Poetika e një simfonie

Libra

Poetika e një simfonie

Nga: Remzi Limani Më: 31 gusht 2018 Në ora: 11:42
Remzi Limani

Poetja jonë Nora Lokaj, nëpërmjet poetikës moderne na jep një pasqyrim lucid dhe rrah gjithë kambanat e arsyes, për ta kuptuar dhimbjen në kohë dhe hapësirë, hapësirë e cila na jep një frymëmarrje të ngushtuar nga individi në fron...

Në leximin e parë të një tufe poezish nga autorja, Nora  Lokaj, pashmangshëm bie në sy krijimtaria poetike, gjithsesi  e arrirë dhe e gatuar me brumin e ngjeshur mirë, për të shpërfaqur pjekurinë e poetes, e cila, di t`i qaset  ndërtimit të vargut, të cilën e vendos mbi bazamentin e shëndoshë, mbi të cilin vendosen të shkrira fjalët e bronzta. Pra, mbi parimet e poezisë moderne, në vjershërimit e poetes respektive, zë vend estetika e një vargu të thurur nga ndjenjat dhe zbrazjet e përditshmërisë tonë në sfondin poetik të tjerr nga shtëllungat e tymta, të cilat krijojnë mugëtirën e padëshiruar mbi trojet tona dhe shpirtin e trazuar të poetes sonë të nderuar. Këtu, sipas Aristotelit, “Nuk duhet të përqendrojmë vëmendjen vetëm te kënaqësitë e jetës, por tek të këqijat e panumërta për ta gjetur mënyrën si t`i largohemi atyre”, të paktën brenda kufijve të së mundshmes.

Nëse kjo nuk do të ishte rruga e vërtetë e lumturisë dhe sentenca e Volterit “Le bonheur n`est qu`un revê, et la doulueur est rêelle” (Lumturia s`është veçse një ëndërr, dhimbja është reale), në këtë kontekst, për ta kuptuar se në çfarë shkalle është lumturia e mundshme e individit krijues, patjetër duhet ta kuptojmë shkallën e mirëqenies së tij në konceptin e bashkësisë së tij shoqërore. Këtu pra, Poetja jonë nëpërmjet poetikës rrah kambanat e arsyes, për ta kuptuar dhimbjen në kohë dhe hapësirë, hapësirë e cila na jep një frymëmarrje të ngushtuar nga individi në fron... Mbi këtë, poetja, Nora na thotë: /Po e marrin gurin e vatrës/ të plasur nga barra e ku malësori hiqte plisin e bardhë dhe pushonte kokën,/…shekujve./ vendin

Prandaj, resurset e mirëfillta të sukseseve individuale, në kuptimin e shëndoshë të fjalës, ose të të kuptuarit e kreativitetit individual, në këtë rast të poetes, Nora Lokaj, na japin një pasqyrim lucid mbi ngjarjet dhe përjetimet, që në poezinë bashkëkohore të avancuar, na japin dritën e pranueshme në skenën e vlerave të mirëfillta poetike.

Tani, siç e kërkon njeriu frymëmarrjen e tij të lirshme, poetja jonë me gjithë ndjenjat për dashurinë universale dhe atë ndaj shenjtërisë së një nënë siç është vetë poetja, nuk e lë ditën në kapërcim pa i tjerr zërat e simfonisë siç thotë ajo, që në fakt, poezinë e shndërron në një ninullë ndryshe nga të dëgjuarat duke na thënë: /në sytë e tu shoh/si lindi vegimi i një perandorie/e akullnajat e dimrit si shkrijnë/para shenjtërisë së një nëne/shkëputur nga qielli/që zhvirgjëron agimet e prillit. Së këndejmi, bazuar në shprehjet poetike të sinkronizuara me ngjarjet dhe rrëfimet, poetesha, Nora Lokaj, pa asnjë dyshim zë vend meritor në kullën e ndërtuar nga fjalët e përzgjedhura, të miratuara për lexim dhe kënaqësinë e lexuesit...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat