Kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci

Libra

Kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci

Nga: Marjana Bulku Më: 21 shtator 2018 Në ora: 06:51
Marjana Bulku

 Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?! 

Është kjo një enigmë që shtjellohet pak nga pak teksa lexon “Demokracia nuk pret", një set me refleksione e reagime, analiza dhe opinione, kritika dhe thirrje që e tejkalojnë përmasën e gazetarisë, investigimit, reagimit, dëshmisë, akuzës, duke e lakuar demokracinë në çdo rasë e duke u bërë pishtar i saj, autori Frank Shkreli i bën kështu një shërbim shumë të madh jo vetëm konceptit të saj teorik por e shtjellon praktikisht shumë dimensionalitetin e saj në gazetari, histori, politikë dhe kulturë. 

Sot, kur demokracia ndjehet më e dhunuar se kurrë ne kemi nevojë ta sjellim në vemendjen e gjithsejcilit se ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish është një marrdhënie e dyanshme ku balancohen liritë kur respektohen ato.  Sot më shumë se kurrë klasa politike duhet të shikojë se trashëgimnia e gabimeve dhe moskorrektimi i tyre i ka shpierë në gabime të tjera.  Kur demokracitë rrezikohen nga demonë politikë dhe jo vetëm, populli ka rastin të kuptojë rolin e vet, fuqinë e mohuar nga paliria, atë që buron nga e kaluara historike plot me të panjohura dhe drithije të qëllimshme, aktet e krenarive kombëtare, reagimi, korrektimi, reflektimi.  Në kushtet kur demokracia rrezikohet nga dështimi për shkak të aplikimit të saj nga njerëzit e gabuar, metoda të gabuara të yshtura prej kulturës sonë politike të trashëguar, leksionet amerikane, praktikat amerikane nuk mungojnë në setin e mendimeve tek "Demokracia nuk pret".

Shtëpia e rrënuar e Gjergj Fishtës, pikturat e tmerrit të internimit të Tepelenës, dosjet e pahapura të komunizmit kjo gangrenë nga ku burojnë plagët shqiptare, janë hone të thella gjykimesh por edhe tablosh të një demokracie që afiksohet kur mendimi vdes dhe intelektualët heshtin.  Demokracia nuk pret, vjen si një vëzhgim i hollë, i vëmendshëm, sistematik, nga jasht por gjithmonë brenda atij realiteti, parë me sytë që e duan atë vend, ia duan të mirën, ia dijnë shtigjet se nga buron ajo.

E që demokracia të mos jetë një mision i pamundur, roli i opozitës është oksigjenues, reagimi i qytetarëve është vendimtar dhe zëri i intelektualëve jetëdhënës dhe pa asnj? dyshim, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë ai i dritës dhe i arsyjes gjithashtu.

Kjo vepër, kronologji ngjarjesh e historish, datash dhe eventesh është një shkollë për gazetarët, politikën dhe qytetarinë.  Në demokraci çdo frymë ka rol në jetëzimin dhe vitalizimin e këtij sistemi që nuk dhunon edhe pse dhunohet, ku çdo jetë ka vlerë dhe çdo liri nis nga rregulli dhe vdes nga e kundërta e tij.

Sa herë që një sistem i drejtë kërcënohet nga padrejtësitë, është koha për të kuptuar më mirë demokracinë ku e drejta merr jetë duke ta garantuar atë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat