigjemi dhe kjo ka fuqinë të ndryshojë rrjedhën e një marrëdhënieje. Para se të neutralizojmë një marrëdhënie toksike, është e nevojshme të kuptojmë se çfarë e bën toksike këtë gjë. Marrëdhëniet toksike zhvillohen kur nevojat e një personi nuk plotësohen më ose kur dikush ose diçka ndërhyn në aftësinë për të mbajtur një marrëdhënie të shëndetshme dhe produktive.

Të njohësh dhe të kuptosh toksicitetin ju lejon të zhvilloni strategji efikase për të penguar veprimet helmuese në të ardhmen. Më poshtë janë marrëdhëniet toksike më të zakonta dhe strategjitë se si t’i kapërceni ato.

Marrëdhëniet që janë agresive pasive

Kjo tip marrëdhënie ka shumë forma në vendin e punës, nga drejtuesi i cili ju injoron totalisht e deri te kolegu që i nis çdo email tuajin shefit. Një nga format më të zakonta të kësaj marrëdhënieje është reduktimi drastik i përpjekjeve. Marrëdhëniet agresive pasive janë vdekjeprurëse në vendin e punës, ku mendimet dhe ndjenjat duhen lënë mënjanë për të vijuar punën.

Kur keni dikë në vendin e punës që sillet në këtë mënyrë karshi jush, ju duhet ta diskutoni problemin. Tipat agresivë pasivë sillen në këtë mënyrë pasi përpiqen të shmangin çështjen në fjalë. Nëse nuk arrini të gjeni një rrugë komunikimi, mund ta shihni veten pjesë të lojërave mendore. Duhet të kujtoni se tipat agresivë pasivë kanë tendencën të jenë të ndjeshëm dhe të shmangni konfliktin, kështu që kur keni në dorë diçka sigurohuni që ta bëni në mënyrë sa më konstruktive dhe harmonike

Marrëdhëniet në të cilat mungon falja dhe besimi

Është e pashmangshme të mos bëni gabime në punë. Disa persona fiksohen aq keq te gabimet njerëzve të tjerëve saqë besojnë se ata vetë nuk bëjnë gabime. Këta persona mbajnë mëri dhe kanë frikë të vazhdueshme se të tjerët do t’i lëndojnë ata. Nëse nuk jeni të kujdesshëm kjo do të pengojë ngritjen tuaj në karrierë, duke eliminuar mundësi të rëndësishme.

Gjëja më frustruese në këtë marrëdhënie është që duhet veç një gabim për të humbur qindra “pikë besimi”, por duhen 100 veprime të përkryera për të marrë një pikë besimi. Dhe për të fituar besimin e tyre, është e rëndësishme t’u kushtoni rëndësi të madhe detajeve dhe të mos shkurajoheni nga fakti që janë vazhdimisht në kërkim të gabimeve. Duhet durim. Sillni ndër mend shprehjen, Roma nuk u ndërtua në një ditë.

Marrëdhënie që janë të njëanshme

Marrëdhëniet supozohen se duhet të jenë të dobishme nga të dyja anët. Këto lloj marrëdhënieje bëhen toksike kur një person nis të japë pa kufi, ose kur personi tjetër dëshiron veç të marrë.
Nëse është e mundur, gjëja më e mirë që mund të bëni është që të ndalni së dhëni. Për fat të keq, kjo gjë nuk është gjithnjë e mundur. Në të tilla raste është e nevojshme që ju të bisedoni në mënyrë të sinqertë me personin tjetër në mënyrë që të rikalibroni marrëdhënien.

Marrëdhëniet idealiste

Marrëdhëniet idealiste janë ato të cilat konsiderata për kolegun tuaj është shumë e lartë. Kur ju mendoni se kolegu juaj “ecën mbi ujë”, marrëdhënia fillon të bëhet toksike pasi ju nuk keni kufijtë për të cilat ka nevojë një marrëdhënie e shëndetshme në punë.

Ju për shembull mund të injoroni një gabim i cili në fakt kërkon vëmendje ose të bëni një punë që shkel moralin tuaj, pasi ju mendoni se kolegu juaj është i drejtë. Humbja e kufijve është ekstremisht helmuese. Nuk ka rëndësi se sa i afërt je me një koleg, ose sa i zoti është në punën e tij – është e nevojshme që të qëndroni objektivë.

Marrëdhëniet ndëshkuese

Marrëdhëniet ndëshkuese janë ato ku një person ndëshkon një tjetër për një sjellje që nuk përputhet me pritshmëritë e tij. Problemi kryesor me tipat ndëshkues është instinkti i tyre për të ndëshkuar, pa një komunikim të përshtatshëm dhe mirëkuptim. Kjo lloj marrëdhënie krijon konflikte dhe emocione negative. Që t’i mbijetoni marrëdhënies ndëshkuese ju duhet të zgjidhni betejat tuaja me mençuri. Zëri juaj nuk do të dëgjohet nëse ju do të hidheni pikiatë drejt çdo konflikti. Do t’ju etiketojnë si një person shumë të ndjeshëm.

Njerëzit toksikë ju çmendin, pasi sjellja e tyre është kaq irracionale. Mos kini dyshime për këtë – sjellja e tyre shkon kundër logjikës, ndaj pse ta lini veten t’u përgjigjeni emocionalisht dhe të mbeteni në vorbullë.

Aftësia për të menaxhuar emocionet dhe për të qëndruar i qetë nën presion ka një lidhje të drejtpërdrejtë me performancën tuaj. TalentSmart ka ndërmarrë një studim me më shumë se një milion persona dhe gjeti se 90 për qind e punonjësve me performancë të lartë janë në gjendje të menaxhojnë emocionet e tyre në momente stresi dhe të qëndrojnë të qetë. Një ndër dhuntitë e tyre më të mëdha është aftësia për të identifikuar personat toksikë dhe për t’i mbajtur larg.

Sa më shumë irracional të jetë dikush, më e lehtë duhet të jetë për ju për ta mbajtur veten larg grackave të tyre. Nuk është e nevojshme t’i përgjigjeni kaosit emocional, por vetëm fakteve.

Ruajtja e distancës emocionale kërkon ndërgjegjësim. Pasi të keni identifikuar një person toksik, ju do të kuptoni se sjellja e tij është kaq e parashikueshme dhe e thjeshtë për t’u kuptuar. Kjo do t’ju bëjë të mendoni në mënyrë racionale. Nëse ju vendosni kufij dhe vendosni se ku dhe kur do të mbani marrëdhënie, ju mund të kontrolloni kaosin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat