Tregime të shkurtra me mesazhe të qarta për moshatarët e autores

Libra

Tregime të shkurtra me mesazhe të qarta për moshatarët e autores

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 10 shtator 2018 Në ora: 23:26
Leona Gimolli “ Hëna si nënë, ylli si fëmijë ” – Prishtinë, 2018

Letërsia për fëmijë viteve të fundit gjithnjë e më shumë po pasurohet me vepra të të gjitha zhanreve dhe nga krijues të ndryshëm.

Po ashtu edhe numri i fëmijëve krijues  është duke u shtuar vazhdimisht dhe ata para moshatarëve të tyre po vijnë me veprat e tyre qoftë në prozë apo poezi. Kësaj radhe para lexuesve moshatar vjen edhe nxënësja 12 vjeçare Leona Gimolli me librin e saj me tregime.

Siç e dimë jeta e fëmijëve karakterizohet me ngjarje të shumta, të cilat, po u trajtuan bukur e më frymëzim nga shkrimtari,  tek fëmijët do të sjellin gjithnjë e më shumë hare, gëzim, kënaqësi dhe optimizëm e këtë është mirë që edhe krijuesit e rinj po mundohen të vijnë para moshatarëve të tyre me libra të botuar duke krijuar letërsi fëmijërore.

Të  shkruash për fëmijët do të thotë të hysh në një botë  të madhe dhe me vlerë, në një botë lozonjare dhe të brishtë që është aq e largët dhe aq e afërt. Në një botë që duhet dashur dhe assesi qortuar, në një botë  që është e pasur. Për poetët kjo nuk është lehtë por përkundrazi është një mundim që sjell kënaqësi, por që njëherësh është  edhe përgjegjësi të shkruash atë  që u dedikon fëmijëve. Ashtu siç është e veçantë bota e fëmijëve, është e veçantë edhe letërsia për fëmijë si zhanër letrar. Për ta ‘kultivuar’ këtë lloj shkrimi për fëmijë, duhet njohur mirë botën e fëmijës dhe shpirtin e tyre të çiltër...

Fëmijët janë si lulet, janë zbukurim i jetës së njeriut dhe shoqërisë.  Janë zbukurim i familjes dhe shkollës,  zbukurim i përditshmërisë.... Mirëpo kur shkruajnë  moshatarët e fëmijëve ato shkrime janë shumë më të kapshme nga lexuesit moshatar të autorit.

Ku në këtë rast kemi një përmbledhje me tregime  nga një 12 vjeçare, nxënëse e SHFMU “Andon Zako Çajupi në Bardhosh, Leona Gimolli.

Tregimet e këtij libri janë të shkurtra por mesazhet që ka dëshiruar ti bartë tek lexuesi arrin ti thotë me pak fjalë që janë të mjaftueshme që moshatarët e saj ti kuptojnë dhe se ajo e dinë  më mirë, ngase ai mundohet që mendimin ta përmbledh në pak fjalë duke thënë shumë dhe bukur  dhe komunikon ëmbël me lexuesit e vegjël,moshatar të sajë.

Andaj mund të përfundojmë se Leona Gimolli ka një botë të pasur krijuese dhe me këto tregime që i sjell në librin “Hëna si nënë, ylli si fëmijë”  depërton lehtë në botën e moshatarëve. Me këto tregime për moshën e saj ajo ka arritur  të thotë shumë dhe tregimet e këtij libri lexohen me një frymë  dhe kemi bindjen se  do të priten mirë nga fëmijët ngase ato janë të shkruara nga një moshatare e tyre.

 Tregimet e këtij  libri  e fusin lexuesin në botën e pasur imagjinatave e magjepse, synojnë nxjerrjen në shesh të vetive të këqija dhe luftimin e tyre, si dhe shumë çështje tjera.

Në secilën nga këto tregime autorja bënë hyrjen, zhvillimin e ngjarjes  dhe përfundimin e sajë. Këtë e bënë me një mjeshtri  dhe kujdes të madh  duke dhënë mesazhin  e duhur të cilin  lehtë e kuptojnë lexuesit ngase janë mesazhe edukative të thëna nga një moshatare e lexuesve. Andaj këto tregime  dhe mesazhe kuptohen shumë më lehtë dhe njëherësh nxisin që një ditë edhe ata të provojnë veten në krijimtari.

Autorja në tregimet e këtij libri sjell një botë me shumë ngjyra dhe me plotë margaritar në një kopsht me lule me plotë dashuri për fëmijë.

Ajo shkruan për kopshtin me lule, fshatin, gjyshërit, lojërave të fëmijëve, parkun e lojërave, kopshtin zoologjik, zogun e vogël, hënën, nënën, yllin e fëmijën, trëndafilin e kuq,malin, …

Secila nga këto 19 tregime ( Vajza në kopsht, Besnikëria, Fshati, Bota magjike, Kopshti zoologjik, Jam nxënës i së ardhmes !, Kënaqësia e fëmijëve, Dordoleci i gjorë, Pallati mbretëror, Macja nën tavolinë, Muri që i ndau dy vëllezërit, Kristali i humbur, Parku i lojërave, Hëna si nënë, ylli si fëmijë, Engjëlli i braktisur, Zogu i vogël, Dukesh si Nënë Tereza, Miku dhe armiku i pyllit, Trëndafili i kuq ) zgjojnë interesimin dhe kërshërinë  e fëmijëve  për ti lexuar. Ato kanë peshë për jetën, edukimin dhe veprimin e tyre. Përmes tyre arrihet efekti edukativ, sepse fëmijëve nga autorja moshatare e tyre u rekomandohet rruga e drejtë, forcimi i virtyteve më të larta e më të mira dhe luftimi i të keqes. Libri do të pritet mirë nga fëmijët dhe do të shënon një kontribut të mirë në letërsinë fëmijërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat