Kur liria puthet dy herë

Libra

Kur liria puthet dy herë

Xheladin Mjeku Nga Xheladin Mjeku Më 7 shtator 2018 Në ora: 07:27
Kopertina e librit

Alush Canaj: “MBRËMË E PUTHA LIRINË”, krijimtaria e plotë letrare, botoi “Faik Konica” – Prishtinë, 2018

Sa e mbarova një shkrim për poezinë e poetit të persekutuar nga diktatura komuniste, Havzi Nelën, ku në kujtesë më silleshin edhe shumë emra poetësh e shkrimtarësh të atyre viteve që kishin pësuar në rrethana të ndryshme, e ndër shumë emra më erdhën në kujtesë edhe Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Fazli Greiçevci, Rexhep Elmazi, etj. Jeta dhe veprimtaria e tyre ka histori të vuajtjeve, torturave, dhunës, persekutimeve nga më çnjerëzoret e deri tek likuidimet fizike, por në asnjë mënyrë edhe zhdukje të emrave dhe veprave të tyre, të cilat vazhdojnë të jetojnë me frymën dhe mesazhin që kishin, duke u përjetësuar edhe në ditët tona.

Periudha e pasçlirimit nga një okupator i egër nuk solli kurrëfarë të mira për disa nga popujt e Ballkanit, duke veçuar shqiptarët, fati i të cilëve ishte cunguar që në fillim të shekullit XX, për të vazhduar edhe pas kësaj periudhe me ndryshime të mëdha nga sistemi komunist që ishte instaluar në Shqipëri dhe në Jugosslavinë titiste, për t’i ndrydhur deri në ngulfatje, sidomos  shqiptarët, si popull shumicë që jetonin në Kosovë. Rankoviçizmi, një rrymë e egër e sistemit që po krijonte dhumë e reprezalje në popuj e klasat intelektuale, kishte shtrirë gamën e veprimit të egër gjithandej kah ishte hetuar ngjallje e klasës intelektuale, me synime të arsimimit e ngritjeve shoqërore dhe kulturore. Në Kosovë ky instalim po bënte të veçantat e tij duke përcjellur gjithçka që kishte të bënte me njeriun e vuajtur, të varfër e të pashkolluar, me qëllimin e vetëm të trysnive të pandalura deri në përdhosje të identitetit, duke propaganduar politikën e ndërtimit të një shteti të ri të vëllazërim-bashkimit, që asnjëherë nuk ekzistoi si veprim i pranueshëm dhe i mirëfillt, prapa të cilit fshiheshin dhuna dhe torturat shtetërore për popujt e vegjël të tij, për t’ua pamundësuar ngritjen e identitetit, vlerave kombëtare dhe arsimimin e tyre, që pastaj të mbesin përgjithmonë të “mishëruar” në politikën e socializmit jugosllav.

Kësaj politike vështirë t’i nënshtroheshin të gjithë, meqë nuk përputheshin shumë elemente kombëtare e kulturore mes popujve. Ndikim tjetër kishte edhe pabarazia e tyre në bashkëndërtimin e jetës në këtë shtet, që i bënte të ndihen të huaj në shumë aspekte. Mbi bazën e këtyre kontraditave shtetërore dhe ligjeve persekutuese të kohës po ndikoheshin me frymën dhe dashurinë për atdheun dhe lirinë shumë të rinjë e gjenerata të tëra, të cilat vrojtohen me luspën e tmerrshme të pushtetit, për tu zbuluar e ndaluar që në nismë të aktiviteteve të tyre. E kotë ishte tashmë, çrrënjosja e besimit të brezave liridashës, se ata, pavarësisht propagandës politike, se po jetonin nën një shtet me të drejta e liri të barabarta, asnjëherë nuk ishte krijuar elemente të shetit që do të gëzonin të drejtat dhe liritë e tyre për ecje tutje drejt ardhmërisë dhe zhvillimit.

Në një sitatë të tillë filloi hapat e parë të jetës edhe i riu Alush Canaj, për ta kuptuar shumë shpejt se cilat ishin qëllimet dhe synimet e këtij pushteti. Ai i kishte dhënë vetes detyra të rëndësisë së lartë, duke qëndruar stoikisht në rrugën që kishte nisur.  Ëndrra e tij e madhe për dije kishte filluar me vështirësi të  realizohej, meqë të rinjtë që e kishin kuptuar rëndësinë e arsimimit, ishin vënë në “përkujdesjen” e njerëzve të pushtetit, duke u ndjekur hap pas hapi në çdo veprim e aktivitet. Këtë element të rrezikshëm e kishte kuptuar që në nismë edhe Alushi, por asnjëherë nuk ishte ndalur në rrugën e tij, edhe atëherë kur ishte kërcënuar me vdekje. Guximi dhe këmbngultësia e tij në rrugën që kishte nisur vazhdon deri në çastet e vrasjes, për t’na lënë të përhershëm kujtimin me veprat dhe dashurinë njerëzore të një patrioti të devotshëm.

Lapidarë me vargje e fjalë

Pas shumë vitesh nga vdekja tragjike e poetit Alush Canaj, është botuar krijimtaria letrare e përmbledhur në librin me titull simbolik “Mbrëmë e putha lirinë”, në përkujdesjen e vëllaut të tij, Avdush Canaj, i cili me përkushtim i është çasur kësaj pune, duke përmbushur një obligim jetësor ndaj emrit dhe veprës së të vëllait dhe, njëkohësisht duke ia sjellur lexuesit të plotë gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe artistike. Ky botim për lexuesin vjen si kurorë lulesh, me të cilën  nderohet emri i poetit, kurse puna e përkushtuar për ta botuar veprën komplete të Alush Canajt është lapidare, sa edhe qëndrimi i tij burrëror, në moshë aq të re, duke u shpërfaqur ndjenja dhe guximi prej krijuesi të paepur përballë një pushtuesi të pamëshirë. Krijimtarinë  shumëdimensionale të Alush Canajt e takojmë në këtë libër, duke filluar nga poezia për fëmijë, ajo për të rritur, pastaj  tregimet, sprovat e para për përkthime, fletëza ditari intim dhe disa vizatime, që pasqyrojnë synimet e tij prej krijuesi plot vizion.

Alush Canajn e takojmë që nga fillimet e krijimtarisë së tij me shkrimet dhe vizatimet e publikuara në disa prej gazetave e revistave të kohës, ai për lexuesin vjen me librin e parë “Vals veror” në vitin 1992, në përkujdesjen dhe përgatitjen për botim nga vëllai i tij, Avdushi. Ndërkaq, me librin e dytë vjen e prezantuar krijimtaria e tij komplete, poashtu në përkujdesjen nga i njëjti vëlla, por e plotësuar edhe me disa shkrime e vështrime nga krijues e bashkëveprimtar të tij, që e bëjnë më madhështore dhe të dashur për lexuesin, duke ua mundësuar njohjen biografike, rrugëtimin e krijimtarisë së tij dhe zbërthimin kritik të krijimtarisë poetike dhe tjetër të Alush Camajt. Kështu, pas një vështrimi të vëmendshëm nga Ragip Ramaj, me titull emblematik “Përmendore për poetin tragjik Alush Canaj”, që në fillim të librit lexuesi do të njhet me krijimtarinë e Alushit, për ta shijuar pastaj gjithë krijimtarinë poetike të sistemuar në ciklet: “Në krahët e erës”, “Do të shkoj tek ylli”, “Nënkresa më e mirë”, “Dashuri e nanës do t’i vrasë”, “Ty të dua” dhe “Shqiponja e maleve”, për të vazhduar me ciklin e tregimeve “Zemërarta”, me një sprovë “Fletëza ditari” personal, pastaj vijnë “Dy përkthime” dhe një album fotografish nga jeta e tij “Nga dritarja e kujtimeve” dhe “Vizatimert”, që  i pasojnë dy shkrimet: njëri nga Avdush Canaj, në kujtim të vëllaut, dhe shkrimi analitik, gati shterrues për jetën dhe krijimtarinë e Alush Canajt, me titull përmbajtësor, me shtrirje të përgjithshme të studimit të veprës letrare të tij, “Ylli shkëlqimtar i një talenti”, nga Mehmetali Rexhepi, që ishte edhe shok klase me autorin, për të evokuar këtu, përveç një analize të zgjëruar të krijimtarisë së Alush Canajt,  edhe ngjarje interesante nga jeta dhe personaliteti prej largpamësi me vizione të përcaktuara dhe pathyeshmëri deri në sakrificë.

Për tu njohur më për së afërmi me këtë krijimtari poetike, po shpalos disa nga temat më të veçuara, pa mos e zbërthyer në tërësi gjithë krijimtarinë letrare, që kërkon një përkushtim dhe hapësirë të gjërë për ta rrumbullaksuar mendimin mbresëlënës për opusin krijues të tij. Derisa në librin e parë takojmë poezi të shumta, ku ai “Vals veror”, vjen i freskët, me frymën e dashurisë për të bukurën, atdheun: “në zemrat tona/ gëzim/ e hare/ U mbushën/ hambaret/ me bukë të re” (po aty- fq. 40), në librin e dytë të plotësuar edhe me disa poezi tjera të ruajtura nga familja e tij, përveç dashurisë për vendlindjen, autori për asnjë çast nuk pushon s’kënduari lirisë, për të cilën që në fillim kishte shprehur hapur mendimin e tij, duke e ndier në shpirt atë mungesë, edhepse  po i servohej vazhdimisht popullit të tij si mashtrim me disa parolla të kohës, që asnjëherë e me asgjë konkrete nuk shprehnin elementet e dëshiruara të lirisë. Shpirti i tij kishte zënë të rebelohej nga vargu në vargun tjetër, nga dita e muaji, për ta shpërfaqur gjithnjë e më fuqishëm shqetësimin e tij edhe atëherë kur pushteti e kishte nuhatur aktivitetine tij dhe po e torturonte, për ta mposhtur shpirtin e tij. Po kjo asnjëherë nuk ndodhi, meqë Alushi e kishte kuptuar me kohë qëllimin e tyre dhe qëndroi stoik në fjalën dhe veprën e tij.  

Ëndrra për lirinë, apo liria si ëndërr e patjetërsueshme ishte çdoherë synim i autorit. Ai, pikërisht kur takohet me lirinë në ëndërr, e ndien në shpirt kënaqësinë e saj, duke menduar se ia doli ta realizoj atë dëshirë të shumëpritur, por shumë shpejt lehja e qenëve ia zhdavarisin, për t’ia lënë peng përgjithmonë këtë ëndërr jetësore:

                                                     “Mbrëmë

                                                     e pashë në ëndërr

                                                     Lirinë.

                                                     Ishte si manushaqe

                                                     E putha në faqe.

 

                                                    S’kaluam as dy hapa

                                                    Qentë na lehnin prapa.

 

                                                    S’di si u afruan,

                                                    Prangat i vunë”.

(“Mbrëmë e putha lirinë” – fq. 101)

Simbolika e titullit të librit “Mbrëmë e putha lirinë”, shpërfaq fuqishëm atë që i ziente në brendësi të dhimbjes së tij shpirtërore, duke e vënë në bashkëveprim errësirën (mbrëmjen, të fshehtën) me puthjen e lirisë, që qëndrojnë kushtimisht të përqafuara në frymën sublime të realiteteve që ëndërronte,  jo vetëm poeti, atëbotë.

Në fakt, kur liria vjen si puthje, kur ajo përjetohet dy herë, edhe si vuajtje, si dhimbje e torturë, edhe si ringjallje e përjetshme e frymës dhe fjalës që nuk vdes më kurrë, ajo është forca që nuk mposhtet asnjëherë, pavarësisht situatave e formave të veprimit të tjetrit!

Alush Canaj nuk pushon së shkruari për ngjarje e fenomene që e preokupojnë gjatë gjithë kohës sa do të ketë mundësitë  e krijimit të vargut të tij plot frymëzim. Në krijimet poetike takojmë motive e personalitete që ia zgjojnë muzën krijuese për të shtjelluar ngjarje e për të shprehur revoltën që po ia ngushtonte shpirtin gjithnjë e më shumë, sidos kur kishte kuptuar se I qëndronte përballë një përbindësh që po përpiqej t’ia ndrynte fjalët në brendinë e shpirtit, duke ia pamundësuar kështu ta përcillte mesazhin tek lexuesi i tij, gjithnjë kurreshtar për ndryshimet, për të renë, ardhmërinë, që mbaheshin të mbyllura nën tutelën e pushtetit famëkeq. I tillë ishte në jetë, të tillë e shprehu qëndrimin e tij edhe në krijimtarinë letrare e artistike në përgjithësi, Alush Canaj, për ta lënë një krijimtari të vlefshme për gjeneratat, që edhe tash kur ai nuk është fizikisht në mesin tonë, fryma dhe fjala e tij kanë shtrirje të pranueshme për brezat që e takojnë dhe e lexojnë.  

Opusi krijues me shtrirje shumë dimensionale

Alush Canaj nuk ishte veç poet. Emri i tij vjen edhe pranë shumë sprovave tjera në prozë, ditarë, përkthime, pastaj e takojmë edhe me paraqitje përmes arteve pamore, që atë kohë kishin filluar të gjenin vend edhe në faqe revistash e gazetash, si realizime që premtojnë.

Sidomos shquhet për korrektësinë e vargut poetik edhe në krijimtarinë e tij të paktë për të rritur, duke shprehur ndjeshmërinë shpirtërore në çasjen e poezisë, ku malli dhe fuqia shprehëse kanë një frymë krijuese plot vrull rinor, herë-herë me shqetësime, deri në dhimbje. Jetë përplot çaste e mall ishte edhe shpirti i tij, poaq sa ishte edhe shtrirja konceptuale e vargut plot mallëngjim, me shprehje e figuracion emblematik; ai në vazhdimësi konsumonte ndjesi shpirtërore plot dhimbje, revoltë dhe shqetësime, jo vetëm për fatin e tij. Të tilla i gjejmë të realizuara edhe poezitë: “Shqiponja e maleve”, “Dy lule”, “Ëndrra”, “Po e ndiej…”, por edhe tek pjesëzat e ditarit intim, që kanë po atë përfillje të ndjeshmërisë, që i kalon përmasat e një paraqitje të çdo krijuesi të moshës së tij, duke shtruar problemet përmes revoltës aq fuqishëm, sa e bën mospërfillës çdo reagim të përcjelljes politike që i qëndronin përballë.

Poashtu, edhe nëntë tregimet vijnë të realizuara me përkushtim dhe përzgjedhje tematike, ku bota fëmijërore shtrinë rrugëtimin e pandalshëm me “Trenin e fëmijëve”, për të kujtuar edhe tituj tjerë, që kanë trajtim të mirë tematik, si: “Zemërarta”, “Shokët”, “Bisedë me të pavdekshmin”, “Depoja në flakë”, etj, që pasqyrojnë ëndrrat, dëshirat, shqetësimet e fëmijëve të kohës, që nënkupton se autori kishte zënë fillet e mira edhe në krijimtarinë e prozës, sidomos asaj për fëmijë.  

Mungesa e librit, sidomos atij nga letërsia botërore, te Alushi ishte hetuar si një zbraztësi, meqë etja për të lexuar, për ta njohur sa më shumë botën e gjërë të letërsisë edhe jashtë asaj kombëtare e kishte cytur të sjell tek lexuesi edhe njohuri të reja, duke filluar të merrej edhe me  përkthime të autorëve që do ta preokuponin. Kjo veprimtari e shumanshme e bënte edhe më të  afërm me lexuesin, me shpresat se shpejt do të arrinte ta dëshmonte veten krah me krijues tjerë, që kishin zënë fillet e krijimtarisë në Kosovë.

Vlerat dhe fryma heroike që na frymëzojnë

Asnjëherë nuk mund të zbërthehet për lexuesin gjithë ajo që është shtruar në libër, e sidomos atëherë kur kemi të bëjmë me një pasqyrim të veprimtarisë komplete të krijuesit, pavarësisht sa mund të jetë ajo krijimtari e vëllimshme dhe mbi çfarë periudhe kohore është ndërtuar. E tëra që mund të shtrohet në një shkrim të tillë është fakti se mund të konsiderohet mjaftueshëm për njohuritë e lexuesit me lëndën përmbajtësore dhe vlerat që  e përfaqësojnë atë krijimtari.

Mbi bazën e kësaj, në përmbyllje mund të vlerësojmë se gjithë krijimtaria letrare e Alush Canajt ka një shtrirje tematike nga bota fëmijërore, dashuria për atdheun, larine; trajtime tematike kryesisht patriotike, duke mos harruar për asnjë çast edhe nisiativat tjera që herëpasherë të sjell vlera edhe në prozë, arte pamore etj. Koha e shkurtër e jetës së tij nuk krijon mundësi që krijimtaria letrare të jetë e vëllimshme. Poashtu, mund të konkludojmë se, jo çdoherë këto vargje kanë frymën e dëshirave, të realizimit të ëndrrave, sepse vet koha të cilën e jeton autori ishte përplotë ngjarje e ndryshime, që shkaktonin edhe revoltë tek vargu i tij, për ta pasqyruar sa më  fuqishëm rretahat mbi të cilat ndërtohej ngjarja.

Me një gjuhë të rrjedhshme, me figuracion dhe këmbëngultësi të qëndrueshme në çdo krijim poetik, Alush Canaj na lë një  thesar të çmuar nga krijimtaria e tij, për ta kujtuar përgjithmonë si një shembull i mirë i një krijuesi të veçantë e parimor në qëndrimet dhe besimin e tij të pampushtur.

Vlerat e tilla janë pavdekshmëria e frymës dhe veprës letrare dhe heroike, që na frymëzon!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat