Lërini fëmijët të jetojnë moshën e tyre!

Libra

Lërini fëmijët të jetojnë moshën e tyre!

Sejdo Harka Nga Sejdo Harka Më 28 gusht 2018 Në ora: 23:41
(Shënime për novelën për fëmijë “Shitësi i vogël i kekëve” të shkrimtarit Viron Kona)

Të shkruash për fëmijët do të thotë të shkruash për të ardhmen e shoqërisë. Dhe kjo është më se e vërtetë. Si të jenë fëmijët sot, ashtu do të jetë dhe Shqipëria  e nesërme. Sa më të ditur e të zotë të jenë ata, aq më e begatë dhe e qëndrueshme  do të jetë ajo. Një rol të veçantë për pajisjen e fëmijëve me dije, kulturë dhe edukatë, pa diskutim ka luajtur dhe luan letërsia dhe arti. Një sentencë e bukur popullore thotë: “Dija ndriçon mendjen, mendja ndriçon botën”. Edhe letërsia përmes magjisë së fjalës, përçon jo vetëm mesazhe e botëkuptim, ëndrra dhe guxim për veprim, por edhe dije të mirëfillta për jetën. Ndaj Floberi i madh na këshillon: “Librat mos i lexoni vetëm për t`u argëtuar!”

Janë të shumtë shkrimtarët e vjetër dhe të rinj, të cilët bëjnë përpjekje që edhe krijimtaria jonë për fëmijë të ecë në gjurmët më të mira të letërsisë evropiane. Mes tyre shohim edhe krijues të zellshëm e tepër prodhimtarë si shkrimtari Viron Kona. Ai ka rreth 40 vjet që shkruan e shkruan pa mbarim, pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, llojet e nënllojet për të gjitha moshat, por veçanërisht për fëmijët. Deri tani ka shkruar 42 libra, nga të cilët 20 u adresohen fëmijëve dhe adoleshentëve. Kohët e fundit ai shfaqet përpara lexuesve  me novelën për fëmijë   “Shitësi i vogël i kekëve”.  Në qendër të brendisë, autori vendos problemet dhe shqetësimet e tranzicionit të  egër  që po kalojmë, si dhe përpjekjet për t`i kapërcyer ato. Në këtë vorbull të ashpër shpirtërore, ekonomike, sociale dhe psikologjike, fatkeqësisht u përfshinë edhe fëmijët. Në vend që të lexonin, luanin dhe të argëtoheshin, atyre,për të mbijetuar, u duhej të punonin  e të ndesheshin me vështirësi e të papritura të mëdha. Kohëra të tilla të vështira, jo vetëm “u vrasin atyre fëmijërinë”, por dhe i  detyrojnë ata të piqen para kohe. Në këtë plan, kjo novelë është jo vetëm  një fshikullim sa metaforik aq dhe i drejtpërdrejtë ndaj kujtdo që shkel liritë dhe të drejtat e fëmijëve,por  dhe një thirrje e fuqishme sensibilizuese drejtuar gjithë prindërve dhe institucioneve shtetërore,për t’i ndihmuar ata  që të rriten të lirë dhe të shëndetshëm.

Subjekti i novelës është sa i thjeshtë, aq edhe tërheqës, si një shfaqje e bukur teatrale. Në qendër të tij është një familje e thjeshtë qytetare prej katër vetë, që vitet e para të tranzicionit, gjendet në një krizë të thellë ekonomike e shpirtërore: Babai (kryefamiljari) gjymtohet papritur në një aksident, nëna ishte shtëpiake e papunë, ndërsa dy fëmijët Erlindi dhe Ana ishin të mitur. Në ato kohë të çoroditura, kur askush nuk interesohej për njerëzit, para kësaj familjeje shtrohej dilema: Do të luftonte për të mbijetuar, apo do të bëhej preh e urisë dhe  skamjes!?

Image
Nga e djathta:Sejdo Harka dhe Viron Kona Kopertina e librit

Kjo dilemë nxiti në këtë familje debatin e guximit dhe shpresën për një rrugëzgjidhje. Ndërsa nëna, si amvisë e mirë mori përsipër të prodhojë kekë për të tregtuar, Erlindi i vogël u zotua se do t`i shiste vetë, nga që babai ishte invalid. Prandaj, si shumë të tjerë edhe ai gjeti një vend dhe filloi punën me zell. Kohërat, hallet e familjes, jo vetëm e patën pjekur para kohë, por dhe  e kishin bërë të suksesshëm. Krahas prindërve, gatishmëri për të ndihmuar  shfaqi edhe Ana e vogël, motra, e cila duke u përgatitur për klasën e parë, ëndërronte të kishte një çantë kaltëroshe mbushur me libra, fletore dhe lapsa me shtatë ngjyrat e ylberit. Me një bukuri të rrallë përshkruan shkrimtari Viron Kona mjedisin e tregut  të çorientuar, ku shiste Erlindi. Vendi ishte mbushur me kioska të shtrembra, të mbuluara nga pluhuri dhe tymi i kofshëve të pulave dhe qofteve që piqeshin...Pas kësaj mjegulle zhuritëse, që të merrte frymën, dukeshin fëmijë që, për të mbijetuar, kishin lënë shkollën, librat, lodrat  dhe ëndrrat e tyre dhe rendnin për të shitur cigare, fara luledielli, byrekë, petulla, kekë, me qëllim që të mbanin frymën gjallë.

Mes tyre, lexuesit e vegjël shohin diku në një cep edhe Erlindin e vogël, i cili krahas lodhjes i duhet të përballojë edhe keqbërësit, që në ato kohëra të shfrenuara, shfaqeshin si kërpudhat e helmatisura. Autori i novelës, duke qenë edhe njohës i mirë i parimeve kryesore të mësimit dhe të edukimit, ka ditur që nëpërmjet magjisë së fjalës dhe artit, të bëjë të besueshëm konfliktin e  brendshëm të rrëfimit të tij prekës dhe emocionues. Erlindi, ose siç quhet ndryshe “Shitësi i vogël i kekëve”, ndeshet edhe me gjobëvënësit e grabitësit e kekëve. Me durim e zgjuarsi ai triumfon përpara brutalitetit dhe djallëzisë së tyre. Jo vetëm i mund ata, po edhe i ironizon e i vë në lojë, duke “u dhuruar” kekë me speca djegës, të cilët, kur ata i hanë,bëhen qesharakë përpara Erlindit, kalimtarëve të rastit, por dhe përpara policëve që mbanin rregullin në qytet... Përmes zgjuarsisë, vendosmërisë e vetëveprimit Erlindi bëhet i suksesshëm, jo vetëm në fushën e tregtisë, por dhe në luftën ndaj të keqes. Përmes brendisë dhe konfliktit të kësaj novele, shkrimtari Viron Kona përçon mesazhe gjithëkohore dhe me vlera edukative.

Përballja e Erlindit me varfërinë dhe urinë, nga njëra anë dhe, me banalitetin dhe egërsinë e gjobëvënësve e grabitësve nga ana tjetër, zgjon te fëmija vigjilencën dhe guximin për t`ia dalë ashpërsisë, të papriturave dhe vështirësive të jetës. Aty, në përpjekjet për të mbijetuar, ai merr mësime të rëndësishme dhe fiton përvojë që do t`i nevojitet në të ardhmen. Veçanërisht këtë realitet, shkrimtari e shfaq nëpërmjet rrëfimit rrëqethës të Likut, i cili nga një kapiten anije, është katandisur në një tregtar ambulant, për të mbajtur frymën gjallë. Jeta e tij ka kaluar përmes fatkeqësive. Ai ka humbur gruan dhe anijen e tij të dashur “Valona”, të cilën ia kanë grabitur piratët e detit. Kapiten Liku, me tipin dhe historitë e tij, sa të dhimbshme dhe emocionale, frymëzon jo vetëm Erlindin, por të gjithë fëmijët që e lexojnë këtë libër. Qëndresa, vendosmëria, durimi dhe shpresa që mbajti gjallë këtë njeri, i bën lexuesit e vegjël me krahë e shpresë, që kurrë të mos thyhen e ligështohen, por të luftojnë për të gjetur rrugë të reja, për ta bërë jetën të lumtur edhe në situata të vështira. Këta dy personazhe,përveç tipareve të veçanta,kanë dhe ëndrra e dëshira që për nga qëllimi konvergojnë midis tyre.

Kështu, në se kapiten Liku ëndërron ta nxjerrë anijen e mbytur nga fundi i detit  për ta shndërruar atë në një anije-muze dhe paratë që fiton si shitës ambulant t’ja dhurojë mikut të tij, që kishte mbetur invalid nga përleshja me piratët e detit,Erlindi, jo vetëm ëndërron të rikthehet në shkollë, por dhe të mbështesë familjen e tij,për kapërcimin e vështirësive ekonomike, kurse, motrës, Anës së vogël, t’i dhuronte një çantë të bukur librash. Përmes rikthimit të protagonistit në shkollë dhe leximit të librave të bukur që ia dhuronte vajza me emrin Sidrita, shkrimtari  do të përçojë mesazhin tjetër të bukur se shkolla dhe librat janë burimi kryesor i dijeve. Pa to edhe bota do të mbetej pronë e egërsirave. Së fundi mund të themi, se  në këtë novelë, lexuesit  e vegjël do të njihen me  karaktere njerëzish origjinalë e me tipare  sa të zakonshme aq dhe të çuditshme,që i ndeshim edhe sot në jetën e përditshme. Ata do të shijojnë gjuhën e gjallë dhe emocionin e bukur, lojën vetëvepruese të personazheve dhe veçanërisht vlerat universale të thirrjes  sa të drejtpërdrejtë aq dhe figurative, që shkrimtari Viron Kona ia drejton gjithë shoqërisë dhe prindërve:”Lërini fëmijët të jetojnë moshën e tyre”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat