A është flirtimi tradhti?

Life style

A është flirtimi tradhti?

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 09:31
Ilustrim

Të shohësh dikë në sy dhe ta lesh momentin të rrjedhë, a është ky flirtim? Po nëse shkëmbeni komplimente në rrjete sociale? Dhe nëse flirtimi përkufizohet si sjellje që sugjeron se keni tërheqje kundrejt dikujt, por nuk e thoni me zë, a është kjo një formë tradhëtie në vetvete?

Kjo është pikërisht pyetja që sipas Google Trends, sa vjen edhe bëhet nga shumë njerëz në internet. Dhe debati ka shkuar edhe në rrjete sociale.

Për disa, sjellja flirtuese, ballë për ballë apo përballë një ekrani, është negative. Nëse jeni me dikë sytë nuk duhet të shohin tjetërkund. Shumë komentues në Twitter shprehen se flirtimi është tradhëti.

Por, për të tjerë është natyrale dhe e shëndetshme të flirtosh, sa kohë nuk ka asgjë fizike.

Megjithatë, përgjigjja e duhur duhet të vijë nga një njeri i fushës, për këtë arsye, “The Independent” pyeti Denise Knowles, ekperte mbi lidhjet në çift.

“Nuk do të thoja kurrë që flirtimi është tradhëti me bindje. Këtë mund ta them në momentin që fillon të dëmtojë marrëdhënien. Nëse qëllimi i flirtit është i dëmshëm dhe po fshiheni pas tij, ky është momenti kur ndodh tradhëtia dhe mund të jetë shumë e dëmshme”.

Sipas saj, nëse flirtoni me dikë dhe ky veprim dëmton partnerin, e bën atë të ndihet keq dhe këtë gjë vijoni ta bëni pavarësisht kësaj, kjo është diçka shumë e dëmshme.

Në këtë mënyrë, flirtimi apo reagimet sa i përket disa sjelljeve mund të shihen fare lehtë si një simptomë e shëndetit të lidhjes. E nëse ditët e sotme flirtimi është më i lehtë për shkak të rrjeteve sociale, parimet nëse është problem apo jo mbeten të njëjta.

“Nëse po përpiqeni që të fshihni diçka, ky është element tradhëtie”, shprehet Knowles.

Nëse dikush shqetësohet apo mërzitet kur dallon se partneri po flirton duhet ta trajtojë situatën me “kuriozitet”, pasi mund të mos jetë gjithnjë një veprim i qëllimshëm, shton ajo më tej.

Sipas saj, nëse ka diçka që ju bezdis në lidhje, keni dyshime dhe diçka po ndodh është e nevojshme ta diskutoni me partnerin, përpara se të jetë tepër vonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat