Doli nga shtypi libri me opinione për Luginën e Preshevës

Libra

Doli nga shtypi libri me opinione për Luginën e Preshevës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 22 shtator 2018 Në ora: 09:28
Kopertina e librit

Sot, doli nga shtypi libri publicistik me Opinione për Luginën e Preshevës, të autorit Nexhmedin Saqipi.

Libri me opinione i publicistit Nexhmedin Saqipi, ndahet në katër kapituj: Në retrospektivë, Farsa politike dhe manovrat patriotike, Problemi i quajtur kufi dhe Intervista dhe biseda. Nëpër këto kapituj janë radhitur 22 opinione dhe tetë intervista dhe biseda të autorit, të cilat janë ndarë sipas karaktereve, vendit dhe kohës, kur ato janë zhvilluar dhe realizuar.

Në kapitullin e parë, që mban titullin “Në retrospektivë”, publicisti Nexhmedin Saqipi, sjell opinione interesante për periudhën e fushatës ajrore të NATO-së, trishtimin e quajtur mobilizim i dhunshëm, ndjenjën e flijimit dhe të ngadhënjimit, krizën e vetëdijes dhe çështjen e Luginës së Preshevës, si proces që kërkon zgjidhje.

Në kapitullin e dytë, me radhë, që mban titullin “Farsa politike dhe manovrat patriotike”, janë vendosur dhjetë opinione të karaktereve të ndryshme, duke filluar nga: favorizimi i proceseve integruese dhe retorika nëpër fushata elektorale, të cilat nuk janë më tepër se sa farsa politike dhe manovra patriotike.

Në kapitullin e tretë me titull “Problemi i quajtur kufi”, janë kryesisht opinione aktuale, të cilat e kanë zanafillën e mëhershme të problemeve, të krijuara nga kufijtë politikë, administrativë dhe shtetërorë, të cilët, kohëve të fundit janë në fokus të korrigjimit të tyre me rrugë dialoguese të Brukselit, vendi i takimeve të palëve negociuese mes shqiptarëve dhe serbëve, për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Në kapitullin e katërt të titulluar “Intervista dhe biseda”, janë rreshtuar gjatë intervista dhe biseda të publicistit Nexhmedin Saqipi, i cili në cilësinë e pozicioneve politiko-shoqërore, që ka disponuar nëpër periudha të ndryshme kohore në Luginë të Preshevës, i ka dhënë për gazetarë dhe mediume lokale dhe rajonale, te cilat në atë kohë janë pritur me kërshëri nga lexuesit e grupmoshave të ndryshme.

 Nëpër këto opinione, shumica prej të cilave janë të publikuara nëpër shtypin e kohës, është derdhur me mjeshtri potenciali krijues i publicistit, i cili edhe vet ka qenë aktor në skenën e këtyre zhvillimeve të tmerrshme njerëzore.

Libri me opinione për Luginën e Preshevës, i autorit Nexhmedin Saqipi, pritet të promovohet javën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat